Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.
Kupina tha se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.
Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.
“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” tha Kupina.
Sipas tij, përkundër rregullave, pala maqedonase mori çantën personale të presidentes, ndonëse ekipi i saj lejoj për të kaluar në sallën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka reaguar duke u shfajësuar lidhur me skandalin në Aeroportin e Shkupit, ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Pjesëtarë të sigurisë së aeroportit kanë shtyrë presidenten Osmani si dhe kanë tentuar t’i marrin telefonin personal.
Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të RMV thuhet një tjetër version. Autoritetet maqedonase dukshëm kanë tentuar ta kalojnë përgjegjësinë te ekipi shoqërues i presidentes së Kosovës, duke theksuar: “Sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Vjosa Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur iu kërkua që të kalonte celularin në skaner, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”. S.B