Nga Dhërmiu, atje ku ka nisur pushimet verore, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shqiptarët e Kosovës nuk e kanë braktisur Shqipërinë në këtë sezon turistik.
Sipas tij nga pika kufitare Morinës kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë, krahasur me një vit më parë.
Ai theksoi se ata që nuk i gëzohen suksesit janë si ato hudhra në dyer e shtëpive për të mbajtur larg syrin e keq.
“Nga Morina gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë. Ndërsa në korrik 3 mijë më shumë se korrikun e shkuar. Edhe ajo teoria keqdashëse e hapur këtë sezon për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhuka. Nga ana tjetër janë shifrat e të ardhura nga doganat dhe tatimet që edhe ato janë me rritje krahasur me vjet. Ka një rritje të konsiderueshme të konsumatorëve. E habitshme sesa shumë e ka të pamundur një pjesë e jona t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë, kjo dihet. Shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet. Disa i kemi si ato hudhra në dyer e shtëpive për të mbajtur larg syrin e keq”, u shpreh Rama./ S,M