Ata lanë punën e tyre, shitën gjithçka që mundën dhe me një buxhet të kufizuar dhe entuziazëm të pakufizuar, brazilianët Edra dhe Gabrieli u nisën për një udhëtim rreth botës. Në mënyrë që udhëtimi që i çoi në Maqedoninë e Veriut të zgjasë sa më shumë, ata angazhohen të kultivojnë patate, kujdesen për delet, lajnë enët, në këmbim të akomodimit dhe ushqimit.
A jeni çmendur ju dy?
Kjo ishte një nga pyetjet që disa miq ia bënë çiftit brazilian Edra Stock dhe Gabriel Foz kur këta dy u thanë se donin të udhëtonin nëpër botë me pak para dhe shumë ndalesa auto-stop. Aventura që nisi në mars të këtij viti dhe nuk dihet se kur do të përfundojë, i çoi ata në Shkup dhe Ohër këtë verë.

Edra, 32-vjeçare, me profesion stomatologe, ka punuar edhe si mësuese e gjuhës portugeze. Ndërsa Gabrieli, 36-vjeçar, është specialist marketingu. Ata janë bashkë prej dhjetë vjetësh dhe të martuar janë që shtatë prej tyre.
“Ka qenë gjithmonë ëndrra jonë të shkojmë në vende që nuk janë aq të zakonshme për ne në Brazil. E kuptuam që po plakemi, kështu që ishte koha për të bërë diçka të tillë. Nëse jo tani, kur?”, tha Edra gjatë bisedës për Radion Evropa e Lirë.

Ata janë nga qyteti i vogël Promisao, që shtrihet në periferi të Brazilit, ku thonë se jo të gjithë njerëzit janë të hapur ndaj përvojave të tilla.
“Çdo vend ku shkojmë është gjithnjë e më larg Brazilit, kështu që është e panjohur për të afërmit dhe ata pyesin nëse jemi të sigurt, por ata na kanë mbështetur që në fillim”. Është mirë që mund t’u tregojmë se sa e mrekullueshme është dhe se diçka e tillë është e mundur”, shtoi Edra.
Ata treguan se kanë kursyer përgjatë dy vjetëve pasi vendosën se donin të realizonin ëndrrën e tyre – të shihnin sa më shumë vende që të jetë e mundur, por me një buxhet të kufizuar. Ata lanë punën, shitën të gjitha mobiliet dhe veturën. Gjëja më e rëndësishme për ta ishte të përgatiteshin mirë psikologjikisht.

Nga Sao Paulo, Brazil, ata fluturuan për në Francë. Duke udhëtuar herë me autobus e herë auto-stop ata vizituan edhe Spanjën, Hungarinë, Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ata tani janë në Bullgari.
Pse në Ballkan?
Ata ka gati dy muaj që janë nëpër vendet e Ballkanit dhe këtu i solli kureshtja. Për Maqedoninë e Veriut, ata e dinin vetëm se ku është në hartë dhe disa gjëra themelore, si për shembull, se ka Liqenin e Ohrit. Ata i çoi nga Ohri në Shkup një burrë nga Shkupi, me të cilin thonë se kanë krijuar një miqësi të përjetshme.
“Përshtypja jonë e parë ishte se njerëzit këtu janë shumë-shumë të sjellshëm kudo. Për mua, pasuria më e madhe e një vendi janë njerëzit e tij. Është më e rëndësishme se bukuritë, muzetë, peizazhet e saj”, u shpreh bindshëm Gabrieli.
Edhe maqedonasit më të moshuar që takuan e të cilët nuk dinin anglisht, thanë se bënë çmos për t’iu ndihmuar, për shembull, derisa po kërkonin një vend.
“Ky është vendi i parë në Ballkan ku të gjithë ishin shumë të sjellshëm me ne dhe donin të na ndihmonin në çdo rrethanë. Kur ndihem mirë për një vend, mbyll sytë para gjërave të këqija të tij. Ndoshta ka disa gjëra të këqija ose jo shumë të mira këtu, por për ne gjithçka është e re dhe përvoja është e mirë”, thotë braziliani.
Kur erdhën në Ohër, ata thanë se menduan që mund të qëndronin këtu përgjithmonë. Atyre u ka pëlqyer shumë edhe Budapesti, dhe se kanë kaluar mirë edhe në Mal të Zi.
“E gjithë jeta” në një çantë shpine
Nga marsi e deri më tani, ata kanë kaluar në më shumë se 40 qytete dhe 5000 kilometra. Që kur morën vendimin të udhëtonin kështu, ata ndaluan së bleri gjërat që nuk u duheshin. Ata mund të mbajnë pak gjëra me vete në çanta shpine. Përvoja, thonë ata, i ka bërë më praktikë.
“Është një sfidë kur duhet të ruash disa nga gjërat që nuk i përdor për momentin. Për shembull, tani është shumë vapë, por ende duhet t’i ruajmë pulovrat që do të na duhen kur të ftohet moti. Nëse dua të kem një bluzë të re, duhet të heq qafe një të vjetër”, tregon Edra.
Në çantat e tyre të shpinës nuk ka vend për suvenirë si kujtim i vendeve që kanë vizituar. Ata i ruajnë kujtimet në kokë ose në fotografi dhe video.
Ata kanë një fletore, në të cilën, njerëzit që i takojnë gjatë udhëtimeve, mund të lënë një mesazh. Ata, po ashtu, përdorin rrjetet sociale si një lloj ditari.
“Ne nuk po përpiqemi të jemi një lloj udhëtarësh influencues. Ne e bëjmë atë për vete dhe familjet tona e duan atë, kështu që ata ndjekin udhëtimin tonë”, thotë Foz.
Ata u frymëzuan nga përvoja të ngjashme të njerëzve të tjerë dhe një kujtim nga fëmijëria e Gabrielit.
“Në gazeta lexoja histori të njerëzve që udhëtojnë dhe njihen me kultura të ndryshme. Më dukej frymëzuese thellë në brendinë time… Një kohë ne hapëm dyert e shtëpisë sonë për njerëzit që udhëtojnë sikurse ne tani. Kuptuam se nuk janë vetëm njerëz të pasur apo hipi. Jo, ata janë gjithashtu njerëz të zakonshëm, të cilët thjesht duhej të përgatiteshin më gjatë dhe më mirë”, theksoi Gabriel.
Ata supozojnë që ndoshta një ditë historia e tyre do të jetë frymëzim për dikë tjetër.
“Por, jo vetëm frymëzim për të udhëtuar. Porse një frymëzim për të besuar në mirësinë e njerëzve apo për të komunikuar me fqinjët. Mund të gjesh gjëra të bukura edhe në qytetin tjetër, por duhet t’i mbash sytë hapur për t’i parë gjërat e mira që mund të rastisësh gjatë rrugës. Sigurisht, duhet të jeni të vetëdijshëm për një vendim të tillë, sepse nuk është i lehtë dhe nuk është për të gjithë. Ju duhet një përgatitje vërtet e mirë”, përfundon Gabrieli.
Edhe pse u pëlqen udhëtimi, Edra dhe Gabrieli thanë nuk do të jetojnë kështu për shumë vite. Ata planifikojnë të udhëtojnë kryesisht deri në fund të vitit të ardhshëm. Më pas, thanë ata, do të donin të qëndronin në një vend, ku sërish do të hapnin dyert e shtëpisë së tyre për njerëzit që po udhëtojnë sikurse ata tani. S.B