Trupi i Maeve Kennedy Townsend McKean është gjetur nga zhytësit në gjirin e Chesapeake, në Maryland të SHBA-së, 2.5 milje nga rezidenca ku ishte vetëkarantinuar. Maeve Kennedy ishte mbesa e Robert F. Kennedy, ish-Prokuror i Përgjithshëm i SHBA-së dhe vëlla i ish-Presidentit John Kennedy.
Maeve u zhduk së bashku me djalin e saj 8 vjeçar, Gideon, teksa po luanin kickball, ndërkohë që kërkimet për trupin e fëmijës vijojnë ende në ujërat e oqeanit Atlantik.
“Kur topi ra në ujë, ata morën kanoen për ta tërhequr, por era e fortë i shtyu në gji të hapur. Dallgët nuk po e bënin të mundur kthimin e tyre në breg”, ka deklaruar David McKean, bashkëshorti i Maeve.
Një ekip kërkimi u dërgua në zonë 26 orë pasi Maeve dhe djali i saj ishin zhdukur.
Ajo ishte avokate e shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut dhe ka shërbyer si drejtuese ekzekutive e Iniciativës Globale të Shëndetit në Universitetin e Georgetown.