Një ditë karantine në një lagje të kryeqytetit, ku furrat e bukës janë kthyer në kafene dhe oborret e pallateve në vende takimesh
Nga Blerina Gjoka
Mëngjesi i së premtes 10 prill 2020. Jemi në rrugën Medar Shtylla, ose siç e njohin të gjithë lagjia Komuna e Parisit. Përveç supermarketeve, farmacive dhe furrave, që lejohen të qëndrojë hapur gjatë karantinës, një dyqan tjetër e tërheq vëmendjen. Është një dyqan kozmetike që ka hapur dyert dhe ka vendosur tabelën e orarit 8.00-12.30. Vitrina llamburitëse me ngjyra buzëkuqesh e parfumesh i ofron shërbim bukurisë në kohë “lufte”.
Pak metra nga rruga kryesore poshtë ballkoneve të një pallati dëgjohen zëra të zhurmshëm. Janë disa burra të mbledhur pranë një bordure që ndan rrugën e makinave nga sheshpushimi i pallatit. Ata janë kryesisht të moshuar, disa mbajnë maska, por nuk e ruajnë distancimin fizik. Njëri prejt tyre është më energjiku. Ai bën vajtje-ardhje nga lokali ngjitur duke u sjellë kafe në gotë plastike burrave të tjerë. Pra me shumë gjasë duhet të jetë pronari i kafenesë, e cila ashtu si gjithë baret e restorantet në të gjithë vendin janë të mbyllura prej afro një muaji. Mundësia për të shijuar ritualin e kafesë së mëngjesit dhe dielli i ngrohtë i këtij prilli i mbledh këta burra aty duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre. Vetëm ora 12.00 ose 13.00 që përkon me afatin e liridaljes së vendosur nga qeveria i rikthen ata qetësisht në shtëpitë e tyre. Mesa kuptohet ata e kanë kthyer tashmë në ritual, ritual të cilin, siç mësuam, as një polic i guximshëm që qëlloi të vinte para disa ditësh aty nuk ua prishi dot.
Çfarë mendojnë vallë ata për virusin që ka infektuar më shumë se 400 shqiptarë, të paktën zyrtarisht, dhe ka shkaktuar vdjekjen e 23 të tjerëve?! Ndoshta e quajnë veten të paprekshëm, fundja kush nuk e mendon thellë brenda vetes këtë; “mua s’do më zërë”.
Po nuk është vetëm biseda e zhurmshme e burrave moskokëçarës që i prish krejt kuptimin fjalës karantinë, ose mbylljes brenda në shtëpi, që na ka imponuar pandemia e koronavirusit. Pak më tutje pranë furrës së bukës një grup tjetër njerëzish bisedojnë me zë të lartë dhe mundohen të ruajnë distancën duke bërë një hap para, një hap pas. Hapësira para furrës, e cila po ashtu të ofron kafe ekspres, ka qenë gjithmonë një vendtakimi mes komshnjive, sa herë kaloje aty të kapte veshi copëra bisedash për politikën, sportin, a ndonjë incident që kishte ndodhur në lagje. Si zor që njeriu të heq dorë nga zakonet e vjetra aq kollaj. Gjithsesi, e zonja e furrës tenton të ofrojë një vel sigurie për klientët e saj të dashur duke e spërkatur trotuarin para furrës me një pluhur të bardhë, me siguri klor, dhe duke sprucuar në ajër një dezinfektant.
Lagjia gëlon nga zhurmat e zërat nën aromën e pranverës që nuk ngatërrohet me asnjë tjetër.
Trotuaret janë plot me njerëz, disa që nxitojnë për në punë, të tjerë që nuk i kanë rezistuar dot diellit për të bërë dy hapa jashtë a vetëm për ta pirë një kafe ekspres. Në kafenetë që janë brenda shesh-pushimeve të pallateve shërbehet kafe në gotë plastike ose kartoni. Por nuk lejohet të ulesh nëpër tavolina, e merr me vete ose mbështetesh tek bordura përballë. “E mbajtëm mbyllur disa javë, por tani vij paradite ndez ekspresin dhe u bëj kafe atyre që kalojnë, sepse po falimentojmë, nuk e di nëse do të marr apo jo mbështetje nga qeveria, ndërkohë qeranë duhet ta paguaj”, thotë pronari i një bar-kafeje, që sapo u ka shërbyer dy klientëve te dera e lokalit.
Klientela e kafeneve është zhvendosur përkohësisht tek furrat e bukës këto javë.
Të vetmit që i mungojnë këtij dekori prilli janë fëmijët. Duket sikur ata janë më të penalizuarit e kësaj situate, u duhet të rrinë brenda katër mureve krejt në kundërshti me natyrën e tyre, por edhe të përshtaten me shkollimin online, ku klasa është zevendësuar me ekranin e telefonit.
Fotot e makinave ushtarake që kanë pushtuar Bulevardin dhe rrugët kryesore të Tiranës duken si të shkrepura në Mars. Në të vërtetë në rrugë sheh makina si në një ditë të zakonshme, qytetarë me biçikleta, këmbësorë. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga data 10 mars, kur nisi karantina, është moda e maskave si një veshje e re me të cilën duhet të dalësh nga shtëpia dhe qepenat e mbyllura anash rrugëve, ku më parë të përshëndesnin manekinët, dritat e reklamave apo aroma e kafesë e ushqimeve.
Lajmi që do të ketë dënime me burg deri në 15 vite për ata që thyejnë karantinën, apo retorika e ashpër e kryeministrit çdo mbrëmje, ngjajnë si zëra nga një botë tjetër.
Ka kaluar një muaj tashmë nga dita që jeta e kryeqytetit ndryshoi duke iu dorëzuar qetësisë. Boritë e makinave u zëvendësuan me cicërimat e zogjve, dhe rrugët u bënë mbretëria e qenve. Ditët e para kishte një panik në ajër që vinte kryesisht nga pamjet e Italisë fqinje, ku të vdekurit numëroheshin me qindra, çdo ditë me radhë. Mësuam të mbajmë radhë për bukë e të rrimë larg njëri-tjetrit, por nuk e bëmë dot pjesë të natyrës tonë jetën e mbyllur për shumë kohë.
Qyteti po i kthehet normalitetit akoma pa marrë lejen qeveritare për këtë. Qëndrueshmëria e përhapjes së sëmundjes gjatë këtyre javëve u jep ndoshta një farë sigurie. Paniku për “pirgje të vdekurish” për të cilët paralajmëronte kryeministri ka nisur t’i lërë vendin panikut për situatën financiare, për humbjen e punës e për pasojë dhe mungesën e të ardhurave për të jetuar. Një gazetare e BBC raportonte me lot në sy nga Italia për italianët që janë në hall për sigurimin e ushqimit duke filmuar një vullnetar që shpërndante ushqime të gatshme nëpër familje.
Po tek ne a e di njeri çfarë po ndodh? Sa njerëz kanë humbur punët dhe sa rrezikojnë ta humbin atë nëse nuk do të nisë hapja e jetës, bizneseve, kompanive, e kështu me radhë.
Pas orës 13.00 bie qetësia. S’ka më makina dhe njerëz në rrugët kryesore, por brenda
shesheve të pallateve vijojnë takimet e bisedat, thjesht ato janë zhvendosur nga karriget e kafeneve.
Një makinë e bardhë që mban mbi të numrin 127 ndalon në rrugë. Prej aty zbret një burrë me maskë e doreza, ka një ecje të ngadaltë, duket sikur lëkundet. Ai ndalon pak çaste para hyrjes së pallatit para se të vendosë të ngjitet në shtëpinë e tij. Me siguri do të jetë një mjek a infermier që ambulanca e sjell pas pune në shtëpi. Ai dhe kolegët e tij janë ushtarët e kësaj lufte të çuditshme që na thuhet se po luftojmë duke qëndruar në shtëpi.arkiva.fjala.al/