Flet përkthyesi i njohur francez
Sébastien Gricourt: Letërsia shqipe prek një larmi temash që janë aq universale sa edhe të veçanta
Intervistoi: Mentor HOXHA
Sébastien Gricourt ka lindur më 14 korrik 1970 në Bordeaux të Francës. Ka kryer studimet për balkanologji dhe për gjuhë shqipe pranë Institut national des langues et civilisations orientales (INALCO) në Paris ku kanë dhënë mësim profesorë të shquar shqiptarë, si i ndjeri Remzi Përnaska, Ardian Marashi, Aurel Plasari, etj. Është themelues dhe bashkëdrejtor i Observatoire des Balkans të Fondacionit Jean Jaurès me qendër në Paris, fondacion që ka si fillesë promovimin e proceseve demokratike dhe trajnimin e stafit politik por që është sot në Francë think tanku kryesor i qendrës së majtë. Që nga fundi i vitit 2021 ai është këshilltar i jashtëm për çështjet europjane pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, saktësisht pranë Zv. Kryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës. Prej vitit 1997 qe përkthyes dhe delegat i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në rajon, Këshilltar politik në KFOR (2004/05 dhe 2009/10) dhe për UNMIK-un në Zyrën e Kryeministrit (2005-2008) dhe më vonë për NATO-n në Afganistan (2010/11) dhe për operacionin ushtarak të BE-së në Afrikën Qëndrore (2014). Ka qenë anëtari kombëtar i Njësisë së Komunikimit të Koalicionit Ndërkombëtar kundër DAESH-it me bazë në Londër (2016/17) dhe për një dekadë ka qenë këshilltar për marrëdhënie me jashtë, për Europën dhe për Mbrojtjen në selinë e Partisë Socialiste në Francë (2011/2021). Gjatë detyrës në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, midis shumë të tjerëve, ai takoi edhe Albin Kurtin më 1999, i cili mbahej peng në burgjet e Serbisë, dhe prej kohës kur Albini u lirua nuk u shkëputën lidhjet mes tyre. Në qershor 2021, kur Albin Kurti (tashmë kryeministër i Kosovës) e priti në një takim miqësor z. Gricourt si udhëheqës i Observatorit për Ballkan të Fondacionit Jean Jaurès, i rikujtuan dy dekadat e fundit si edhe gjendjen e atëhershme në rajon dhe në Kosovë dhe veçanërisht zgjerimi i BE-së dhe rruga e Kosovës drejt integrimit. Vlen të përmendet se kur më 2018 krijoi Observatorin, u mundësua gjithashtu të zhvillohej aty një hapësirë e re në Paris për zërat e rajonit si edhe për idetë e reja rreth zgjerimit të BE-së në një ambient që lejon shkëmbimet me institucionet franceze. Z. Gricourt është një lobues francez për Kosovën në Paris, ndër të tjera si autor i shumë artikujve dhe shpesh i intervistuar në Francë për rajonin, veçanërisht për Kosovën. Bëri gjithashtu jehonë libri që ai botoi në frëngjisht më 2014 “Kosovo: récits sur la construction d’un Etat” te botuesi Non Lieu (i përkthyer shqip nga shtëpia Koha më 2015, “Kosova: Tregime mbi ndërtimin e një Shteti”). Ky libër përmban dëshmitë e rreth 30 francezëve që kanë mbajtur poste zyrtare në Kosovë (ambasadorë, administratorë, gjeneralë, këshilltarë civilë, etj.) gjatë dy dekadave të fundit (1999-2010), dhe si e tillë kjo përmbledhje dëshmish tregon për fazat e ndryshme të ndërtimit të shtetit të Kosovës, ndërsa u bë referencë për studentët që merren me çështjet politike, europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë nismë, autori pati mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe rrjedhimisht të Ambasadës së Kosovës në Paris (e cila ua shpërndau librin palëve frëngjishfolëse) por edhe lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, pasi tregon edhe kontributin e Francës në çlirimin e Kosovës dhe në ngritjen e shtetit kosovar. Që nga viti 2018, Z. Gricourt ka botuar në frëngjisht një mori veprash të autorëve shqiptarë që ai përktheu, si Eqrem Basha (Lakorja e Ik’sit, Non Lieu), Zija Çela (Djalli komik, Fauves), Jeton Neziraj (dy vëllime dramash, L’espace d’un Instant, për të cilat fitoi dy çmime kombëtare përkthimi (Fluturim mbi teatrin e Kosovës, The Handke Projekt), Luan Rama (Një mungesë e gjatë, Fauves), një vëllim me tregime të shkurtra dy gjuhëshe të Nerimane Kamberit (Qershi, Buzuku), librin i Enver Dugollit për masakrën në burgun e Dubravës (Qark i (pa) mbyllur burgjesh, Non Lieu). Ndërkohë ka disa përkthime të tjera të mbaruara që presin gjetjen e botuesve (Ag Apoloni, Një Fije shprese, Një Fije shkrepëse), Mehmet Kraja (Liria ime), Ismail Kadare / Ukshin Hoti (Bisedë përmes hekurash), etj.
Përshëndetje Z. Gricourt. Ju falënderoj që pranuat ftesën për intervistë. Prej shumë vitesh ju ndani kohën mes Francës dhe Kosovës. Ç’farë i bashkon dhe i ndan këta dy shtete?
Faleminderit shumë për intervistën. Unë e ndava një pjesë të madhe të së kaluarës dhe të tanishmes mes Francës dhe rajonit që nga 34 vjet, por më shumë e ndava me botën shqiptare duke përfshirë Kosovën si pjesa kryesore. Sa për pyetjen tuaj, do të thoja që ç’ka i ndan, Franca dhe Kosova lidhet me një të kaluar të largët të rrethanave të mëhershme, ndërsa çka i bashkon lidhet drejtëpërdrejtë me të kaluarën e afërt të rrethanave të cilat mundësuan çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Përtej këtyre fakteve që flasin për rolin e Francës dhe ndikimin që vendi im ushtroi për të arritur te këto rezultate, dëshiroj të theksoj se të dy vendet bashkohen në mbrojtjen e vlerave të njëjta themelore, të cilat bile sot, në rrethanat me të cilat ballafaqohet Europa dhe më tutje bota, ato kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuara dhe të nevojshme: demokracia, liria, emancipimi i njeriut… Në këtë kuptim, për shembull, e përgëzoj përgatitjen e Kosovës për Samitin e Frankofonisë që do të mbahet më 4 dhe 5 tetor në Francë dhe shpresoj që Kosova do të bëhet në këtë rast anëtar i plotë.
Ju keni përkthyer e botuar në Francë disa autorë të njohur shqiptarë. Ç’mendim keni për letërsinë shqipe dhe vendin që ajo zë në Francë?
Mendoj se nuk ka asnjë arsye të vlefshme që mund të kundërshtonte pohimin se kinse nuk do t’i takonte letërsia shqipe letërsisë bashkëkohore, ose e mëhershme, se ajo nuk mund të zinte vend midis letërsisë europiane dhe botërore. Letërsia shqipe prek një larmi temash që janë aq universale sa edhe të veçanta duke u ndërlidhur me përvojat dhe zhvillimet e shoqërive të veta të cilave u takojnë krijuesit (duke përfshirë edhe diasporat). Pra si të tillë ata nuk janë aspak të shkëputur prej rrymave të së menduarit në botë (aq sa mbetet sot ndonjë rrymë të tillë frymëzuese), as pa frymëzim ndaj dukurive që ndodhin rreth atyre. Nuk peshojnë as argumentet që dëgjohen herë pas here se kombi shqiptar qenka i vogël numerikisht dhe që rrjedhimisht nuk mund t’i dalin shumë shkrimtarë me “vlerë”. Me këtë qasje u mendua për shembull te disa botues, të cilët mbas së pari mendojnë përfitimet tregtare të shitjeve, që mjaftoi deri tani të kishte vetëm njëri i tyre, i madhi dhe i ndjeri Ismail Kadare, me potencialin e nobelizimit, duke u dhënë ashtu pak shanse depërtimi shkrimtarëve të tjerë të talentuar/talentuara. Megjithatë, pa i përmendur ata ose ato sepse rrezikoj të harroj ndonjë, duhet të pranojmë se disa botues të Francës kanë qenë të hapur për të bërë të njohur disa shkrimtarë shqiptarë brenda këtyre tre dekadave e ca. Nuk mund të them a është mjaft apo pak, edhe nëse unë vetë vuaj shumë në kërkim të shtëpive botuese dhe mbetem ashtu me disa romane gjysmë ose plotësisht të përkthyer pa asnjë siguri që do të botohen (dhe lëre për të qenë i paguar për këtë punë pas botimit). Kjo gjendje më krijon sigurisht frustrime dhe nganjëherë zbehje të vullnetit për të vazhduar. Por nuk dorëzohem dhe mbetem i përkushtuar derisa gjendja shpirtërore (që më jep shtytjen për të mos humbur lidhjen me gjuhën shqipe) dhe kushtet e jetesës (që më japin kohën e duhur) më lejojnë të vazhdoj. Ndërsa mendoj që një pjesë e punës u takon gjithashtu qeverive të vendeve të shkrimtarëve edhe botuesve për të menduar si të zhvillohet një politikë e librit në shërbim të rrezatimit jashtë shtetit.
Që nga fundi i vitit 2021 ju jeni këshilltar për çështjet europiane pranë zv/kryeministrit të Kosovës për integrimin europian, zhvillimin dhe dialogun, Z. Besnik Bislimi. Si ndihet një francez pranë një zv/kryeministri shqiptar, pasi liderët shqiptarë cilësohen si “kokëfortë” dhe nuk i pranojnë lehtë vërejtjet dhe sugjerimet?
Mandati im, i cili përkufizohet në kornizën e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Francës mbulon çështjet europjane në kuptimin e gjerë të integrimit dhe të zhvillimeve politike por edhe mbulon çështje zhvillimore meqenëse në të njëjtën vit kur e morra detyrën filloi kyçjen e Agjensisë zhvillimore të Francës në Kosovë. Por ndihem më së miri në këtë zyrë meqë ndodhi që nga fillimi i vitit 2005 deri në fund të vitit 2008 gjendesha në ndërtesën e njëjtë qeveritare si zyrtari ndërlidhës mes Zyrës së Kryeministrit dhe asaj të shefit të UNMIK-ut. Më duhet të pranoj që si francez, nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, jo sepse ata qenkan “kokëfortë”, dhe parimorë do të theksoja, por sepse qëndrimet e diplomacisë së vendit tim nuk kanë qenë gjithmonë të kuptuara mirë ose të pranuara nga pala e Kosovës. Kështu që nganjëherë u gjenda në një farë mesi për të cilin nuk kisha asnjë ndikim me gjithë përpjekjet e mia. Përveç asaj ndihem krenar për punën drejtuese dhe bashkërendimi që u kry në emrin e Qeverisë së Kosovës nga kolegët e Zyrës së Zv. Kryeministrit të Parë në mënyrë që të tejkalohen të gjitha sfidat lidhur me liberalizimin e vizave dhe me aplikimin e Kosovës në BE. Duke qenë vetë pjesë e kësaj pune ndërministrore që u realizua me shumë përkushtim, mund të dëshmoj për cilësinë dhe vendosmërinë që cilësuan këto procese. Duke parë punën e madhe të kryer sivjet nga kolegët për Planin e Rritjes me gjithë masat ndëshkuese nga BE-ja kundër Kosovës, pa dyshim mund të pohoj se do të ketë një hov të madh kur do të hiqen këto masa. Shpresoj gjithashtu që viti 2025 të jetë viti kur Kosova e merr Pyetësorin e Komisionit, për të cilën Kosova që tani është gati të përgjigjet, po t’ia linin këtij shteti mundësinë e provës sipas parimit të shpallur shpesh që procesi i integrimit bazohet në merita.
Kur keni dëgjuar për herë të parë për shqiptarët dhe për kombin shqiptar?
Nuk mund të rikujtoj saktësisht nëse dëgjova për ata pasi e lexova një roman të së ndjerit Ismail Kadare apo nëse e lexova atë pasi dëgjova për ta. Mendoj se kjo e fundit del më e saktë. Në fakt, në vorbullën e ngjarjeve në Europën lindore gjatë vitit 1989 – ngjarjet të cilat shënuan një kthesë të madhe historike për brezin tim – ne, që ishim në daljen e sipër të gjimnazit, zbuluam ashtu që mbetej ende një vend komunist jo i prekur nga shembja e bllokut komunist: Shqipëria. Atëherë u interesuam për popullin e këtij vendi, dhe vendosëm të shkonim në këtë Shqipëri plotësisht të mistershme.
Kur e vizituat për herë të parë Kosovën dhe Shqipërinë dhe cilat gjëra ju impresionuan më shumë?
Pra, sapo kisha mbushur 20 vjet kur të nesërmen me dy miq të mi me të cilët u njohëm në gjimnaz në qytezën tonë (Angers) shkuam me tren nga Parisi në Beograd, dhe pas një nate kur flemë në stacionin e trenave të atjeshme, vazhduam për në Shkup dhe prej atje në Prishtinë, ose më saktësisht në Fushë Kosovë ku mbërritëm në fund të ditës; ishte besoj më 17 korrik 1990. Nuk më kujtohet si na erdhi kjo bindje, por pa pasur asnjë dijeni për Jugoslavinë e atëhershme menduam që rruga më e sigurt për të shkuar në Shqipëri kalonte nga Prishtina dhe Prizreni. Nuk ka nevojë të përshkruaj gjatë çka ishte gjendja e tensionit në Kosovë në korrikun e vitit 1990, bile ne erdhëm atëherë në Fushë Kosovë në buzë të orës policore që ndalonte lëvizjet nëpër rrugë. Atëherë, menjëherë një banor na strehoi për një natë në banesën e tij. Gjithsesi, ç’ka pashë dhe dëgjova gjatë këtyre pesë ditëve që kaluam në Kosovë (deri te momenti kur policia serbe na ndaloi afër kufirit të Shqipërisë dhe na urdhëruan të kthehenim drejt Beogradit) më mjaftuan për të kuptuar se aty jetonte një popull i shtypur por krenar që qëndronte në këmbë para një pushtuesi dhe një diktature. Në atë kohë s’kisha nevojë për të ditur më shumë për të tërhequr vëmendjen time dhe për të (vetë)vendosur drejtimin tim në jetë. Njohuri të tjera mbi fatin e shqiptarëve erdhën me kalimin e viteve dhe të përvojave të mia, edhe nëse nuk mund të pohoj se ato janë të plota sot, por patjetër kanë qenë dhe mbeten të mjaftueshme për të vlerësuar sfidat nga kaloi dhe po kalon Kosova si edhe kombi shqiptar në tërësi. Sa për Shqipërinë, prita shembjen e diktaturës, gjë që ndodhi kurmësimin e gjuhës shqipe (dhe më gjerësisht studimet balkanologjike). Kështu që pas vitit të parë të studimeve në Institutin kombëtar të gjuhëve dhe qytetërimeve lindore, erdha herën e parë në Shqipëri në korrik 1992, për të përgatitur kushtet e së strehuarit të gjatë në një familje të Tiranës prej vjeshtës deri te pranvera 1993. Jetova atëherë sipas kushteve të shqiptarëve, jo vetëm sepse kisha pak mjete financiare të kursyera prej punës që kisha si student në një stacion benzini në periferi të Parisit. Shqipëria ishte atëherë ende një vend me një popullsi që luftonte për mbijetesën, dhe që përjetonte lirimin prej diktaturës nga mënyrat më të ndryshme: prej lirisë së plotë dhe të pamenduar deri tek ikja sa më e shpejtë përtej Adriatikut, ndërsa në mes ishin ata të cilët nuk dinin si të përshtateshin me kohën e re, apo si ta shfrytëzonin këtë kohë me pak rregulla dhe si të vepronin dhe mësonin shpejt rregullat e demokratizimit dhe të mënyrave të reja qeverisjeje për të cilët fillimisht nuk kishin dijeni. Ishin vite të rënda por edhe me plot shpresa dhe shumë gjallëri, dhe ashtu jam në gjendje të vlerësoj hapat përpara që bëri Shqipëria.
Nga vizita e parë e deri më sot si e konsideroni rrugëtimin politik të Shqipërisë dhe të Kosovës në arenën ndërkombëtare?
Mendoj se është një rrugëtim i mundimshëm, i cili njeh edhe sot periudha shpresëdhënëse dhe gëzimesh në një anë, por gjithashtu një rrugëtim i cili doli edhe shpesh dëshpërues dhe tragjik nga ana tjetër. Vetë krahasimi i gjendjes së përparshme me të sotmen tregon për udhën e kryer: për shembull, Shqipëria prej tranzicionit kaotik të viteve ‘90-të me sot është ditë e natë, dhe njësoj është prej Kosovës së pushtuar me Kosovën e çliruar dhe e pavarur. Mendoj që faktori shqiptar në tërësinë e vet ka më shumë potencial për të dhënë për përparimin e rajonit se sa tregon sot.
Në vitiet 1997-1999, kur ishit përkthyes në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ju takuat në burgjet e Serbisë, Albin Kurtin, sot kryeministër i Kosovës. Në 2021, ai ju pret në zyrën e tij ku rikujtuat edhe këtë takim në burgjet serbe. Ç’farë ju ka mbetur në kujtesë nga këto dy takime në dy kohë dhe rrethana krejt të ndryshme historike?
Më duket se bëni referencë me një takim që u bë publik kur e takova Kryeministrin në zyrën e tij në qershor 2021, por do të ishte shumë gjatë t’ju tregoja për takimet e shumta pas lirimit të tij nga burgu. Ndërsa sot, jam krenar të shërbej si këshilltar i jashtëm për çështjet europiane dhe i dërguar nga Franca pranë kabinetit të Zv. Kryeministrit të parë të tij. Në KNKK shërbeva prej 1997-ës e deri më 2002, duke mbuluar kohën e luftrave në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni. Nuk u mora vetëm me punën nëpër burgje në gjithë rajonin por vërtetë ishte një pjesë e madhe e veprimtarisë sime sepse për këtë mision u rekrutova fillimisht nga selia në Gjenevë. U takova me qindra të burgosur dhe sot ende jam në lidhje me disa prej tyre. Lidhur me Kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilin, nuk e rikujtojmë këtë kohë për arsye të thjeshta: së pari, ai nuk ka kohë, dhe besoj as dëshirë, për të shikuar mbrapa fatin e tij, së dyti nuk më takon mua të flas sot për këto vizita kur unë e kisha lirinë të dilja nga burgu ndërsa ata ishin të mbyllur dhe të torturuar. Secili njeri i ka përjetuar dhe përballuar burgosjet sipas rrethanave dhe aftësive të veta. Por çka më lidh mes asaj që e rikujtoj prej asaj kohe dhe që vlen për shumë të tjerë – dhe mes asaj që përjeton sot Kosova, është që koha e burgut u ka mësuar atyre të durojnë dhe të përballojnë të gjitha llojërat e trysnive.
Studimet e larta i keni kryer për gjuhë shqipe në INALCO në Paris ku keni patur profesor një nga albanalogët dhe gjuhëtarët më të mirë të trojeve shqiptare, Remzi Përnaskën, të cilin e kam përfshirë mes 489 personaliteteve në enciklopedinë time “Personalitetet shqiptare të Francës”. Ç’farë kujton nga ajo periudhë?
Faleminderit që e rikujtuat të ndjerin profesor Remzi Përnaska, falë të cilit ia arrita të kapja mirë themelet e gjuhës shqipe. Ishte për mua një kohë vendimtare, sepse si student në këtë Institut me nam botëror nuk kisha megjithatë asnjë siguri për të ardhmen dhe as nuk kisha idenë çka do të bëja në jetë me këto diploma që më specializuan më gjerësisht për rajonin e Ballkanit. Por vullneti që tregova në mësim më ndihmoi shumë për të përballuar disa sfida vetore por edhe jetën e përditshme. Më kujtohen shumë mirë dhe me kënaqësi mësimet e historisë shqiptare në La Sorbonne me të ndjerin albanolog Christian Gut (i cili kishte përkthyer romanin e madh të Z. Rexhep Qosjës “Vdekja më vjen prej syve të tillë”), ose mësimet e balkanologut të shkëlqyer Bernard Lory. Nuk dëshiroj të përfundoj pa përmendur mikun që njoha në atë kohë, i ndjeri gazetar dhe shkrimtar Bajram Sefaj i cili ndërroi jetë sivjet. U njohëm kur ai lexoi në të përditshmen “Rilindja” letrën time të botuar në të cilën i pata kërkuar redaksisë së çvendosur në Gjenevë si mund të merrja gazetën rregullisht përmes postës. Bile, jo vetëm që Bajrami bëri intervistën time të parë, por një tregim i tij i botuar gjatë viteve ’90 në një revistë tregimesh franceze qe përkthimi im i parë i botuar.
Në festivalin Les Contemporaines më 31 maj 2024 në Lyon të Francës në Teatrin Popullor të Villeurbanne-s, u vu në skenë shfaqja “Le projet Handke”. Kjo vepër e shkruar nga Jeton Neziraj dhe e përkthyer në frëngjisht nga Ju u vlerësua me Çmimin e parë të teksteve të përkthyera në konkursin kombëtar të atorëve të teatrit të Lyon-it. Cili është mesazhi i saj?
Mesazhi kryesor është edhe sot shumë bashkëkohor meqë është fjala për mohimet e krimeve të luftës dhe të gjenocideve por edhe të rolit të artistëve dhe të intelektualëve kur ndodhin këto krime. Shkrimtari nobelist austriak Peter Handke i mohoi publikisht gjenocidet në Srebenicë dhe në Kosovë dhe u rradhit me kasapin e Balkanit Millosheviq deri te dalja në varrimin e këtij për të mbajtur një fjalim i cili vazhdoi në përhapjen e gënjeshtrave. Ky shkrimtar bëri çka Serbia vazhdon të bëjë për t’u mbrojtur prej të vërtetave që do të ishin shkatërruese për vetëveten, dhe veçanërisht për kategorinë e sotme të pushtetarëve të cilët janë trashëguesit e atyre që e shkatërruan Jugosllavinë në emrin e krijimit të një “Serbosllavi” (aty huazoj shprehjen nga libri dëshmues të viteve 1989/90 të Z. Veton Surroi, Viti i qirinjve të botuar sivjet në Kosovë). Ky tekst i Jeton Neziraj përfshihet mu në luftën e kohës sonë për të vërtetën. Mezi pres që, pas leximit pjesërisht të vënë në skenë në festivalin e sipërmendur, të vihet ai tamam në skenë (bashkë me tekstin tjetër të botuar në frëngjisht Kthimi i Karl Majit) siç është paraparë në nëntor në një teatro të rajonit të Parisit.