Besa Shahini, ministrja e Arsimit ka deklaruar se viti shkollor nuk do të përsëritet. Në një intervistë për ‘Report Tv’ ministrja tha se do të lejohen të përsërisin vitin ata nxënës që nuk kanë përvetësuar mirë njohuritë, por jo një gjeneratë e tërë.
“Ne shpresojmë që do arrijmë të kthehemi në objektet shkollore para fundit të vitit shkollor se do ishte mirë të bënim 1 ose 2 javë para se të mbylljes viti shkollor. Ne po përgatitemi për cilindo skenar, edhe sikur mos të kthehemi në shkollë. Duhet ta mbyllim vitin shkollor, nuk duhet të përsëritim këtë vit shkollor.
Edhe pse kemi prindër që na pyesim, rastet individuale edhe do i lejojmë por jo si gjeneratë e tërë. Testet e maturës do të realizohen. Këto janë qëllimet, duhet të ecim përpara me këtë plan”, tha Shahini.
Shahini theksoi se nëse do të jetë nevoja, viti shkollor do të shtyhet me një muaj. Përsa i përket maturantëve që do duhet të nisin shkollën e lartë, Shahini tha se nëse do të krijohet nevoja, do të shtyhen po me një muaj edhe aplikimet për në universitet.
“Nëse nuk arrijmë t’i hapim shkollat në maj, duhet ta shtyjmë pak vitin shkollor. Maturantët i kanë zgjedhur lëndët që duan t’i bëjnë në maturë dhe kanë përzgjedhur ku duan të regjistrohen në fakultet”, tha ministrja.