Papa Françesku ka thënë ditën e sotme se përhapja e koronavirusit është një ‘përgjigje e natyrës’ ndaj qenieve njerëzore që injorojnë krizën ekologjike.
“Ne nuk i morëm shumë parasysh katastrofat e pjesshme që kanë ndodhur. Kush po flet tani për zjarret në Australi, ose kujton se 18 muaj më parë një anije arriti të kalonte Polin e Veriut sepse akullnajat ishin shkrirë të gjitha? Kush po flet tani për përmbytjet? “, i tha Papa gazetarit katolik britanik Austen Ivereigh në një intervistë me email të botuar të Mërkurën në revistat Tablet dhe Commonwealth.
“Nuk e di nëse këto janë hakmarrja e natyrës, por ato sigurisht që janë përgjigje të natyrës.”
Papa Françesku gjithashtu tha se po shërohet nga bronkiti i tij dhe po lutet edhe më shumë nga vendbanimi i tij në Vatikan gjatë kësaj “kohe pasigurie të madhe”.
Ai tha se të pastrehët duhet të karantinohen në hotele dhe jo në parkinge.
“Një foto u shfaq disa ditë më parë, ku disa të pastrehë ishin karantinuar në një parking dhe jo në hotele që tani janë bosh. Ky është moment për të parë të varfërit”, tha Papa.
“Unë jam i shqetësuar nga hipokrizia e disa personaliteteve politike që flasin për përballimin e krizës, për problemin e urisë në botë, por që ndërkohë prodhojnë armë. Sot besoj se duhet të ngadalësojmë shkallën tonë të prodhimit dhe konsumit dhe të mësojmë të kuptojmë dhe të sodisim botën natyrore”, u shpreh ai.
Ai i këshilloi të gjithë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për veten.