Kuvendi
PD kërkon heqjen e mandatit të deputetit socialist Sina
Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë t’i heq mandatin socialistit Vullnet Sinajt. Sipas tyre, Sina ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit për kompanitë e tij.
Pas kërkesës për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Partia Demokratike ka këkruar edhe heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sina me argumentin se po përfiton të ardhura nga buxheti i shtetit përmes kompanive të tij private. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sqaron se kërkesa do t’i dërgohet Kuvendit pasi është arritur të provohet nga investigimet e tyre se deputeti Sina ka përfituar miliona lekë duke shfrytëzuar bizneset e tij, ndërkohë që ushtron edhe detyrën e ligjvënësit. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit. Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qenka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekëshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”, thuhet në deklaratën e bërë nga Partia Demokratike. Sina është zgjedhur deputete në Vlorë në zonën e Lumit të Vlorës. Ky është mandati i dytë që Sina mban në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa vjen nga bota e biznesit. Sina ka një rrjet marketesh si dhe aktivitete të tjera tregëtare.
Sina e mbyll në 2025
Deputeti socialist Vullnet Sinaj nuk do të jetë në garën për deputet në zgjedhjet e 2025. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS-së. Rama u shpreh kritik ndaj deputetëve të cilët nuk kanë bërë asgjë vetëm për interesat e tyre, por tha se ka deputetë të cilët kanë bërë shumë për qeverinë. E një nga këto ishte dhe deputeti Vullnet Sinaj. “Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët kemi arritur shumëçka në këtë mandat të tretë dhe i kemi dhe deputetët që nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendime, e as kur duhet ti japin këmbëve për të takuar zgjedhësit. Vullnet Sina është njëri prej tyre. I ka në rregull punët e veta, do të thuhej në kafene. Por Vullneti i ka pasur në rregull edhe më përpara. Nuk është i vetmi, por se paradisakohësh më tha se dëshiron të mbyllë angazhimin e tij. Kurrë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale, por nuk e ka pasur problem të më shkruaj pas mesnate duke u kthyer i lodhur në një nga zonat më të thella e të vështira ku ka bërë më shumë se qeveria. Shembull të tillë nuk na mungojnë. Mbi shembuj të tillë do të ndërtojmë skuadrën e radhës, ku do të hyjmë jo thjesht për të marrë mandatin e katërt por për të marrë fitoren më shembullore”, tha Rama në Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur më 28 korrik.