Emergjenca
Vendi në flakë, BE “sulmon” me ujë zjarret në Shqipëri
Një avioni ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet prej 6 tonësh ujë do të jetë sot në vendin tonë si ndihmë nga Bashkimi Europian për të shuar zjarret të cilat nuk po menaxhohen dot nga autoritet shqiptare. Zjarret kanë prekur disa zona të vendit duke mos kursyer edhe parqet kombëtare dhe sitet arkeologjike.
Situata e zjarreve në Shqipëri është bërë shqetësuese, jo vetëm për banorët e zonave, por edhe për vetë institucionet të cilat po menaxhojnë situatën në terren. Në pamundësi logjistike për të shuar gjitha vatrat e zjarrit nga veriu në jug, Shqipërisë dhe Greqisë i kanë ardhur në ndihmë forca të iniciuara nga Bashkimi Europian. Ky i fundit do ti ofrohet Shqipërisë përmes një avioni ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet prej 6 tonësh ujë. Avioni pritet të japë ndihmën e parë të mërkurën e 14 gushtit. Lajmin për ndihmat e ka dhënë vetë Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave në Komisionin Europian Janez Lenarčič përmes një postimi në “X” ku ndër të tjera shkruan se BE do të qëndrojë në krahë të Shqipërisë dhe Greqisë për të përballuar luftën me zjarret. Si pjesë e masave për të përballuar zjarret në këtë sezon veror Bashkimi Europian ka përmirësuar flotën në gatishmëri që përfshin 28 aeroplanë dhe 4 helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare. Mbi 540 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në vende kyçe në të gjithë Evropën, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve kur është e nevojshme. Në Greqi janë dërguar 2 helikopterë dhe dhjetëra forca zjarrfikëse nga toka, ndërsa në vendin tonë është vënë në dispozicion një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania. Qendra e Koordinimit dhe Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Greqisë do t’i shkojnë në ndihmë 2 helikopterë nga Franca dhe Serbia që do të ndihmojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri. Ndërsa ekipet e zjarrfikësve që do të operojnë nga toka janë nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, vende që u ofruan të parat që të ndihmonin Greqinë të përballonte vatrat e shumta të zjarreve në afërsi të Athinës. Ka më shumë se dy javë që në të gjithë vendin janë hapur vatra zjarri nga pirromanë si dhe nga pakujdesia e pronarëve të kullotave. Autoritet shqiptare nuk kanë mundur që të fikin vatra që prej ditësh janë të ndezura duke rrëmbyer bimësinë.