Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor në Himarë dhe përjashtimin nga votimi të personave që iu ka skaduar karta e identitetit.
Meta shkruan në Facebook, se përjashtimi i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit për shkak të skadimit të kartës së ID, është krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës.
Ai u shpreh se dënon me forcë aktet që sipas tij shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira në Himarë. Gjithashtu u bëri thirrje të gjithë himariotëve të shkojnë të hedhin votën në dy orët e mbetura.
POSTIMI I METËS:
Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumentave të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve.
Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale.
Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himariotëve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre./ S.M