Intervista
Flet Agron Duka: Rama qeveris ashpër, edhe Berisha fitoi…
Deputeti dhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka në një intervistë për gazetën “Fjala” thotë se Rama po qeveris me dorë të ashpër që përkthehet edhe në “t’kurrje të demokracisë, jo vetëm në institucione, por demokracia brenda partive”. Krahasimi mes PS-së së Nanos dhe asaj të Ramës parë në sytë e kreut të PAA-së Agron Duka.
Kryetari i Partisë Agreare Ambintaliste Agron Duka, në një intervistë për Gazetën “Fjala” ka komentuar situatën politike në vend si dhe qeverisjen e kryeministrit Edi Rama në këtë mandate të tretë. Duke ju referuar qeverisjes nga kryeministri Rama, Duka thotë se është shumë e lehtë të nënshtrosh një grup njerëzish që kanë mbetur në Shqipëri. “Të nështrosh një grusht njerëzish, sa kanë mbetur këtu, ti nëpërkëmbësh, ti mashtrosh, ti shantazhosh me një mijë e një mënyra, të kontrollosh çdo qelizë të jetës publike, kjo nuk ësnjë një meritë”, thotë Duka.
- Duka, sapo u mbyll një sezon politik, që shënohet me mbylljen e këtij sesioni parlamentar, do të donim dinim një vlerësim të përgjithshëm për këtë “stinë” politike?
Është e vështirë të bëj një përmbledhje të gjithë kësaj stine politike, siç e quajtët ju, por nëse do të duhet të bëj një përshkrim mund të them: Eshtë një situatë e jashtëzakonshme, që një vend dhe një popull kaq i vogël të ketë një politikë kaq agresive. Një shoqëri dhe media e politizuar në ekstrem, kur nga mëngjesi deri në mesnatë flitet vetëm për politikë. Kur shikon tërë këtë luftë politike, për të mbajtuar apo marrë pushtetin në këtë vend me 2 milion banorë, të duket vetja sikur je në një vend superstrategjik të botës, ku ka interesa të mëdha fuqish politike dhe ekonomike. Përse e gjithë kjo? A nuk mund të ishim më të qetë? A nuk mund të ishim 4 vjet në punë dhe 3 muaj në fushatë, por jemi 3 muaj në punë e katër vjet në fushatë? Më vjen keq, por nuk gjej dot përkufizim tjetër për mjedisin tonë politik, i cili ka qenë kështu çdo stinë e çdo vit.
Z.Duka, bëjmë dot një bilanc, kush ka fituar dhe kush ka humbur gjatë kësaj kohe?
Për të humbur ka humbur populli dhe Shqipëria, kjo është e sigurtë. Shqiptarët janë më të paktë në numër dhe më të plakur, sepse gjatë kësaj stine, kanë ikur edhe ca mijëra të tjerë. Pastaj për të fituar, kanë fituar ata që kanë shtuar pasuritë. Se kam fjalën për ata që punojnë e merren me biznes, por për ata që kanë bërë biznes me politikën dhe me pushtetin që kanë në dorë. Ata kanë fituar shumë. Pastaj, sipas mënyrës së vet, po ka fituar edhe Berisha, edhe pse është në arrest shtëpie, ai fitoi apo më saktë rifitoi, Partinë Demokratike, pas 2 vjetësh luftë për vulën nëpër gjyqe, sa në njërën shkallë në tjetrën.
Ju keni një eksperiencë të gjatë në politikë z. Duka, çfarë mendoni se ka ndryshuar në mjedisin politik shqiptar?
Është tkurrur shumë demokracia, jo vetëm në institucione, por demokracia brenda partive. Për të mos thënë që është zhdukur fare. E mbani mend PS-në e Fatos Nanos, anëtarët e kryesisë e bënin për ujë të ftohtë. Nano nuk emëronte as dhe një zv/ministër pa marrë miratimin e kryesisë. Shikojeni sot Edi Ramën. Ministrat që shkarkohen dhe ata që emërohen, e marrin vesh në sallë, kur u thërret emrat ai. Madje edhe ata që shkarkohen duhet të buzëqeshin dhe të duartrokasin, sepse mund ti nxjerrë jashtë fare dhe ata nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër në jetë. Kemi humbur shumë në këtë drejtim. Po i referohem PS-së, sepse është partia në pushtet dhe siç është partia do të jetë edhe pushteti që ajo prodhon. Në parti nuk ka asnjë strukturë dhe asnjë individ tjetër që mund ti thotë një fjalë Ramës. Po ashtu edhe në pushtet. Ai vendos çdo gjë e për çdo gjë. Sa herë ka mbledhje në parti, ai i quan kongrese por s’janë kongrese ato, të gjithë rrigë me gjak të ngrirë se kush do të marrë mandatën kësaj radhe.
Po edhe ju bëni të njëjtën gjë në partinë tuaj apo…?
Edhe unë kam kohë që jam kryetar i PAA-së. Por me thënë të drejtën unë i kam nja 15 kolegë në atë që e quajmë kryesi dhe, kur marrim ndonjë vendim, ne mblidhemi e flasim, diskutojmë si dhe çfarë do të bëjmë e si do e bëjmë. Unë vetë nuk kam siguri të marr një vendim vetëm, kam nevojë për kolegët. Ju siguroj që ka shumë më tepër demokraci në partinë tonë.
- Duka, Edi Ramën e konsideron opozita si autokrat, apo diktator. Cili është mendimi juaj?
Duhen shumë tregues për të vlerësuar një politikan si Rama, që është prej 2 dekadash në pushtet, dhe 12 vjet pa ndërprerje në qeverisje. Nuk do të ndalem tek raportet me drejtësinë, me opozitën, me institucionet kushtetuese, me korrupsionin etj etj, as tek ekonomia, pasi ka edhe punë që duhen vlerësuar, pavarsisht debatiti politik. Por doja të bëja një vlerësim tjetër. Të korruptuar kanë qenë të gjithë kush më pak e kush më shumë, s’kemi pas ndonjëherë një qeveri qelibar ne këtu. Por Rama ka bërë një gjë tjetër. Ai ka deformuar shoqërinë. Ai ngriti një makineri propagande, për të përpunuar dhe nënshtruar shoqërinë. Ai është i vetmi që paguan këshilltarë të huaj, studio të kushtueshme, që e mësojnë se si ta ushqejë popullin çdo ditë me propagandë. I keni parë rrjetet sociale që përhapin çdo ditë fotografi dhe video edhe kur hapet një kanal, një pusetë, kur shtrohet një rrugë, kur korret gruri e mbillet misri. E keni parë kur shpërndan vetë tapi legalizimesh? I keni parë mediat që transmetojnë vetëm lajme si ato të RTSH së dikurshme që njoftonin për hedhjen e dorës së dytë të nitratit tek gruri? Ky ia ka dalë të manipulojë qytetarët dhje të modifikojnë opinionin publik.
Rama ka 20 vite, por Berisha ka edhe më shumë në politike pa shkëputje, i bëjmë dot një krahasim sa i takon mënyrës së qeverisjes?
E para, s’po bëj krahasime, pasi do të duhej të rrinim një natë të tërë për këtë punë. Unë po flas për atë që është në fron sot. Gjithësesi, në këtë mënyrë asnjëherë nuk është kontrolluar shoqëria dhe opinion publik. E kuptoni që nëpunësit e administratës e kanë detyrë parësore të bëjnë “like” dhe “share” postimet e tij dhe të ministrave të tij, pastaj të merren me punët për të cilat paguhen? Të nënshtrosh një grusht popull, gjysma e të cilit janë pensionistë e gjysma e gjysmës tjetër punon në shtet, nuk është nje meritë e madhe. Të vësh të gjithë pushtetin politik dhe ekonomik në dispozicion të modifikimit dhe kontrrollit të opinionit publik, sërish nuk është një meritë. Të nështrosh, të nëpërkembësh, të mashtrosh, të shantazhosh me njëmijë e një mënyra, të kontrollosh çdo qelizë të jetës publike, të frikësosh njerëzit që janë në marrëdhenie pune me shtetin, sërish nuk është ndonjë meritë e madhe. Madje është burracakëri. Një njeri i madh, një njeri të cilit historia do ia bënte një vend në librin e saj, do të ishte ai, që këtë vend të vogël, të pasur me det, fusha, male, liqene, lumenj, pyje, minerale, naftë etj, do ta bënte një vend ku njerëzit të jetonin të lumtur e të pasur. Në fund, nivelin e zhvillimit të një vendi nuk e tregojnë gratacelat, por fakti që njerëzit këtu ende duan të ikin nga sytë këmbët, njësoj si 35 vjet më parë.