Historia e sistemit bankar në Shqipëri
Lindja e Bankave të para moderne në Shqipëri
Kreshnik KUÇAJ
NGA “ZIRAAT BANKASI” E “SOCIETA COMMERCIALE D’ORIENTE” TE “BANKAT USHTARAKE” TË VITEVE 1916-1918
Për herë të parë, Shqipëria pati një bankë të sajën në vitin 1913, pas shpalljes së Pavarësisë, edhe pse me një veprimtari të kufizuar dhe e pamundur të realizojë misionin për të cilin ishte krijuar.
Megjithatë, prania e institucioneve financiare moderne daton shumë më herët, që në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe e ndarë në katër njësi administrative.
Instituti i parë financiar modern për veprimet monetare në Perandorinë Osmane u krijua në vitin 1863. Deri në atë kohë, Perandoria kishte refuzuar që të modernizonte financat, por situata e borxhit të thelluar ndaj shteteve europiane e ktheu në domosdoshmëri nevojën për modernizimin e financave. Në këtë mënyrë u krijua edhe Banka Perandorake Osmane apo “Banque Imperiale Ottomane”, me kapital të përbashkët francez dhe anglez dhe që kishte në qendër të funksionit të saj emetimin e kartëmonedhave dhe kreditimin. Kjo bankë krijoi degë edhe në trojet shqiptare; në qendrat e katër vilajeteve: në Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë.
“ZIRAAT BANKASI” APO BANKA AGRARE
Një bankë tjetër, edhe më e rëndësishme se Banka Perandorake, ishte Banka Agrare apo “Ziraat Bankasi”, që u krijua paralelisht me të. Roli i kësaj banke ishte më i rëndësishëm, për shkak të modelit ekonomik që vetë Perandoria dhe Shqipëria, si pjesë e saj, kishte në ato vite.
Perandoria Osmane ishte një perandori agrare, ku modeli ekonomik ishte i bazuar te bujqësia e blegtoria, ku shkëmbimet ende bëheshin me mallra e ku taksat paguheshin po me mallra. Në këtë kontekst ekonomik, roli i një banke agrare mori një rol më të madh edhe në Shqipëri.
Rrjeti i kësaj banke ishte më i madh sesa i Bankës Perandorake dhe shtrihej në çdo qendër sanxhaku (prefekture), me degë dhe me arka në çdo qendër nënprefekture. Kjo bankë pati degë në Janinë, Leskovik, Filat e Margëlliç, si dhe në Gjirokastër, Berat, Vlorë, Delvinë, Përmet e Tepelenë. Mënyra se si funksionoi kjo bankë në këtë periudhë, solli probleme edhe për Shqipërinë e Pavarur të vitit 1912. Kushti kryesor për dhënien e kredisë ishte lënia peng e tokës bujqësore dhe, për shkak të mënyrës se si ishte ndarë pronësia në Shqipëri, jo të gjithë kishin tokë në pronësi. Për rrjedhojë, nuk mund ta plotësonin këtë kriter për të marrë kredi.
Historiani Kristo Frashëri, në botimin e tij “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve”, citon Vjetarin e Vilajetit të Janinës, sipas të cilit në vitin 1903, shumën më të madhe të kredive e kishin dhënë dega e Bankës në Berat, e ndjekur nga dega në Gjirokastër, Vlorë, Përmet, Tepelenë e, në fund, Delvinë. “Me gjithë ngritjen e dy bankave shtetërore turke, dhënia e kredive si dhe më parë nga tregtarët fajdexhinj privatë, nuk u ndërpre. Përkundrazi, erdhi vazhdimisht duke u rritur. Duke u rritur vazhdimisht erdhi edhe pamundësia e tyre për të shlyer kreditë në afatet e caktuara. Si rrjedhim, jo pak fajdexhinj, të cilët zakonisht ishin tregtarë, nxirrnin me lehtësi nga gjykatat vendimin për konfiskimin e tokave ose të kafshëve të tyre të punës. Kështu, krahas bejlerëve çifligarë, në fund të sundimit osman u krijua edhe shtresa e tregtarëve çifligarë.” – shkruan Frashëri në studimin e tij.
BANKA “TOZZI & COMPANY” APO “SOCIETA COMMERCIALE D’ORIENTE”
Banka “Societa Commerciale D’oriente” mund të konsiderohet si banka e parë europiane që erdhi në Shqipëri. Ngritja e kësaj banke erdhi në një kohë, kur Italia kishte nisur të fitonte betejën për tregun e Ballkanit me Austro-Hungarinë. Ky institucion financiar u krijua në vitin 1907, nën emrin “Societa Commerciale D’Oriente” (Shoqëria Tregtare e Orientit), me misionin që të promovojë nismat industriale e bankare në Lindjen e Afërme. Studiuesit Lorenzo Iaselli në studimin e tij “Finanza, industrie e infrastrutture: la ferrovia transbalcanica e le sue ricadute per l’espansione economica italiana nei Balcani (1900-1920)” evidenton se shoqëria e zgjeroi shpejt rrezen e veprimit në Shqipëri përmes hapjes së filialeve në Shkodër, Durrës e Vlorë, si dhe në Malin e Zi, në Tivar e Podgoricë.
BANKA KOMBËTARE E SHQIPËRISË NË VITIN 1913
Pasi Shqipëria shpalli Pavarësinë në vitin 1912, në vend u ndërpre veprimtaria e dy bankave osmane (Bankës Perandorake Osmane dhe Bankës Agrare), ndërsa likuidimi i tyre u mor përsipër nga drejtoritë e financave, që u krijuan nga shteti i ri shqiptar. Menjëherë u ndërmor hapi i ngritjes së bankës së parë shqiptare, që u cilësua edhe si akti i dytë më i rëndësishëm i Pavarësisë, pas atij të ngritjes së flamurit. Akti i koncesionit u nënshkrua në tetorin e vitit 1913 nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e bankave italiane dhe austriake.
Firmëtarët ishin Baroni Karol Piter dhe Oskar Pollak, në emër të “Ëienner Bank Verein” dhe Pietro Fenoglio e Guido Ansbacher, në emër të “Banca Commerciale Italiana”. Vendimi përcaktonte se Banka Kombëtare e Shqipërisë do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, veprimtaria e bankës u kufizua vetëm në një transaksion bankar, duke mos mundur të realizonte misionin e emetimit të kartëmonedhës apo të kreditimit të ekonomisë.
BANKAT USHTARAKE: TRI BANKAT AUSTRIAKE DHE HUNGAREZE NË SHKODËR, BANKA ITALIANE NË VLORË
Në vitin 1916, me ardhjen e ushtrisë austro-hungareze, në zonën e veriut të vendit që administrohej nga kjo perandori u krijuan degët e tri bankave më të rëndësishme. Në Shkodër u hapën filialet bankare të “Vienner Bank Verein”, “Pester Bank” dhe “Ungarische Bank”.
Këto banka nuk emetuan monedha e kartëmonedha, por shërbyen si zyra për kryerjen e veprimeve financiare në funksion të ushtrisë dhe të luftës. Një ndër aktivitetet më të mëdha ishte shitja dhe garantimi i huave të luftës që emetonte Perandoria Austro-Hungareze.
Nga ana tjetër, po për qëllime ushtarake, në Vlorë u hap një filial i “Banca Commerciale Italiana”, me qendër në Milano, që gjithashtu kreu veprime të thjeshta financiare në funksion të ushtrisë.
BASHKITË DHE ODA TREGTARE E BERATIT NË FUNKSIONIN E BANKAVE
Ndryshe nga sa kishte ndodhur me ushtritë austro-hungareze dhe italiane, që kishin sjellë në vend filiale të bankave të tyre, ushtria franceze që administronte kryesisht zonën e Korçës, zbatoi vendimin e Administratës së Krahinës Autonome të Korçës. Krahina Autonome e Korçës u krijua më 10 dhjetor të vitit 1916. Administrata shqiptare e Korçës ushtroi edhe funksionet e një banke, duke emetuar në janarin e vitit 1917 kartëmonedhat e saj shqiptare. Këto kartëmonedha jo vetëm plotësonin nevojat që kishte ekonomia lokale për shkëmbime, por edhe i jepte zgjidhje problemit të zhvlerësimit të dhrahmive greke.
Kartëmonedhat u shtypën nga Drejtoria e Financave të Korçës dhe u quajtën frang, njësoj si monedha zyrtare e Francës. Mbulimi i këtyre kartëmonedhave, ndryshe nga sa ndodhte në atë kohë, u bë nga të ardhurat e taksave dhe jo nga rezervat e arit. Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, në mungesë të një banke e në kushtet e një “babilonie” monedhash të huaja që qarkullonin në vend, qeveria shqiptare ndërmori masat e para për rregullimin e situatës monetare të vendit. Në vitin 1920, për herë të parë do të vendosej nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar. Në këtë periudhë, ekonomia shqiptare përballej me një sërë problematikash dhe një nga shkaqet ishte edhe mungesa e monedhës divizionare, pra e monedhave me vlerë të ulët, që mund të përdoreshin për shkëmbime të ndryshme.
Nevoja për të pasur monedha divizionare në vitet 1920 dhe 1921 i detyroi disa bashki, që të vinin në qarkullim, nën garancinë e tyre, disa lloje monedhash me vlera të ulëta, për të përballuar shkëmbimin lokal me përdorim vetëm brenda territorit të juridiksionit të tyre.Kjo masë do të zyrtarizohej në vitin 1923, kur qeveria, me anë të ligjit të datës 16 janar, do të autorizonte bashkitë që të vinin në qarkullim kartëmonedhën krahinore, deri në një shumë prej 80 mijë frangash ari secila.
Në bazë të këtij ligji, disa prej bashkive, si ajo e Shkodrës apo ajo e Korçës, kanë pasur të shtypur dhe kanë vënë në qarkullim kartëmonedha prej 0,25 franga ari, 0,50 franga ari, 1 e 2 franga ari, të cilat, në vitin 1924, do të hiqeshin nga qarkullimi. Në Berat ky rol u mor nga Dhoma Tregtare e Beratit.
Çështja bankare e Shqipërisë u zgjidh në vitin 1925, kur u nënshkrua koncesioni për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipnis’, që i hapi rrugë emetimit të monedhës zyrtare shqiptare.
PROJEKTET BANKARE QË NUK U REALIZUAN KURRË
Deri në vitin 1926, Shqipëria nuk kishte monedhë kombëtare. Si rrjedhojë, ajo përdorte ligjërisht monedha të huaja, që krijonin jo pak probleme në shkëmbimet ekonomike të vendit apo te llogaritë publike, për shkak edhe të mungesës së kursit të këmbimit.
Ndaj, në fillim të viteve 1920, kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga lufta, ka pasur diskutime të shumta për ngritjen e Bankës Kombëtare, për emetimin e monedhës kombëtare.
Më 15 mars të vitit 1925, qeveria shqiptare dhe grupi italian nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe për huan e krijimit të SVEA-s, Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë.
Sipas marrëveshjes, banka u krijua si shoqëri aksionare me kapital shoqëror 12,5 milionë franga ari me kohëzgjatje 50 vjet. Kapitali do të ndahej në 595 mijë aksione, prej së cilave 495 mijë ishin aksione të zakonshme me vleftë 25 franga ari secili dhe 100 mijë aksione themelore me vlerë 1,25 franga ari secili. Shtetasit shqiptarë kishin të drejtë të nënshkruanin deri në 49% të kapitalit aksionar, ndërsa 51% do të nënshkruhej nga grupet e huaja kapitaliste. Por, para se të miratohej ky projekt, në fillimin e viteve 1920 kanë qarkulluar disa variante e projekte të ndryshme.
PROJEKTI “CALME”
Projekt “Calme” për themelimin e Bankës Kombëtare i referohet projektit të profesor Albert Calmes nga Luksemburgu, që u dërgua nga Lidhja e Kombeve për të studiuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore. Në shtator të vitit 1922 ai i parashtroi Komitetit Financiar të Lidhjes së Kombeve raportin e studimit të tij në Shqipëri, me titullin “Gjendja ekonomike dhe financiare e Shqipërisë”. Ky raport përmbante edhe propozimin për të themeluar bankën e emisionit në Shqipëri nën drejtimin e kapitalit të huaj, me seksione të bankës tregtare dhe të arkës së kursimeve. Sipas këtij propozimi, banka do të ndërtohej si institut me privilegjet e emetimit të monedhës e të kreditit, me një kapital prej 10-15 milionë franga ari. Gjysma e aksioneve do të nënshkruhej nga të huajt, të cilët do t’u përkisnin shteteve që nuk kishin synime politike në Shqipëri, ose shumë shteteve, por me një raport që të neutralizonin influencat e njëra-tjetrës.
PROJEKTI “HUNGER”
Projekti “Hunger” për themelimin e Bankës Kombëtare është projekti i paraqitur në gusht të vitit 1923 nga holandezi Jan Hunger, që në atë kohë ishte këshilltar financiar pranë qeverisë shqiptare. Sipas këtij projekti, banka do të jepej me koncesion për 15 vjet dhe do të kishte një kapital prej 15 milionë frangash.
Ajo do të ishte një bankë me karakter të përgjithshëm: bankë emisioni e krediti, bankë investimesh, arkë e përgjithshme e shtetit etj. Kapitali i saj do të ishte ndërkombëtar, me një pjesëmarrje të vogël të kapitalit vendas (rreth 1 milion franga ari). “Kur u shqyrtua në organizmat e Lidhjes së Kombeve, për projektin u shfaqën disa rezerva. Në radhë të parë, u kundërshtua mendimi që banka të themelohej me kapital 15 milionë franga ari, nën arsyetimin se Shqipëria ishte vend me popullsi të vogël dhe me veprimtari tregtare të parëndësishme” – shkruan në studimin e tij “Ndërhyrja e kapitalit të huaj në Shqipëri, 1921-1925”, Veniamin Toçi.
PROJEKTI I KOMISIONIT EKONOMIK DHE FINANCIAR TË LIDHJES SË KOMBEVE
Projekti i Komisionit Ekonomik e Financiar i Komitetit Financiar të Lidhjes së Kombeve emërtohej “Projekti i Statutit të Bankës së Shqipërisë”. Ky projekt, i paraqitur më 21 gusht 1923, e ndërtonte bankën sipas modelit të bankës së Marokut, e themeluar në vitin 1906.
Banka do të kishte kapital 5 milionë franga ari, e cila do t’u përkiste 6 shteteve. Ajo do të ishte një shoqëri anonime, me privilegjin ekskluziv të emetimit të monedhës e të kreditit.
Sipas këtij projekti, banka jepej me koncesion për 25 vjet. Më 4 shtator 1923 doli një projekt i ri i Komitetit Financiar të Lidhjes së Kombeve, i hartuar mbi bazën e Nënkomitetit Financiar, dhe përmbante thuajse të njëjtat kushte kryesore. “Të dy këto projekte mbanin mantelin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Këto ishin projektet e lëshuara në hijen e Lidhjes së Kombeve.” – shkruan Toçi. Por nuk kanë munguar as projektet e tjera nga grupe të ndryshme biznesi vendase e të huaja. Në listën e “ofertave”, Toçi rendit tri më kryesoret, që kanë pasur edhe më shumë jehonë e reagime.
BANKA SHQIPTARO-BRITANIKE – PROJEKTI I MEHMET KONICËS DHE MARK KAKARRIQIT
Në vitet 1930, në Shqipëri kishte përpjekje edhe nga britanikët për të hapur një bankë. Nismëtar ishte Mehmet Konica, ish-ministër i Shqipërisë në Uashington, së bashku me një sipërmarrës të njohur dhe aktivist të çështjes kombëtar, Mark Kakarriqi. Një nga iniciativat më të rëndësishme ishte ajo për ngritjen e një fabrike birre në Shkodër, para se të jepej koncesioni për birrën “Korça”. Për këtë fabrikë ai ndërtoi një godinë madhështore dhe tentoi deri aty, sa listoi kompaninë e tij në Bursën e Londrës. I gjithë ky investim shkon dëm, për faktin sepse për Shqipërinë ndryshuan edhe interesat e Britanisë, ashtu sikurse edhe projekti për bankën shqiptaro-britanike.
Projekti Konica-Kakarriqi parashikonte krijimin e një banke anglo-shqiptare me emrin “Anglo-Albanian Bank Ltd”. Sipas projektit, banka do të kishte një kapital themelor 2 milionë lira stërlina.
Në fillim do të derdheshin 200 000 mijë paundë, të ndarë në aksione me nga një paund secili.
Banka do të kishte karakterin e një banke tregtare, me fokus kreditimin e industrisë, tregtisë dhe bujqësisë. Sipas projektit, 75% e kapitalit do të ishte në pronësi të anglezëve dhe 25% në pronësi të kapitalit shqiptar. Lajmi për bankën shqiptaro-britanike arrin deri në faqet e “New York Times”, ku veç të dhënave për projektin, jepej edhe afati i parashikuar për nisjen e aktivitetit të saj, që ishte viti 1931. Përpjekja nuk rezultoi e suksesshme, pasi projekti nuk u mbështet nga sipërmarrësit vendas, të cilët nuk kontribuuan për plotësimin e kuotave të nevojshme aksionare. Në këtë mënyrë, projekti nuk avancoi më tej, duke mbetur vetëm në letër.
PROJEKTI BELG I “BANQUE DE BRABANT”
Projekti “Banque de Brabant” ishte projekti i një grupi belg, i parashtruar me emrin “Propozime belge për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë” (Propositions belge en vue de la constitution d’une Banque Nationale D’Albanie). Grupi në fjalë ishte formuar nga “Banque de Brabant” dhe nga “Societe Nationale de Banque et de Change”. Sipas këtij projekti, banka do të jepej në koncesion për 30 vjet. Kapitali i saj do të ishte 26 milionë franga ari, prej të cilit shtetasit shqiptarë do të kishin të drejtë të nënshkruanin gjysmën. Edhe kjo do të ishte një bankë emisioni e krediti. “Por, sikurse u pa që në atë kohë, propozimi dhe projekti belg patën karakter aventuresk.” – shkruan Toçi në studimin e tij. Propozime e oferta të tilla ka pasur edhe nga grupe kapitaliste të Francës, SHBA-ve, Zvicrës, Suedisë, Jugosllavisë , Greqisë etj.
INICIATIVA “E DUARTROKITUR” E KORÇARIT DOGANI
Një projekt tjetër që Toçi përmend në studimin e tij, është ai i N. K. Doganit nga Korça. “Ai i paraqiti një kërkesë organizatorit të financave në Tiranë më 28 tetor 1923, me anë të të cilit merrte përsipër formimin dhe organizimin e Bankës Kombëtare “me fonde drejtpërdrejt tonat”. Propozimi në fjalë është bërë në kohën kur në vend qarkullonte projekti “Hunger” për themelimin e bankës e, ndër të tjera, përmbante këto kushte: Banka në fillim, në vitin e parë, do të themelohej me kapital jo më të madh se 1 milion e 200 mijë franga dhe pastaj, gradualisht, duke nisur prej vitit të dytë, do të bëheshin nënshkrime të reja aksionesh dhe kapitali i saj do të shtohej.
Kapitali do të ishte vetëm kombëtar. Vlefta e aksioneve nuk do të ishte më e madhe se 15 franga ari, me qëllim që të mund të nënshkruanin sa më shumë njerëz, por jo më shumë se 5 aksione për çdo nënshkrues.” – shkruan Toçi në studimin e tij. Selia e bankës, sipas këtij projekti, parashikohej të ishte në kryeqytetin e Shqipërisë dhe ajo do të kishte degë në Shkodër e Korçë. Statuti i bankës do të bëhej sipas modelit të Bankës së Francës apo asaj të Rumanisë. Banka do të kishte ekskluzivitetin e emetimit të monedhës kombëtare dhe të kreditimit. Po ashtu, projekti parashikonte se banka do të preferohej nga shteti me tepër se çdo grup tjetër dhe se kapitalistët e huaj në dhënien e koncesioneve të ndryshme ekonomike.
“Me gjithë jehonën pozitive që pati në disa organe të shtypit të asaj kohe, kjo iniciativë, ashtu si iniciativat e tjera, nuk gjetën përkrahje.” – shkruan më tej Toçi.
BANKA SHQIPTARO-SERBE
Ideja për të themeluar një bankë me kapital jugosllav në Shqipëri, që do të shërbente si kanal për përfshirjen ekonomike, ka qarkulluar që në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Banka ishte një aspekt i politikës qeveritare të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në Shqipëri dhe synonte vendosjen e marrëdhënieve sa më të ngushta të mundshme në tregti, kredit dhe transport, sidomos në veri të vendit. Nga ana tjetër, kjo bankë synonte të kundërbalanconte interesat italianë në Shqipëri dhe ndikimin gjithnjë e në rritje të tyre përmes projekteve të mëdha ekonomike.
Pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri nuk kishte asnjë bankë. Ndaj në këto kohë parashikohej ngritja e një banke me qendër në Cetinje të Malit të Zi, që do të emërtohej Banka Shqiptaro-Serbe.
Pas disa vështirësive që kishin me aksionarët e “Yugoslav Mercantile Bank”, banka tregtare jugosllave, e themeluar në Beograd në vitin 1919, në fund të marsit të vitit 1922, dy vëllezërit Lale dhe Nikolla Zuber vendosën të ndërmarrin iniciativën e krijimit të një kompanie të re me qendër në Cetinje të Malit të Zi, me emrin e ndryshuar Banka Shqiptaro-Serbe. Mes arsyeve të ndryshimit të emrit të bankës ishte edhe dëshira për të lidhur marrëdhënie më të ngushta me vendin fqinj, Shqipërinë.
Banka u ngrit menjëherë, pasi u vendosën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në marsin e vitit 1922. Asambleja themeluese u mblodh në prillin e atij viti dhe në të njëjtin vit, më 20 qershor 1922, banka u regjistrua në gjykatë në Cetinje. Ajo nisi operacionet në shtator. Kapitali fillestar i saj ishte 10 milionë dinarë, që ndahej në 10 mijë aksione me 75% të kapitalit të pagueshëm menjëherë. Pjesa më e madhe e aksioneve ishte në duart e familjes Zuber të Cetinjes.
Një prej synimeve kryesore të bankës ishte hapja e një dege në Shkodër, me qëllim rritjen e marrëdhënieve tregtare, që ishin zbehur në vitet e para të pasluftës. Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene plotësoi nevojat e bankës dhe i dha statusin e Agjencisë së privilegjuar mbretërore me seli në Shkodër dhe Durrës.
Gjithsesi, mes fundit të vitit 1922 dhe fundit të vitit 1924, banka nuk operoi në Shqipëri. Ajo nuk çeli degë në Shkodër dhe as nuk e nisi aktivitetin e saj në Shqipëri, pasi duhej të merrte licencat përkatëse nga autoritetet shqiptare. Operacionet e saj, banka i kryente përmes një shqiptari, që kishte zyrë këmbimi valutor në Shkodër dhe që funksiononte si përfaqësues i bankës. Çështja e bankës u komplikua më tej me shpërthimin e revolucionit të qershorit në vitin 1924, që solli në pushtet Fan Nolin. Gjatë qeverisjes së Nolit, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u prishën dhe u rivendosën vetëm pas rikthimit në pushtet të Ahmet Zogut.
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve u bë në vitin 1925 e kjo solli edhe rikthimin e çështjes së Bankës Shqiptaro-Serbe. Kjo e fundit do të shtrohej për diskutim së bashku me çështjet e negociatave për caktimin e kufijve. Pasi kishin kaluar tre vjet nga themelimi i bankës, u dhanë edhe licencat e nevojshme për të filluar aktivitetin e bankës edhe në Shqipëri. Edhe pse hapi një degë në Shkodër, banka nuk pati shumë aktivitet. Shkak u bë, se në të njëjtën periudhë u hap Banka Kombëtare e Shqipërisë, që në fakt zbehu jo vetëm projektet e kësaj banke, por, gjithashtu, edhe i ndryshoi asaj rolin që mund të kishte në ekonomi si banka e vetme. Banka mbeti një degë e vogël, që kryente veprime me tregtarë të njohur, kryesisht në veri të vendit. Në aktivitetin e saj, banka nuk arriti të kryejë misionin e saj dhe dega e Shkodrës ankohej në zyrat qendrore në Mal të Zi, se nuk kishte mjaftueshëm aktivitet sa për të zhvilluar biznes në Shkodër. Në këtë mënyrë, po bëhej e dukshme se Banka Shqiptaro-Serbe kishte humbur garën me Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Qëllimi i saj për t’u bërë banka e vetme në Shqipëri kishte dështuar dhe paratë që kishte në dispozicion nuk plotësonin nevojat për të zhvilluar biznes.
Me themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1925, interesi jugosllav për sistemin bankar u pasqyrua përmes Bashkimit të Kreditit të Beogradit, që u bë pjesë e 10 përqindëshit të aksioneve të BKSH-së që zotëronte kapitali jugosllav në përqindjen e përgjithshme të aksioneve themeluese të saj. Themeluesi i Bankës Shqiptaro-Serbe, Lale Zuber, u caktua përfaqësues i pjesës jugosllave në bordin menaxhues të bankës. Banka Shqiptaro-serbe mbijetoi në Shqipëri, por u përball me të njëjtat probleme në vitet pasuese. Me kalimin e kohës, interesat e bankës u përqendruan në mbajtjen e aktiviteteve ekonomike të liqenit të Shkodrës, ku bëhej tregti, dhe në arritjen e sigurimit të koncesioneve për bakër në minierën e Pukës. Vetë banka arriti të themelojë një kompani lundrimi, të emërtuar “Jadranska Skadarska Plovidba”, e thënë ndryshe Lundrimi Adriatik-Shkodër. Gjithsesi, kjo linjë zgjati pak, për shkak të parregullsisë në operim.
Po ashtu, edhe koncesioni i marrë për bakrin e Pukës do të përballej me probleme që lidheshin me vendimmarrjen e politikës për të akorduar koncesione të tilla ndaj kompanive italiane. Kjo do të sillte edhe më shumë probleme për bankën. Në këtë mënyrë, thuajse të gjitha operacionet e bankës po dështonin. Ndaj banka vendosi që, në marsin e vitit 1927, të mbyllte filialin e saj në Shkodër.
Nga dështimi i operacioneve të saj, banka kishte humbur më shumë se 5,6 milionë dinarë. Vendimi për të mbyllur degën e Bankës Shqiptaro-Serbe në Shkodër u ndikua shumë nga lajmi, se Banka Kombëtare e Shqipërisë kishte planifikuar të hapte degën e saj në qytetin e Shkodrës, por edhe nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.