Mazhoranca dhe opozita në nisje të “përleshjes politike”. Çfarë pritet të ndodhë në kampin qeverisës dhe a do të dalin hapur “zërat kundër” brenda PS-së? Opozita në test me veten me dy liderët një në izolim dhe një tjetër me të paktën katër procedime në SPAK.
Është bërë zakon që në fillim të çdo shtatori politika qeverisëse dhe ajo në opozitë tentojnë të sjellin ndonjë të re në mënyrën sesi do të shfaqen para qytetarëve. Në kampin e mazhorancës, kryeministri Edi Rama nuk ka shumë për të ofruar, pasi lëvizjet në qeveri dhe në krye të Parlamentit i bëri një muaj më parë, atëherë kur pak e prisnin. Tashmë Rama e ka të qartë se me këtë ekip ministrash do të dalë deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Postet e rëndësishme ua ka besuar njerëzve teknik, të ardhur kryesisht nga drejtori që janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria e Mbrojtjës, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme janë me emra të rinj, aspak politik, duke larguar Niko Peleshin nga mbrojtja dhe Taulant Ballën nga Rendi. Të dy emra politik, por tashmë Rama ministritë kyçe në vend ua ka besuar të rinjve, pa bosht politik, por gjithashtu të paprovuar edhe në postet që po mbajnë. Megjithatë kjo nuk është aspak e re, pasi kreu i qeverisë ka befasur gjithnjë me zgjedhjet e tij, aq sa për ministra të ndryshëm duhet të hulumtosht thellë në internet për tu gjetur shokollim, karrierën dhe nga cilat fusha vijnë. E kjo zgjidhje nuk u ka dalë për keq. Rama vijon të qeverisë u qetë, qoftë edhe në befasitë e tij në perzgjedhje, duke mënjanuar një numër të madh deputetësh e ish-ministrash që janë përballur politikisht në disa zgjedhje radhazi, lokale dhe qëndrore. Aty në PS nuk ka zë kundër, edhe pse lëvizjet e ministrave ishin aq të befasishme sa as ata që ikën e as ata që erdhën nuk dinin gjë, por e mësuan “live” nga fjala e kryeministrit. Pavarësisht kësaj zgjedhjeje, Rama do të duhet të përballet tashmë i vetëm me suksesin apo dështimin, gjë që e ka bërë për shumë vite radhazi që nga viti 1998 kur u përfshi në politikën aktive brenda radhëve të PS-së. Edhe pse nën zë flitet për grupime dhe lobime të fuqishme brenda PS-së, kundërshtar të njëri-tjetrit, sërish për aq kohë sa Rama qeveris me “dorë të hekurt” asnjë prej tyre nuk është në gjendje që të dalë hapur. Me këtë frymë Rama po shkon drejt zgjedhjeve ku tashmë edhe të qenit ose jo deputetë është sërish në duart e tij, ndaj çdo zë kundër do të dojë kohë të dalë hapur. Vetëm humbja e pushtetit mund të rrezikonte disi kreun aktual të qeverisë dhe të nxiste lobimet e brendshme për të pasur secili prej tyre kontrollin në partinë e cila që nga themelimi i saj ka njohur më shumë pushtet sesa opozitë. Sytë e Ramës janë drejt një mandati të katërt dhe me situatën aktuale, sidomos për shkak të katastrofës në kampin opozitar, kjo jo vetëm që nuk është e pamundur, por më shumë anon drejt së mundurës. Dhe për aq kohë sa Rama nuk vë në pikëpyetje vijimin e qeverisjes nga PS, të gjithë të “pakënaqurit” aty janë të detyruar të heshtin dhe presin kohën kur kryeministri mund tu rijapë postet e larta që synojnë për më shumë pushtet.
Opozita e eorganizuar në “ç’organizim”
Në kampin opozitar gjithçka mbetet pezull. Lideri i saj Sali Berisha gjandet prej më shumë se tetë muajsh në “arrest shtëpie” i hetuar nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe gjithashtu që nga viti 2021 bashkë me familjen është person “non grata”, i shpallur nga SHBA dhe më pas edhe nga Britania e Madhe. Megjithëse në izolim, Berisha vijon të drejtojë indirekt partinë, ndonëse një hapësirë brenda subjektit politik më të madh opozitar ka edhe Gazmend Bardhi, ish-mbështetës i flaktë i Lulzim Bashës, ndërsa tashmë “de fakto” numri dy i PD-së së Berishës. Ndonëse PD ngjan si e bashkuar, duke përjashtur rolin e Lulzim Bashës pa shumë elektorat, sërish nuk ngjall frymë për të qenë alternativë qeverisëse që do vinte në rrezik Edi Ramën. Por në kampin opozitar PD të paktën shkon e qetë me vulën dhe logon e saj, të siguruar pas një vendimi të Gjykatës së Apelit i marrë tre muaj më parë. Simbolet e partisë iu rikthyen grupimit më të madh që e përfaqësonte e cila është në duart e Berishës. Por tashmë në lojë është edhe Ilir Meta, i cili vijon ta quajë mik të mirë Berishën, por që të dy janë gati në pamundësi të veprojnë të lirë. Berisha zyrtarisht është në izolim, ndërsa Meta nga ana tjetër ka katër çështje të hapura në Prokurorinë Speciale, çka e bën të prekshëm në çdo moment, sidomos tashmë pak muaj para zgjedhjeve. Po ashtu është ende e paqartë sesi do të shfaqen partitë opozitare para zgjedhjeve, kur tashmë me ligj e kanë të pamundur që të bëjnë koalicion parzgjedhor. Një nga mundësitë është që të dalin në një listë të përbashkët, por kjo do ketë kosto, pasi PL e Metës ka “pretendime” si “parti e madhe” dhe po ashtu partritë e tjera tradicionale pranë PD-së do kërkojnë pjesën e tyre në listën e deputetëve në “zonë të sigurt”. E gjithë situata brenda opozitës është qartësisht e paqartë dhe kaosi pritet të shtohet edhe më shumë në muajt në vijim, pasi zërat kundër mënyrës sesi po drejtohet kjo forcë nga Berisha tashmë zyrtarisht i izoluar do të ngjallë pakënaqësi dhe përçarja edhe më të madhe.