Një dasmë në qytetin Pyrgos u ndërpre për shkak të një incidenti të pazakontë. Gjithçka filloi kur nusja, sipas traditës, i shkel me qëllim këmbën dhëndrit gjatë ceremonisë, por ky veprim rezultoi në një përplasje të dhunshme.
Në vend që ta merrte me sportivitet veprimin e saj, dhëndri reagoi në mënyrë të dhunshme duke e goditur nusen në fytyrë. Ky veprim shkaktoi një përleshje të përgjithshme mes të ftuarve, veçanërisht mes të afërmve të nuses dhe dhëndrit, duke sjellë ndërprerjen e ceremonisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, të cituar nga patrisnews.com, pas incidentit, të ftuarit filluan të dilnin nga kisha në panik, ndërsa forcat e policisë u thirrën për të qetësuar situatën. Nusja u alivanos dhe një person nga rrethi i saj i ngushtë përfundoi në spital për shkak të shokut të përjetuar.
Megjithë gjithçka që ndodhi, ceremonia e martesës vazhdoi me dyer të mbyllura, pa praninë e të ftuarve të tjerë.