Marrje e një kredie për shqiptarët asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, nga do që kthen kokën sheh një reklamë me interesa të jashtëzakonshme, madje nga ato që thonë duke filluar nga 1% apo në raste ekstreme ku thonë s'ke asnjë % për të paguar.
Vetëm pak kohë pas publikimit të shkrimit në “arkiva.fjala.al/” mbi mashtrimet financiare në dëm të qytetarëve nga BKT dhe shoqëria NOA, në adresë të redaksisë kanë mbërritur denoncime të shumta të qytetarëve, të cilët ngrenë shqetësimin se në kohë të ndryshme u janë marrë në mënyrë të padrejtë shuma të konsiderueshme nga këto dy institucione financiare.
Një prej këtyre rasteve është edhe çështja e Alma dhe Gjergji Përgjikës, të cilët kanë rënë pre e një supermashtrimi nga fondacioni NOA, i cili supozohet të japi hua me kushte të përballueshme për qytetarët dhe për ata që s’kanë mundësi t’u drejtohen bankave.
Nëse do të hysh sot në faqen e internetit të NOA-s, dhe do të aplikosh për një këst kredie prej 1.200.000 Lekesh për 60 muaj do të paguash një këst prej 22.180 Lekësh, pra në fund të kredisë i bie të shlyesh një shumë prej 1,330,800 Lekësh.
Por ky nuk është rasti i motër e vëlla, Alma dhe Gjergji Përgjika. Atyre u kërkohet në total një shumë prej afro 24 milionë lekësh për të njëjtat kushte, pra 1.200.000 Lekë kredi dhe me 60 këste.
Alma dhe Gjergji Përgjika kanë likujduar brenda afatit shumën prej 1.440.000 lekë të reja, që edhe u takonte sipas kushteve që u ishte thënë nga përfaqësuesit e NOA-s në Korçë.
Por nga 0 apo 4 % që sheh në reklama, familja Përgjika ka marrë kredinë me një interes bankar prej 26%, një shumë që edhe fajdexhinjtë më të egër nuk e japin.
Alma dhe Gjergji Përgjika tregojnë për Gazetën “Fjala” se ata kishin rënë dakord të paguanin në 60 këste shumën prej 24.000 Lekësh, pra në total 1.440.000 lekë.
Të gjendur në kushte të mira financiare, ata kishin rënë dakord që të mos paguanin më 24.000 lekë, por afro 36.000 lekë në muaj për ta shlyer kredinë brenda 3 viteve, duke paguar në total 1.440.000 lekë.
Por disa vite më pas, NOA kërkon t’u marrë banesën, me argumentin se nuk është shlyer e plotë Kredia, duke pretenduar se shuma totale që Alma dhe Gjergji Përgjika duhet të kishin paguar duhet të ishte 2.200.000 lekë.
Është e tmerrshme kur e mendon se për një kredi që shkon sa rroga e tre viteve, të të kthejë në një skllav i një fondacioni siç është NOA, kjo është edhe arsyeja se përse Gazeta “Fjala”, ka vendosur të jetë përkrah qytetarëve, atyre që janë edhe të shtypurit nga marrëveshjet mashtruese.