KONGRESI I TREGTARËVE I VITIT 1928 DHE PROJEKTI PËR BANKËN TREGTARE ME KAPITAL 100% SHQIPTAR
Nga Kreshnik KUÇAJ
Historia e sistemit bankar në Shqipëri (pjesa e dytë)
Lindja e Bankave të para moderne në Shqipëri
Në fund të vitit 1928 u zhvillua një Kongres tjetër Tregtarësh. Kongresi i zhvilloi punimet në datat 22 dhe 23 tetor, në ambientet e Kinema Nacionalit në Tiranë. Drejtues i punimeve ishte Aleksandër Hobdari, drejtues i Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Në përfundim, Kongresi mori disa vendime, që më 1 nëntor të vitit 1928 iu paraqitën Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Kongresi i kërkonte qeverisë miratimin sa më shpejt të Kodit Tregtar, rishikimin e ligjit për Dhomat apo Odat e Ekonomisë, si dhe ngritjen e Bankës Tregtare Shqiptare – një bankë që do të themelohej nga tregtarët shqiptarë, nën kujdesin e Dhomave të Tregtisë.
Një nga komisionet e ngritura nga Kongresi mori si detyrë hartimin e projektit të themelimit të Bankës Tregtare të Shqipërisë.
Qendra e komisionit permanent për të studiuar formimin e “Bankës Tregtare të Shqipnis” parashikohej të ishte Durrësi. Anëtarët e Komisionit për projektin e bankës u caktuan Jusuf Beshiri, Aleksandër Hobdari, Vlash Dovana, Idhomen Kosturi dhe Shefqet Daiu.
“Komisioni i formuar si më lart duhet të fillojë studimet nga data 1 nëntor deri në mbarim të vitit vazhdues, duke caktuar formën e shoqërisë, kapitalin nominal dhe të derdhur, pjesëtimin e kapitalit ndër krahina të ndryshme, e duke qenë gjithnjë në kontakt me Dhomat Tregtare, të bëjë statutin e bankës dhe të ndjekë vërtetimin e tij në qeveri, duke kërkuar privilegje që u jepen në çdo vend të tilla bankave. Komisioni në studimet e veta do të mundet të kërkojë bashkëpunimin e specialistëve të brendshëm ose të jashtëm për të kryer shpenzimet e nevojshme për këtë qëllim.” – shkruhej në raportin e komisionit të Kongresit të Dhomave Tregtare.
Projekti parashikonte se kapitali i bankës do të ishte 10 milionë franga ari. Fondet për shpenzimet e komisionit ishin përllogaritur 4 mijë franga ari, që do të krijoheshin si kontribut i Dhomave.
Fondi i sipërshënuar pjesëtohej: Shkodra 300 franga ari, Tirana 600 franga ari, Durrësi 600 franga ari, Vlora 500 franga ari, Gjirokastra 400 franga ari, Korça 600 franga ari, Berati 200 franga ari, Elbasani 400 franga ari, Saranda 200 franga ari dhe Fieri 200 franga ari. Këto të holla do të jepeshin në formë huaje dhe do të ktheheshin nga banka që do të formohej.
Kjo ide do të mbetej në letër.
BANKA E EKSPORTIMIT BEOGRAD
Në vitet 1930 Shqipëria kishte edhe një bankë tjetër, krahas Bankës Kombëtare të Shqipnis’. Në 6 maj të vitit 1934, në orën 11:00 çeli dyert për herë të parë në Tiranë “Banka e Eksportimit Beograd”.
Por, si u hap kjo bankë dhe cili ishte misioni i saj?
Në vitin 1933 Shqipëria po haste vështirësi financiare, ndërsa marrëdhëniet me Italinë ishin të përkeqësuara. Në këto kushte, qeveria shqiptare do të kërkonte bashkëpunim me Jugosllavinë.
Në dhjetor të vitit 1933 do të nënshkruhej edhe një marrëveshje tregtie mes dy vendeve. Një nga anekset e marrëveshjes do të parashikonte hapjen e një dege të bankës jugosllave në Shqipëri. Misioni i bankës do të ishte lehtësimi i transaksioneve financiare dhe tregtare mes dy vendeve.
Banka e Eksportimit Beograd u zgjodh për të hapur një degë në Tiranë në maj të vitit 1934. Marrëveshja mes bankës dhe shtetit jugosllav parashikonte që kostot të mbuloheshin nga shteti jugosllav në masën 2 milionë dinarë, si shpenzime administrative, dhe 8 milionë dinarë për kreditimin e aktivitetit të biznesit në Shqipëri.
Hapja e degës së bankës së Beogradit në Shqipëri do të konsiderohej një zhvillim pozitiv për ekonominë. Në shtypin e kohës u pasqyrua gjerësisht ceremonia e fillimit të aktivitetit të kësaj banke në Shqipëri.
Në ceremoninë e hapjes së bankës morën pjesë pak njerëz, pasi, sipas raportimeve të kohës, vendi ishte i ngushtë. Në ceremoni morën pjesë ministri i Financave dhe ministri i Jashtëm, krerët e komuniteteve fetare, kreu i Bashkisë së Tiranës, prefekti, kreu i Dhomës së Tregtisë, Omer Fortuzi, dy deputetë, gazetarë dhe dy drejtorë të përgjithshëm. Godina ku u vendos banka ishte në pronësi të doktor Osman Jonuzit, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoni, në bulevardin e emërtuar në atë kohë “Benitto Mussolini”.
Shtypi raportoi gjithashtu, se “të ftuarit u gostitën me shampanjë e sanduiçë”.
Një element interesant që sillet në raportimin e gazetës “Minerva” për ceremoninë në fjalë, është se banka zgjodhi të vendosë tabelën me emrin shqip “Banka e Eksportimit Beograd”, si dëshmi e respektimit të “sedrës kombëtare” të shqiptarëve.
“Banka e Eksportit Beograd, me tabelën thjesht shqip të saj, na jep shenjën e parë të korrektesës e qartësisë së saj dhe fakti meriton të shënohet”, – shkruhet në artikull. Po ashtu, në artikull evidentohet se qëllimi kryesor për të cilën Banka e Eksportimit kishte hapur një degë në Tiranë dhe parashikohej të hapte degë të tjera në krahinat kryesore të vendit, është zhvillimi i import-eksportit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Drejtuesi i bankës ishte kroati Gojko Gjermanovic, 40 vjeç, i lindur në Zagreb. Ai kishte mbaruar Akademinë e Tregtisë dhe në vitin 1912 filloi karrierën si bankier në Bankën e Eskontit në Kroaci, për të kaluar më pas në sistemin bankar në Beograd në vitin 1919.
Pavarësisht ambicies së madhe të shpallur në fillim, kjo bankë nuk do të arrinte të luante një rol të rëndësishëm e as të inkuadrohej në jetën ekonomike të Shqipërisë së atyre viteve, duke e mbyllur aktivitetin në Shqipëri pas pushtimit italian.
PROJEKTI I LORENCONIT DHE BANKA JETËSHKURTËR AGRARE
Në vitin 1928, Ahmet Zogu paralajmëroi parlamentin, se do të ndërmerrte një lëvizje të fortë për çështjen e pronësisë në Shqipëri: realizimin e një Reforme Agrare.
Pak muaj më vonë, ai iu drejtua zyrtarisht qeverisë italiane, duke i kërkuar mbështetje teknike për procesin. Qeveria italiane solli në Shqipëri një prej profesorëve më të njohur të kësaj fushe, Xhovani Lorenconin . Ky i fundit ishte një nga ekonomistët më të njohur në Itali, i specializuar në Vjenë dhe Berlin për ekonominë agrare. Krahas funksioneve të tjera, në vitin 1910 ai mbante detyrën e sekretarit të Institutit Ndërkombëtar të Agrikulturës në Romë.
Në kohën kur erdhi në Shqipëri, ai ishte pedagog në Universitetin e Firences.
Pas mandatimit nga qeveria italiane, ai erdhi disa herë në Shqipëri për të studiuar çështjen agrare. I shoqëruar nga deputeti i Tiranës, Said Toptani dhe stenografi i parlamentit shqiptar Gjush (Gjergj) Benusi në cilësinë e përkthyesit, Lorenconi udhëtoi nëpër Shqipëri nga qershori deri në gushtin e vitit 1929.
Në fund të këtyre udhëtimeve, ai përfundoi raportin për çështjen e pronësisë, si dhe raportin me sugjerimet se si duhej të ishte Reforma Agrare, e para që prej shpalljes së Pavarësisë.
Raportet iu dorëzuan në nëntor të vitit 1929 qeverisë shqiptare, e cila më 13 prill të vitit 1930 miratoi Reformën e parë Agrare të Shqipërisë. Dekretimi u bë më 2 maj të po atij viti.
Paralelisht me reformën u miratua edhe ligji për krijimin e Bankës Bujqësore. Katër muaj pas miratimit të Reformës Agrare u miratua edhe rregullorja për aplikimin e saj, që përmbante 47 nene. Por menjëherë nisën të shfaqeshin probleme në zbatimin e saj, çka e detyroi qeverinë shqiptare që dy vite më vonë, në vitin 1934, të miratonte disa ndryshime për kontratën tip, që duhej nënshkruar për dhënien dhe marrjen e tokës.
Reforma nisi të zbatohej pa u ngritur Banka Bujqësore, çka solli që qeveria shqiptare t’i drejtohej sërish Italisë për një tjetër këshilltar.
Këtë herë, këshilltari kërkohej për mënyrën se si mund të ngrihej Banka Bujqësore që do të kreditonte pagesën e tokave që përfitonin bujqit e, nga ana tjetër, edhe rritjen e prodhimit bujqësor përmes investimit në makineri e pajisje. Kërkesa për një ekspert krediti bujqësor u shoqërua me një shtojcë të re në ligjin për Reformën Agrare në vitin 1936.
Pas kësaj kërkese, qeveria italiane dërgoi në Shqipëri ekspertin Francesco Friggione-n, që për 10 vjet drejtoi seksionin e kreditit agrar në njërën prej bankave agrare më të njohura të Italisë, Banco di Napoli apo Banka e Napolit.
Bankieri 40-vjeçar erdhi në Shqipëri pa shpenzime për palën shqiptare, pasi ishte vetë Banka e Napolit, që ia pagoi shpenzimet. Po ashtu, kjo bankë u kishte paguar bursën edhe dy studentëve shqiptarë që të studionin në Itali për kreditin agrar. Megjithatë, në një intervistë për gazetën “Drita” në vitin 1936, këshilltari italian Friggione do të shprehej: “Banka Agrare nuk do të ketë asnjë lidhje me Bankën e Napolit”.
Më 1 gusht të vitit 1937 Banka e Bujqësisë hapi dyert e veta, me një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë kryeministri Kostaq Kota dhe shumë autoritete të tjera. Veç Tiranës, ku kishte qendrën e saj, Banka Bujqësore hapi degë në Korçë, Shkodër dhe Vlorë. Por roli i saj në kreditimin e bujqësisë do të mbetej i kufizuar, aq sa, pas pushtimit të vendit, aktiviteti i saj do të përthithej nga Banka e Napolit.
PROJEKTI PËR NJË BANKË HIPOTEKARE NË SHQIPËRI, “BANCA DI CREDITO FONDIARIO”
Në vitin 1929, më parë në Itali dhe pastaj në Shqipëri, u diskutua gjerësisht ideja për krijimin e “Banca di Credito Fondiario”. Nismëtar do të ishte një nga personat më të rëndësishëm të botës financiare italiane dhe të Bankës Kombëtare të Shqipnis’, avokati Amedeo Gambino.
Ky i fundit, duke anashkaluar autoritetet diplomatike italiane, ndërmori iniciativën për krijimin e bankës, që, në thelb, kishte në fokus të kreditimit tokën dhe pasuritë e paluajtshme. Sipas projektit, kjo bankë do të krijohej me kapital italian, nga grupi financiar që kishte marrë në koncesion krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis’. Ajo do të vepronte në fushën e kredisë hipotekare, duke dhënë kredi për pasuri të paluajtshme, si: toka, banesa etj.
Negociatat po zhvilloheshin mes Gambino-s dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, në të njëjtën kohë kur Shqipëria po diskutonte Reformën Agrare, që, ndër të tjera, parashikonte edhe krijimin e Bankës Bujqësore.
Në fakt, ambasadori italian në Shqipëri, Ugo Sola, në një relacion të vitit 1930, dërguar asokohe ministrit të Jashtëm të Italisë, Dino Grandi, shfaq ankesa për mënyrën se si po vepronte Gambino, duke mënjanuar rrugën diplomatike në arritjen e qëllimit. Sola shprehej i bindur se pala shqiptare nuk do ta miratonte kurrë një bankë, e cila, në thelb, prekte gjënë që shqiptarët ruajnë më me fanatizëm: tokën.
Gambino avancoi më tej me negociatat, duke propozuar një projekt konkret, sipas të cilit do të krijohej Banka e Kreditit Fondiar (Banca di Credito Fondiario), por ky projekt nuk u miratohet.
“Ky program bankar paraqiste dy vështirësi. Si fillim, iniciativa vinte nga një ent, Banka Kombëtare, ndaj së cilës ende nuk ishte krijuar besimi në popullatë. E dyta, në mënyrë të pashmangshme, në sytë e qeveritarëve dukej se kishte si fokus që t’u shërbente qëllimeve italiane për të zgjeruar prezencën e tyre në Shqipëri, përmes një prej gjërave që ata e ruajnë me më shumë fanatizëm: tokën.
Është një akt jopolitik të flasësh për Kredit Fondiar, në një moment kur po diskutohet Reforma Agrare e nisur nga Mbreti Zog, për të arritur disa qëllime; sidomos për të penguar bejlerët që t’ua japin tokat e tyre instituteve italiane, edhe në rast se këto do të paraqiteshin si bankë apo si bankë fondiare me veshje e ngjyra shqiptare.
I sugjerova avokatit Gambino që ta lërë këtë gjë dhe, aq më pak, që ta prezantonte bankën si një iniciativë me karakter fondiar, por vetëm si një bankë me karakter imobiliar; domethënë një bankë që do të kishte si aktivitet financimin dhe kreditimin e ndërtimtarisë në qytetet shqiptare.” – shkruante Sola në relacionin dërguar Dino Grandit më 13 prill të vitit 1930.
Në kushtet kur pala shqiptare po refuzonte me diplomaci miratimin e projektit, në negociata u përfshi edhe vetë ambasadori italian në Tiranë, i cili propozoi që kjo bankë të krijohej për të financuar ndërtimin e qytetit të Durrësit, i cili, në vitin 1926, ishte dëmtuar rëndë nga një tërmet shkatërrimtar dhe qeveria, me forma të ndryshme, po e përdorte dëmtimin për të shembur banesat e vjetra e për t’i dhënë qytetit një pamje të re.
Në këtë kuadër, vetë Sola e modifikoi projektin, duke propozuar krijimin e Bankës së Kreditit Imobiliar dhe Bashkiak. Kjo bankë do të kishte në fokus financimin e ndërtimeve në qytetet kryesore të vendit, si: shkolla, tregje, teatro, kinema dhe godina të tjera me funksion publik, përmes akordimit të kredive të garantuara nga hipotekat.
Konkurrenca mes të deleguarit të Bankës Kombëtare, Amedeo Gambino, dhe ambasadorit italian në Tiranë, Ugo Sola, për variantet e bankës së kreditit fondiar shuhet nga vetë pala shqiptare, që, me diplomaci, refuzon miratimin e saj.
BANKA E NAPOLIT, BANKA QË PËRTHITHI BANKËN BUJQËSORE
Paralelisht me Bankën Bujqësore të Shtetit, në vitin 1937 në Shqipëri hapi degën e saj edhe Banka e Napolit, e specializuar gjithashtu në kreditin agrar. Në fakt, interesi i kësaj banke për Shqipërinë kishte nisur më herët, në vitin 1936, kur vetë Benito Musolini i kishte kërkuar drejtorit të kësaj banke në Itali, që të financonte me kredi punimet për ndërtimin e portit të ri të Durrësit, në kuadër edhe të marrëveshjeve të reja dypalëshe që ishin nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë.
Por kjo bankë do të fillonte aktivitetin e saj në Shqipëri vetëm në vitin 1937, duke hapur një filial të posaçëm. Studiuesi italian, Lorenzo Iaselli, në studimin e tij “L’espansione finanziaria dell’Italia in Albania (1925-1943)”, evidenton se, që para pushtimit të vitit 1939, në Shqipëri ishte konstatuar nevoja për zgjerimin e shërbimeve bankare, me qëllim për t’i dhënë frymëmarrje më shumë tregtisë dhe bujqësisë.
Sipas Iaselli-t, zgjerimi bankar italian në Shqipëri nuk ishte vetëm si rrjedhojë e rrethanave politike, por më shumë nga nevojat kredituese që paraqiste Shqipëria në vitet 1930.
Banka e Napolit e filloi aktivitetin e saj në Shqipëri në vitin 1937 si bankë për kreditim të zakonshëm, por duke pasur linjë prioritare aktivitetin e sektorit bujqësor. Në majin e vitit 1939 Banka e Napolit përthithi tërësisht Bankën Agrare , duke marrë përsipër të gjithë aktivitetin kreditues të bujqësisë në Shqipëri.
Por para se Banka e Napolit të vinte në Shqipëri, u nënshkrua një marrëveshje mes saj dhe Bankës Kombëtare, që të shmangej dalja e valutës dhe e arit jashtë vendit, çka mund të ndikonte në politikën monetare dhe kontrollin mbi qarkullimin monetar që ndiqte Banka Kombëtare. Në këtë mënyrë, Banka e Napolit hapi filialin e saj në Shqipëri, duke u shtrirë në qytetet kryesore dhe duke u mbështetur edhe në filialet e Bankës Kombëtare.
Banka e Napolit kishte degë në Tiranë, Berat, Delvinë, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kuçovë, Peshkopi, Pogradec, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë. Kapitali i bankës në Shqipëri ishte 1 milion franga. Dega e kreditit bujqësor e Bankës së Napolit në Shqipëri u jepte hua bujqve për kultivimin e tokave, për përpunimin e prodhimeve; jepte paradhënie mbi prodhimet bujqësore, kredi për blerje kafshësh, makinerish e veglash bujqësore, si dhe për çdo veprim tjetër që i përkiste fushës së bujqësisë. Një nga veçantitë e kësaj banke ishte procedura e shpejtë e dhënies së kredive dhe lehtësirat e tjera që ajo krijonte për klientët.
BANKA KOMBËTARE E PUNËS
Pas pushtimit italian të Shqipërisë në vitin 1939, edhe Banka Kombëtare e Punës (Banca Nazionale del Lavoro) u autorizua nga qeveria italiane që të hapte një filial të sajin në Tiranë. Kjo bankë e zgjeroi aktivitetin e saj përtej kreditimit të zakonshëm, duke i dedikuar produkte kreditimi të veçantë ndërtimit, peshkimit dhe agrikulturës.
Banka e rriti ndjeshëm peshën e saj në Shqipëri edhe si rrjedhojë e shtrirjes së saj në Durrës, Vlorë, Korçë dhe Elbasan. Në vitin 1941, kjo bankë, së bashku me shoqëritë e njohura FIAT, AGIP e Puriçeli, krijuan Sindikatën e Transporteve Adriatiko-Ballkanike, e cila kishte si qëllim ndërtimin dhe menaxhimin e korridorit rrugor që lidhte Adriatikun, duke kaluar përmes Shqipërisë, me Danubin dhe portet e Detit të Zi. Ky projekt, në fakt, do të mbetej në letër dhe nuk do të realizohej asnjëherë.
BANKA NJËVJEÇARE E ATHINËS NË SHQIPËRI
Pas krijimit të BKSH-së, një ndër bankat e para që iu afrua tregut shqiptar ishte edhe Banka e Athinës (Banque d’Athenes), që në vitet 1920 ishte një ndër bankat më të fuqishme të Greqisë.
Në vitin 1927, kjo bankë e krijuar në vitin 1893 vendos të çelë degët e saj në Korçë dhe në Durrës. Aktivitetin e saj në Shqipëri kjo bankë e përqendroi në kreditimin e ndërmarrjeve shqiptare të kohës, ku rezulton se ka kredituar kompaninë SITA (Shoqëria e Përgjithshme Elektrike) me bazë në Durrës dhe shoqërinë anonime “Merkur”, me bazë në Korçë dhe që operonte në fushën e prodhimit të alkoolit. Studiuesi i historisë së ekonomisë, Iliaz Fishta, në librin e tij “Sistemi monetar shqiptar 1925-1944”, shkruan se largimi i kësaj banke nga Shqipëria ndodhi në vitin 1928, vetëm pas një viti aktivitet, falë një kompromisi mes Italisë dhe Greqisë.
BANKA E NXËNËSVE TË HARRY FULTZ
Shkolla Teknike e Tiranës, në vitet 1920, e drejtuar nga Harry Fultz, për të zhvilluar edukimin financiar, krijoi pranë ambienteve të shkollës Bankën e Nxënësve. Ekzistenca e kësaj banke bëhet e ditur në gazetën zyrtare “Laboremus”, që kishte kjo shkollë. “Me qëllim që të ruhen të hollat e nxënësve, si nga humbja, ashtu edhe nga prishja kot, si dhe t’u zhvillojë nxënësve besimin, u formua Banka e Nxënësve. Përveç mbajtjes së depozitës, banka lehtëson edhe marrëdhëniet financiare të nxënësve, duke i ndërruar të hollat nga një lloj në një tjetër.” – shkruhej në gazetën “Laboremus”, ndërsa njoftohej ekzistenca e kësaj banke.
Banka e Nxënësve kishte një këshill, që përbëhej nga një përfaqësues i trupës arsimore, një përfaqësues i secilës klasë dhe një përfaqësues i Këshillit të Pleqësisë. Këta të fundit emëronin edhe llogaritarin që kryente edhe funksionet e arkëtarit. Marrëdhëniet në këtë bankë kryheshin në dollarë, napolona, korona argjendi dhe lira italiane.