Ornela Gelaj, mjekja që iu bashkua kolegëve italianë si pjesë e ekipit me 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë në luftën ndaj Covid-19, ka tërhequr vëmendjen e medias vendase Corriere Della Sera.
Jo vetëm si vajza e një mjeku nga Durrësi, i cili u konfirmua me Covid-19 dhe fatmirësisht u shërua, por edhe si një profesioniste.
“Kur nga Tirana vendosi të nisej drejt Italisë, i ati i saj ishte në karantinë. Përmes një telefonate me video u njoftoi prindërve se brenda dy ditëve do të nisej drejt një prej vendeve më të prekura në botë nga koronavirusi”-kështu nis artikulli i Corriere Della Sera.
“Ornela Gelaj, 28 vjeç, mjeke në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, nuk e mendoi dy herë kur u fol mes kolegëve për nevojën për vullnetarë në vendin fqinj”-vijohet më tej.
“Më 29 mars, së bashku me 29 mjekë dhe infermierë, ajo zbarkoi në Fiumicino për të ofruar ndihmë në “vendin më të bukur në botë”, siç e quan ajo”-shkruan media italiane.

“Miqtë, kolegët dhe prindërit e dinin se ishte zgjedhja e duhur për mua, dashuria ime për Italinë dhe kulturën e saj ka qenë gjithmonë e madhe, të gjithë ne që kemi ardhur këtu kemi një lidhje të veçantë emocionale me këtë tokë“-citohet Ornela.
Ajo është vajzë e vetme. I ati është specialist i sëmundjes infektive, ndërsa e ëma pediatre në spitalin e Durrësit.
“Unë e komunikova zgjedhjen time dy ditë para nisjes. Nuk ishte e lehtë, por pastaj u kujtova atyre se kush isha, çfarë misioni jetësor kisha zgjedhur, sa e dua Italinë dhe ata e kuptuan. “Përpiquni t’i vini në ndihmë Italisë. Për ne, nëse mundeni, kthehuni shëndoshë e mirë”, më thanë ata para se të nisesha”-citohet sërish Ornela.
“Ne e dimë se nuk mund të bëjmë shumë, jemi të paktë dhe aftësitë e mjekëve italianë janë të jashtëzakonshme, nuk është qëllimi ynë të paraqesim veten si ekspertë, por gjithashtu e dimë se edhe dy duar të tjera në një kohë krize si kjo mund të jenë ndihmë e madhe.”
Ditët e fundit Breshia ka arritur të përballojë me sukses rastet e reja me koronavirus. Këtë e pohon edhe mjekja Gelaj.
“Këtu gjërat duket se po shkojnë mirë, por është e rëndësishme që njerëzit të mos e ulin mbrojtjen nga virusi. Ajo çka i mban të gjithë bashkë në këtë luftë është lidhja me jetën. Unë e shoh atë çdo ditë kur flas me ndonjë pacient. Ata duan të shërohen shpejt, të hanë përsëri ëmbëlsirën e preferuar me familjen, për të buzëqeshur si gjithmonë, edhe në momentet më të errëta”-shprehet Ornela.
Risjellim në vëmendje se këtë të martë u raportuan në mbarë Italinë mbi 2900 të infektuar të rinj, një total prej më shumë se 162 mijë personash.
Sa i përket vdekjeve shifrat janë në rritje; 602 jetë të humbura në 24 orë dhe mbi 21 mijë viktima.
arkiva.fjala.al/