Gazmend Bardhi kërkoi nëpërmjet një dokumenti zyrtar ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare futjen e deputetëve që përkrahin Sali Berishën duke “zhveshur” deputetët e Bashës dhe vet Bashën nga disa funksione. Sherr mes mazhorancës dhe opozitës. Përjashtohet deputeti Noka për shkak të fjalorit të përdorur.
Dje seanca plenare u shoqërua me tensioneve mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës. Pasi kaluan gati tre muaj në paqe me Kuvendin e Shqipërisë, opozita u ngrit sërish në protestë para foltores. Shkak u bë futja e deputetit Sali Berisha në grupin e parlamentar të Partisë Demokratike, edhe pse Berisha që prej dhjetorit qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpi”. Sherri mes tyre erdhi pasi kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli, teksa lexonte ndryshimet në disa komisione nuk lexoi kërkesën e Gazmend Bardhit që njoftonte për të anëtarët e grupit demokrat. Kjo ka irrituar Bardhin dhe përkrahësit e Berishës, ndërsa Nikolli tha se ka një vendim përjashtimi. “Ka një vendim partie për përjashtimin e Berishës. Nuk mund të zhbëhet një vendim partie me vendim grupi”, tha Nikolla.
“Zhvesh” Bashën, “vesh” Berishën
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar Kuvendin me anë të një shkrese, lidhur me ndryshimet në Kryesinë e grupit apo për përbërjet e anëtarëve të komisioneve. Demokratët kishin hequr nga komisionet parlamentare deputetët e Lulzim Bashës. Gazment Bardhi si kreu i grupit parlamentar, në emër të grupit ka hequr nga Këshilli i Legjislacionit deputetin Enkelejd Alibeajt dhe kërkon ta zëvendësojë me Dhurata Çupin. Edhe Lulzim Basha është hequr nga Asambleja Parlamentare për Bashkëpunimin e Europës Perëndimore dhe në vend të tij është emëruar Oerd Bylykbashi. Nga ana tjetër, nënkryetarët e grupit të PD-së, do të jenë Ervin Salianji dhe Albana Vokshi, ndërsa zëdhënëse dhe sekretare, Ina Zhupa. Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Ina Zhupa, Zhani Gjergji, Saimir Korreshi dhe Sorina Koti do të jenë anëtarë të Komitetit për Stabilizim Asociimin.
Debatet
Flamur Noka i veshur në Kuvend me bluzën ‘lironi Berishën’ iu drejtua kryeparlamentares Nikolla, e cila në mungesë të kryeministrit Rama u bë shënjestra kryesore e akuzave. “Ti je përfaqësuese e narkoshtetit”, i tha Noka Nikollës. “Ulu në vend Noka se fare nuk më trysnon duke ardhur këtu. Të të vijë turp për fjalët që përdor dhe të tërheq vërejtje. Uluni në vend Ti je përfaqësues i një non grate”, tha si kundërpërgjigje Nikolla. Bllokimi i foltores detyroi ndërprerjen e parë, ndërsa seanca rinisi po aty, me Flamur Nokën, kur bëhet fjalë për të mbrojtur Berishën ka zell të shtuar. “Zonja përfaqësuese e narkoshtetit. jeni një sejmene në hije e narkoshtetit. Sali Berishën askush se ndalon dot të jetë deputet i PD”, th Noka, ndërsa kryetarja e Kuvednit i tërhoqi vëmendje për të moderuar fjalorin e përdorur. Insistimi me gjuhën e përdorur dhe bllokimi i foltores solli përjashtimin e Nokës. “Noka jeni i përjashtuar nga seanca për gjuhën që përdorni.Lini sallën. Kërcënon kryetaren e kuvendit? Turp të kesh, je dhe burrë malësor ti, të të vij zor nga vetj”, tha Nikolla. Nga mazhoranca ministrja e Shtetit për Parlamentin tha se është pikërisht kjo opozitë që ka frymëzuar baltën për Shqipërinë nga matanë Adriatikut. “Ishte shumë e parashikuar kjo që bëtë. Bëtë gënjeshtra që tek BILD që u zgjatën deri tek RAI. Më mirë dilni jashtë të gjithë se shtoni numrin e protestuesve se këtu jeni shumë pak. Jua them me dashamirësinë e një njeriu që kërkon të vijojë seancën normalisht. Si të doni, por nuk vjen dot ai që vrau në Elbasan Gaz nuk vjen se është duke u hetuar”, u shpreh Spiropali. Nga bllokimi i foltores seanca u ndërpre edhe dy herë të tjera, ndërsa përveç Berishës opozita insistoi edhe për mocion me debat për episodin e RAI, kërkesë që u rrezua nga mazhoranca. “Edhe nga ky krahu ka njerëz të ndershëm që e duan Shqipërinë. Në shkodër vendosnin bajrat, në Durrës vendosin bandat, në Elbasan kush vendos? Nuk i dini ju këto?! Është koha të ndahemi nga bandat”, tha Bardhi. Noka si “shërrxhiu” i demokratëve nuk hoqi dorë nga “vepra” e fundit para se ta braktisë për disa ditë Kuveendin e Shqipërisë për shkak të përjashtimit. Në fund ai i ka penguar fjalën Nasip Naço, duke i tërhqur mikrofonin. “Ju vjen keq pastaj kur jua ngarkojnë dëmtimet që bëni, sapo e dëmtuat mikrononin”, tha Nikolla. Pas këtyre skenave dhe largimit të Nokës drejt protestës jashtë parlamentit, fjalën në foltore e morën disa deputetë opozitarë, gjë që ktheu qetësinë në sallë dhe i dha fund bllokimit. Në seancë nuk ishin të pranishëm asnjë prej deputetëve të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës.
Manja merr në mbrojtje Nikollën: Sju vjen turp, e quani ‘përfaqësuese e Sinaloas’
Ministri Ulsi Manja ka marrë në mbrojtje kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolli pas debatit të bërë mes saj dhe Edmond Spahon dhe deputetëve të djathtë. Ai tha se nuk pajtohet me të kur thotë se vendi jonë është narkoshtet. Manja u ndal edhe te etiketimet që deputetët e opozitës i bënë sot kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. “A jeni mo burra? Se është turp, një zonjë grua 60 vjeç, një tufë burrash këtu i thoshin ti je përfaqësuese e grupit Sinaloa. Keni qenë para nesh në këto karrige mo? Ore ju e keni çuar në tragjedi kombëtare në ’97 dhe një ndjesë publike nuk e keni kërkuar. Ore ju ka bërë dëm vaksina? Bëtë nga dy apo tre? Mondi t’i mund të vish të më shash sa të duash, merri mbarë të gjitha, se njeriu varet si ndihet në fund të ditës, por ndahemi që jetojmë në një narkoshtet”, tha ai. Ndërsa Spaho si kundërpërgjigje i tha se “Kryeministri bën mbledhje me narko-trafikantët. I qenka thyer lapsit Bild-it, RAI3… Ti aq e ke o Ulsi. Mua më vjen turp që përfaqësohem nga ty. Ti je ai që je kapur me zë për vjedhje votash, duke folur…”.