Opozita ka kërkuar dje nëpërmjet ish-kryeministrit Sali Berisha nisjen e protestave masive deri në dorëheqjen e Ramës dhe krijimit të një qeverie teknike.
Protesta edhe para Parlamentit pas transmetimit të reportazhit investigativ të RAI 3, ku ndër të tjera kishte edhe dëshminë e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, që hodhi akuza ndaj Ramës për “lidhje me mafien dhe pastrimin e parave”. Reagon Rama për Ahmetajn: “Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Pyll pa derra nuk ka”.
Pas protestës së përjavshme para Bashkisë së Tiranës, opozita tashmë po mendon të vijojë protestën edhe para Parlamentit, mundësisht çdo të enjte. Shkak për këtë nismë të re është bërë pjesa e dytë e reportazhit invetigativ të RAI 3, ku hedh dyshime të forta të lidhjes së kupolës politike qeverisëse me afera korruptive, madje edhe mafien italiane dhe më gjerë.
Si pjesë e reportazhit ishte edhe një dëshmi e ish-zëvendëkryeministrit Arben Ahmetaj ku nga Arratia në një bisedë të lirshme I shprehet gazetarit Italian se kur ka qenë në detyrë ka parë që Rama priste në zyrë eksponentë të fuqishëm të krimit të organizuar të përfshirë në pastrimin ndërkombëtar të parave.
Duke shfrytëzuar këtë situatë opozita ka ngritur “stekën e kërkesave” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhjet e ardshme. Këtë e ka lajmëruar ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie prej tre muajsh, nën dyshimin e korrupsionit në aferën e pretenduar të privatizimit të ish-kmpleksit sportiv Partizani, vend ku dhëndri I tij më pas ndërtoi disa palate.
Berisha u ka kërkuar qytetarëve të jenë pjesë e protestës që do të mbahen të enjten para Kuvendit. Në një videomesazh, ai u shpreh se ajo që qytetarët dinë në lidhje me aferat, është vetëm maja e ajsbergut. Berisha bëri me dije se në protestën e së enjtes do të kërkohet dorëheqja e kreut të qeverisë Edi Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
“Nëse do njiheshit me dosjet e Metamorfozës, e 7 familjeve mafioze që u larguan nga Shqipëria pa u hyra ferra në këmbë, nëse do njiheshit me përmasat e dosjes “MCGonigal”, do kuptonit se ajo që keni dëgjuar vetëm një kapitull nga ajo që kërcënon qenien, pasuritë, jetën, fëmijët tuaj. Ndaj ju bëj thirrje, ditën e enjte në orën 10:00 të grumbullohemi para Parlamentit për të kërkuar dorëheqjen e Ramës, kalimin në një qeveri teknike dhe në zgjedhje të ndershme.
Lini çdo gjë dhe jini para Parlamentit”, tha Berisha. Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me investigimin e televizionit italian RAI3, duke kërkuar “llogari në Parlament” nga kreu i qeverisë.
Bardhi shprehet se dokumentari i RAI3 tregon se Shqipëria është kthyer në narko-shtet nën qeverisjen e Ramës. Gazment Bardhi shprehet se PD do të kërkojë debat parlamentar me kryeministrin, duke shtuar se pas këtij investigimi, Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të hetohet në rolin e tij për fuqizimin e krimit të organizuar. Ndonëse Bardhi nuk ka artikuluar kërkesën për dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike, sërish po diskutohet në grup mundësia e nisjes së protestave para Parlamentit.
Në këtë mënyrë opozita do jetë e shpërndarë pasi çdo të martë ka protest para Bashkisë Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas skandalit të dosjes “5D” dhe arrestimit të pesë drejtorëve të rëndësishëm në këtë bashki nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Pavarësisht nismës, opozita gjithsesi e ka pasur të vështirë të mbushë sheshet me protestues dhe mbetet për tu parë shperndarja në një tjetër protestë para Parlamentit.