Historia e sistemit bankar në Shqipëri (pjesa e katërt)
SISTEMI BANKAR PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Nga Kreshnik KUÇAJ
Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore do të sillte edhe ndryshimin e sistemit ekonomik, një proces ky, që do të reflektohej edhe në sistemin bankar dhe politikën monetare të vendit. Më 13 janar të vitit 1945 u nxorën dy ligje të posaçme, njëri për shtetëzimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ligji organik, mbi të cilin do të funksiononte Banka e Shtetit Shqiptar. Pak ditë më vonë, më 22 janar të vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar çeli degën e Tiranës dhe, në muajt në vijim, çeli edhe degët e tjera, në qendra që, përgjithësisht, më parë kishin qenë degët e Bankës Kombëtare. Shtetëzimi i bankës dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të saj do të sillnin një Këshill të ri Administrativ, i cili do të gjendej para një sfide të madhe: jo vetëm të vendosjes së rregullimit të funksionimit në një bankë të sapodalë nga lufta, por edhe për ridrejtimin e qëllimit të saj në një ekonomi të centralizuar. Këshilli vendosi që Banka e Shtetit Shqiptar të ishte Institut Shtetëror, funksionimi i të cilit të përputhej me parimin politik të të qenit një mjet i fortë në duart e pushtetit për forcimin e sektorit ekonomik shtetëror. Vendimi për rolin e ri që do të luante banka, nuk do të kalonte pa debate dhe nuk munguan propozimet, që banka t’i shërbente zhvillimit të sektorit privat dhe jo vetëm atij shtetëror. Në fund të këtyre debateve, banka do të ndalonte dhënien e kredive për sektorin privat, duke sanksionuar mbështetjen financiare vetëm për sektorin shtetëror, i cili kishte nisur të kthehej në prioritetin kryesor të politikës së re qeverisëse të vendit. Ndaj, një nga hapat e parë që u ndërmor, ishte riemërimi i personelit, evidentimi i gjendjes së arkës dhe caktimi i kurseve të blerjes së arit e valutave të huaja. Mangësitë e mëdha në rezervat e arkës së bankës do të zgjidheshin përmes disa hapave radikalë për kohën. Hapi i parë ishte marrja e masave shtrënguese për kreditorët, të cilët u detyruan që të paguanin këstet e kredisë. Nga ana tjetër, u ndërmorën disa masa të shpejta, që vendosën rend në qarkullimin e parasë. Në listën e veprimeve të para që ndërmori banka, ishte edhe vendosja në qarkullim e çek-monedhave, në një vlerë prej 65 milionë frangash shqiptare, për të përballuar nevojat e qarkullimit të monedhës, blerjen e arit, valutave etj.
BANKA SHQIPTARO-JUGOSLLAVE – Vendi i parë me të cilin Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore, ishte Jugosllavia. Regjimi i ri jugosllav e njohu regjimin e Tiranës më 28 prill 1945. Në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, me një përvojë bashkëpunimi që gjatë periudhës së luftës, ku në Shqipëri ishte vendosur një mision ushtarak jugosllav. Në korrik të vitit 1946, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi. Traktati u pasua nga një sërë marrëveshjesh teknike dhe ekonomike, që synonin integrimin e ekonomive shqiptare dhe jugosllave. Paktet siguruan koordinimin e planeve ekonomike, unifikimin doganor, standardizimin e sistemeve monetare dhe krijimin e një sistemi të përbashkët çmimesh. Zhvillimi i veprimtarisë ekonomike të shoqërive të përbashkëta kërkonte mbështetjen e nevojshme edhe me anë të kredive bankare afatshkurtra e afatgjata. Për këtë qëllim, në bazë të një marrëveshjeje të veçantë të muajit nëntor 1946, u krijua Banka Shqiptaro-Jugosllave me qendër në Tiranë dhe me degë kryesore në Beograd. Fondi i bankës u parashikua të ishte 6 milionë franga, i ndarë në 600 aksione emërore të patregtueshme, me vleftë emërore 10 mijë franga secili, në përpjesëtimin 50% për secilën palë. Në përputhje me këtë marrëveshje, më 24 shkurt 1947 u bë mbledhja e parë e asamblesë dhe u themelua Banka Shqiptaro-Jugosllave. Kur kjo bankë nisi veprimtarinë e saj, ajo u ndodh para presionit të shoqërive të përbashkëta për kredi dhe kjo rëndoi mbi qeverinë shqiptare. Pala jugosllave nuk i derdhi kuotat e saj, edhe pse pretendonte se ishin derdhur; një reflektim i marrëdhënieve të tensionuara ky, që kishin nisur të ndiheshin mes dy vendeve, si reflektim i problemeve mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Deri në fund të qershorit 1947 shoqëritë e përbashkëta shqiptaro-jugosllave përdorën 10 milionë e 430 mijë franga kredi të dhëna nga banka. Kreditë e përdorura deri në këtë periudhë nga shoqëritë e përbashkëta kanë qenë nga Shoqëria e Përbashkët e Naftës, Shoqëria e Minierave dhe Shoqëria e Hekurudhave. Në këtë shumë kredish, pjesën më të madhe e dha Banka e Shtetit Shqiptar, 8 milionë e 530 mijë franga, kurse 1 milion e 900 mijë franga ishin kredi nga Banka Shqiptaro-Jugosllave. Veprimtaria e Bankës Shqiptaro-Jugosllave qe e kufizuar. Për më tepër, duke qenë se pala jugosllave nuk e derdhi kuotën që i takonte, fondet që u deshën për veprimtarinë e kësaj banke rënduan mbi shtetin shqiptar.
KRIJIMI I ARKAVE TË KURSIMIT – Më 1 gusht 1949, e nisur si shtojcë dhe në varësi të Bankës së Shtetit Shqiptar, u krijua Drejtoria e Arkave të Kursimit, që më vonë do të njihej me emërtesën Instituti i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. Instituti grumbullonte kursimet e shtetasve shqiptarë duke i pajisur me librezat përkatëse. Veç kursimeve, kjo lëvizje synonte të kanalizonte në bankë edhe dërgesat e shumta që bënin emigrantët shqiptarë për familjarët e tyre. Instituti kishte një qëllim të dyfishtë: grumbullimin e kursimeve monetare të popullsisë dhe sigurimin e pasurisë së personit kundra fenomeneve shkatërrimtare të natyrës dhe aksidenteve të ndryshme. Para krijimit të institutit, në periudhën para luftës, në vend kishte rreth 1 500 persona që kishin llogari kursimesh. Ndaj, me urdhëresën e re të pasluftës dhe me krijimin e institutit, këtij të fundit iu ngarkua detyra që të popullarizonte depozitat e kursimit dhe të grumbullonin mjete monetare përmes tyre. Modeli që u ndoq në këtë rast ishte ai i huazuar nga Bashkimi Sovjetik. Synimi ishte që të sigurohej një burim suplementar për financimin e ekonomisë shqiptare dhe për realizimin e planeve të shtetit. Pas krijimit të institutit, depozitat e kursimit filluan të shtoheshin vazhdimisht. Në vitin e parë të funksionimit të tij, 77% e depozitave u përkisnin punëtorëve dhe nëpunësve, ndërsa pjesa tjetër shtresave të tjera të popullsisë. Për të nxitur qytetarët që të depozitonin në bankë kursimet e tyre, u ndoqën një sërë politikash stimuluese, si interesi apo lotaria.
“RIKTHIMI” I BANKËS BUJQËSORE – Pas stabilizimit të Bankës së Shtetit dhe Institutit të Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve, në Shqipëri u krijua edhe një bankë tjetër: Banka Bujqësore. Para miratimit të saj u diskutua më shumë nëse duhej krijuar Instituti për Zhvillimin e Kooperativave Bujqësore apo Banka Bujqësore. Për këtë qëllim, në vitin 1969 u hartuan dy variante alternative. Varianti i parë ishte ai i krijimit të Institutit për Zhvillimin e Kooperativave Bujqësore. Referuar këtij varianti të propozuar nga Komisioni i Planit të Shtetit, parashikohej krijimi i Institutit për Zhvillimin e Kooperativave Bujqësore pranë Ministrisë së Bujqësisë. Ky institut do të kishte në organikë 22 persona dhe do të merrej me studimin dhe ndjekjen e problemeve organizative, ekonomike, financiare e të kreditit të kooperativave bujqësore. Projekti parashikonte që në çdo rreth të krijohej dega e institutit, në varësi të komiteteve ekzekutive të rretheve (seksioni i bujqësisë) dhe Ministrisë së Bujqësisë. Varianti i dytë parashikonte krijimin e Bankës Bujqësore si institucion shtetëror krediti, që bënte pjesë në sistemin financiar të vendit. Banka Bujqësore do të ishte person juridik me llogari të pavarur, me mjetet e veta themelore dhe që financohej ose nga buxheti i shtetit, ose nga Banka e Shtetit. Ajo do të kishte drejtorinë qendrore në Tiranë, e cila varej nga Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit dhe me degë në qytete e qendra të tjera të vendit, që, gjithashtu, do të funksiononin brenda Bankës së Shtetit. Banka do të kishte si objekt pune grumbullimin e mjeteve monetare përkohësisht të lira të kooperativave bujqësore dhe, së bashku me fondet që viheshin në dispozicion nga shteti, t’i drejtonte ato në mënyrë të planifikuar për dhënien e kredive me afat të shkurtër dhe të gjatë. Banka Bujqësore do të funksiononte si qendër llogarie e kooperativave bujqësore, duke çelur llogari pranë saj dhe duke organizuar e kryer shërbimin e pagesave mes tyre dhe ndërmarrjeve, institucioneve dhe organizatave shtetërore. Kundrejt kredive afatshkurtra e afatgjata që u jepte kooperativave bujqësore, Banka Bujqësore merrte kamatë. Këto variante u diskutuan në qeveri dhe u miratua varianti i krijimit të Bankës Bujqësore. Banka u krijua në bazë të dekretit të vitit 1969, si institucion shtetëror krediti për kooperativat bujqësore, si pjesë e sistemit financiar të vendit. Veprimtarinë e saj Banka Bujqësore e filloi në janar të vitit 1970. Kjo bankë funksiononte si qendër llogarie për kooperativat bujqësore dhe kryente shërbimin e arkëtimit dhe pagesave. Banka u jepte kredi kooperativave bujqësore me afat të shkurtër, për një vit, për të përballuar shpenzimet sezonale.
RISTRUKTURIMI I BANKËS DHE RIVENDOSJA E MARRËDHËNIEVE ME BANKAT NDËRKOMBËTARE – Paralelisht me stabilizimin e qarkullimit monetar, vetë banka kaloi në një proces transformues të brendshëm. Në vitin 1946, Këshilli Administrativ vendosi organizimin e bankës me katër drejtori të rëndësishme: Drejtoria e Kontabilitetit, Drejtoria e Kredive, Drejtoria e Devizave dhe Drejtoria e Kreditit Agrar. Me krijimin e shërbimit të Thesarit të Shtetit dhe me fillimin e funksionimit të kreditit agrar, Këshilli Administrativ vendosi hapjen e 12 degëve të reja në qendrat kryesore të prefekturave dhe nënprefekturave ku nuk ekzistonin, si dhe tri arka shërbimi, respektivisht në Burrel, Krujë e Tropojë. Po ashtu, Drejtoria e Kontabilitetit punoi intensivisht për mbylljen e llogarive të vjetra të ish-Bankës Kombëtare, të Bankës së Napolit dhe Bankës Kombëtare të Punës, që kishin ushtruar më herët aktivitetin e tyre në Shqipëri. Marrëdhëniet e Bankës Shqiptare me bankat e jashtme që ishin vendosur në vitin 1945 dhe në fillim të vitit 1946 morën një zhvillim më të gjerë. Bankat e para me të cilat u krijuan marrëdhënie që në vitin 1945, ishin Banka Kombëtare e Republikës Popullore të Jugosllavisë dhe Banka e Shtetit të Bashkimit Sovjetik. Në fillim të vitit 1946 u vendosën marrëdhënie me disa banka amerikane dhe në muajin prill filluan veprimet e para. Në vitin 1946, Banka e Shtetit Shqiptar vendosi marrëdhënie me bankat e poshtëshënuara: Credit Suisse në Zyrih; Union de Banques Suisses në Zurih; First National Bank në Çikago; First National Bank në Filadelfia; Irving Trust Company në Nju Jork; Publik National Bank në Nju Jork; Banque Commerciale Française du Commerce Exterieur në Paris; Zivnostenska Banka në Pragë; Handelsnbankan në Stokholm; Banque Nationale de Bulgarie në Sofje
SISTEMI BANKAR NË SOCIALIZËM – Në periudhën e socializmit, Banka e Shtetit ishte hallkë e aparatit financiar shtetëror dhe veprimtaria e saj zhvillohej në përputhje me politikën ekonomiko-financiare të shtetit, duke i shërbyer zbatimit të planit unik. Në sistemin bankar të periudhës, kur u aplikua ekonomia e centralizuar në Shqipëri, bënin pjesë Banka e Shtetit dhe Banka Bujqësore.
Banka e Shtetit në këtë periudhë kryente këto funksione: 1. Rregullonte qarkullimin e parasë, d.m.th. hidhte në qarkullim dhe tërhiqte nga qarkullimi paranë brenda vendit. Kjo bankë ishte i vetmi institucion i emetimit të monedhës. Banka e Shtetit kryente funksionin e arkës unike të shtetit, ku çdo veprim arke, i ndërmarrjeve, i kooperativave dhe i buxhetit të shtetit kryheshin vetëm nëpërmjet saj. 2. Banka e Shtetit ishte institucioni kryesor i kredisë në vend. Ajo akordonte kredi afatshkurtra dhe afatgjata për nevojat e përkohshme që lidheshin me plotësimin dhe tejkalimin e planit. Banka, për mjetet monetare që grumbullonte, paguante një interes të caktuar, ndërsa për kredinë që jepte, merrte një interes të caktuar. Banka e Shtetit kryente të gjitha veprimet lidhur me arin, argjendin dhe valutën dhe zbatonte monopolin shtetëror mbi veprimet valutore. Banka Bujqësore ishte institucioni financiar që, krahas funksionit të kreditimit, të financimit të ndërmarrjeve e të kooperativave bujqësore, si dhe të funksionit si qendër e llogarisë dhe e shlyerjeve, ndihmonte në mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomiko-financiare të ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore. Në këtë mënyrë, Banka Bujqësore e kontrollonte këtë veprimtari.
KREDITË PËR BANESA – Një nga kërkesat për rritje të fortë të kredisë bankare gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar ka qenë ndërtimi. Nevojat e larta për strehim do të bënin që shqiptarët të aplikonin ndjeshëm për kredi për ndërtim dhe meremetim banese. Fillimi i viteve 1960 në Shqipëri është një periudhë, që njeh një ndryshim të rregullave të kreditimit në vend. Në këtë periudhë duket se ndërtimi është sektori që rrit më shumë aktivitetin bankar, kjo edhe për faktin se një prej kushteve të dhënies së kredive ishte çelja e një depozite bankare. Në këto vite, rezulton se në Shqipëri ndërtoheshin mesatarisht 3 mijë banesa të reja në vit, ku 10% të tyre e zinin banesat e ndërtuara me anë të kredisë nga individët. Kredia për ndërtim dhe meremetim banesash u jepej punëtorëve, nëpunësve, anëtarëve të kooperativave, por edhe pensionistëve. Nga marrja e kredisë përjashtoheshin personat që konsideroheshin armiq të pushtetit. Kredia jepej në masën 250 mijë lekë për ndërtime dhe 50 mijë lekë për meremetime. Në raste të caktuara bëhej përjashtim. Afatet e kthimit të kredisë ishin: për ndërtime 20 vjet dhe për meremetime 15 vjet.
Për të përfituar kredi, kategoritë përfituese duhet të linin një depozitë në bankë jo më pak se 25% të vlerës së kredisë së kërkuar. Kjo shumë duhej të qëndronte e ngrirë në bankë për të paktën 6 muaj nga dita e plotësimit të kërkesës për kredi. Punëtorëve dhe nëpunësve të dalluar në ndërmarrjet minerare, industriale, komunikacion dhe bujqësi mund t’u jepej kredi pa lënë depozitë 25%, kur ndodheshin në marrëdhënie pune me ndërmarrjet e lartpërmendura për një periudhë së paku dy vjet. Por kushti në këtë rast ishte, që ata të kishin arritur të siguronin në treg masën materiale deri në masën 25% të totalit të materialeve që duheshin për ndërtimin, për të cilin kishin aplikuar.
Punonjësit që aplikonin për kredi duhej të paraqisnin në bankë kërkesën për kredi dhe një vërtetim nga qendra e punës, të firmosur nga drejtori dhe kryetari i komitetit profesional, ku ata të shprehnin pëlqimin për miratimin e kredisë për punëtorin e tyre. Ata që aplikonin për kredi për ndërtim banesash, duhej që të siguronin bazën materiale 10% vetë. Kjo jo pak herë do të rezultonte një problematikë jo vetëm për ecurinë e ndërtimit, por edhe për ecurinë e kreditimit. Në shumë raste, kreditë e miratuara nuk lëvroheshin, për faktin se familja që kishte marrë kredinë, nuk arrinte dot të siguronte mjetet materiale. Mungesa e hekurit apo e drurit sillte vonesë në sigurimin e bazës materiale për familjet e, si rrjedhojë, edhe mosrealizim të investimit dhe kreditimit të planifikuar.
Banka e Shtetit Shqiptar dhe Banka Bujqësore u akordonin kredi afatgjata punonjësve të qytetit dhe fshatit, që vërtetonin me dokumente të rregullta pronësinë për shtëpinë apo për pjesë të saj. Punonjësve të qytetit u jepej për të meremetuar ose për të përshtatur shtëpitë ekzistuese, për t’i zgjeruar ato deri në 20 metra sipërfaqe ndërtimi, duke mbështetur pjesën që ndërtohej në një faqe muri të shtëpisë ekzistuese ose edhe mbi 20 metra sipërfaqe ndërtimi, kur zgjerimi bëhej në katin e parë, por jo më shumë se sipërfaqja ekzistuese e këtij kati. Punonjësve të fshatit u jepej kredi për të meremetuar, për të përshtatur shtëpitë ekzistuese dhe për t’i zgjeruar ato për banim deri në masën e plotësimit të nevojave me sipërfaqe banimi, duke u mbështetur pjesa që zgjerohej në një faqe muri të shtëpisë ekzistuese ose edhe mbi katin e parë. Punonjësve të fshatit u akordohej kredi për të rindërtuar apo ndërtuar shtëpi të re, kur shtëpia ekzistuese ishte dëmtuar ose paraqitej rrezik për dëmtimin e saj nga fatkeqësitë e natyrës, si shkarje toke, përmbytje, tërmete etj.
Po ashtu, akordohej kredi për raste të veçanta, kur shtëpia ekzistuese nuk mund të zgjerohej dhe punonjësi nuk kishte mundësi ekonomike të ndërtonte shtëpi të re. Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit kishte të drejtë të miratonte dhënien e kredisë për ndërtimin e saj. Punonjësve të qytetit e të fshatit u akordohej kredi edhe për të përballuar shpenzimet që u takonin kur do të restaurohej shtëpia e tyre, që ishte shpallur monument kulture. Kredi akordohej edhe për punonjësit e qyteteve-muze ose të lagjeve-muze, kur shtëpitë e tyre nuk ishin shpallur monumente kulture, duke përfshirë këtu edhe meremetimin e mureve të avllisë e të portave, që kishin tipare dalluese të shtëpive muze. Kredia afatgjatë për përmirësimin e kushteve të banimit nuk jepej kur shtëpia, në bazë të planit rregullues të qytetit ose të fshatit, do të prishej brenda 10 vjetësh, kur shtëpia ishte jashtë vijës kufizuese (me përjashtim të shtëpisë që ishte shpallur monument kulture dhe duhej të restaurohej), si dhe kur shtëpia ishte amortizuar mbi 70% të vleftës së saj. Po ashtu, nuk akordohej kredi kur nuk ishte kthyer plotësisht kredia e marrë më parë dhe kur punonjësi në qytet, krahas punimeve me kredi, kërkonte të ndërtonte, njëkohësisht, edhe ambiente të tjera banimi me shpenzimet e tij dhe kur kishte filluar punime për zgjerimin ose rindërtimin e shtëpisë ekzistuese ose ndërtimin e shtëpisë së re me mjetet e veta.
INTERESAT DHE PAGESA E KËSTEVE – Afatet e kthimit të kredisë caktoheshin nga banka në marrëveshje me punonjësin, duke caktuar njëkohësisht këstet vjetore të kthimit të kredisë. Për punonjësit që ishin në marrëdhënie pune me shtetin dhe për anëtarët e kooperativave bujqësore kthimi kredisë bëhej me ndalesa mujore nga paga ose nga paradhënie për ditë pune ose normë pune, në ditën e tërheqjes së tyre. Për pensionistët, kthimi i kredisë bëhej me ndalesa mujore nga pensioni në ditën e tërheqjes së tij. Kur kredimarrësi vdiste, për kthimin e kredisë zbatoheshin dispozitat për trashëgiminë. Referuar të dhënave të vitit 1982, Banka e Shtetit dhe Banka Bujqësore për këto kredi kishin një interes vjetor në masën 0,50 për qind.
KREDIA KONSUMATORE – Në vitet 1960 Shqipëria aplikoi një produkt të ri: kredinë për blerje artikujsh industrialë për individët. Referuar rregullores, Arkat Shtetërore të Kursimit dhe Sigurimeve u jepnin kredi depozituesve, punëtorë dhe nëpunës, për blerje artikujsh industrialë. Kredia jepej me afat gjer në 5 vjet. Për të përfituar kredi, huamarrësi duhej të kishte hapur depozitë kursimi, me një shumë baras me 15% të asaj që do të merrte. Kredia jepej dy muaj pas plotësimit të depozitës së kursimit. Mbi këtë depozitë paguhej një kamatë në masën 3% në vit. Kredia jepej për një shumë të barabartë me vleftën e sendeve që do të bliheshin, por nuk duhej të ishte më e madhe se 60 mijë lekë, përveç depozitës. Kredia e dhënë duhej të përdorej nga huamarrësi brenda dy muajve nga data e miratimit të saj. Artikujt për të cilët ishte marrë kredia, duhej të bliheshin vetëm në tregtinë shtetërore ose kooperativiste, me anë të xhirimit në llogari. Mbi kreditë e dhëna, arkat shtetërore të kursimit dhe sigurimeve merrnin një kamatë prej 5% në vit. Në rast se kredia nuk shlyhej në afatin e caktuar, kamata për shumën e pashlyer rritej në 7%. Kredia jepej në arkat shtetërore të kursimit dhe sigurimeve, në bazë të një plani vjetor të miratuar nga Ministria e Financave. Nuk mund të jepej kredi e re para se të shlyhej plotësisht kredia e mëparshme. Për të marrë kredi, depozituesit duhej t’u bënin kërkesë arkave shtetërore të kursimit dhe sigurimeve. Për marrjen e kredisë, huamarrësi nënshkruante një akt detyrimi, i cili, për efekt të ligjit, konsiderohej titull ekzekutiv. Ata që merrnin kredi ishin të detyruar që të siguronin sendet e tyre shtëpiake pranë arkave shtetërore të kursimit dhe sigurimeve, të paktën gjer në shumën e kredisë së marrë dhe deri në afatin e shlyerjes së kësaj kredie. Artikujt e blerë me kredi nuk mund të shiteshin përpara shlyerjes së kredisë. Kreditë e marra duhej të shlyheshin me këste mujore duke filluar nga muaji pasardhës i blerjes së artikujve. Ndalesa e kësteve duhej të bëhej nga paga e huamarrësve pranë qendrave të punës. Qendrat e punës, në bazë të lajmërimeve të arkave shtetërore të kursimit dhe sigurimeve, ishin të detyruara të bënin ndalesa dhe t’u xhironin shumat atyre brenda tri ditëve. Për çdo shkelje zbatoheshin rregullat e Kodit të Procedurës Civile për personat zyrtarë që nuk bënin ndalesat nga paga e huamarrësit. Në rast se huamarrësi, me lejen e arkave shtetërore të kursimeve dhe sigurimeve, i shiste artikujt e blerë me kredi, ai ishte i detyruar të kthente menjëherë të gjithë shumën e kredisë së marrë. Në rast vdekjeje të huamarrësit, shuma e pashlyer e kredisë nxirrej nga trashëgimtarët ose nga pasuria e tij. Kur huamarrësi nuk e shlyente kredinë në kohën e caktuar, arkat shtetërore të kursimit dhe sigurimeve kishin të drejtë të vinin në ekzekutim të detyrueshëm titullin e kredisë me anë të përmbaruesit gjyqësor, sipas rregullave mbi ekzekutimin e detyrueshëm. Lista e artikujve industrialë, për blerjen e të cilëve arkat shtetërore të kursimit dhe sigurimeve u jepnin kredi depozituesve, ishin: mobilie, shtresa e mbulesa, motoçikleta, pajisje kuzhine, makina qepëse, radio, biçikleta, tekstile të leshta, rroba të gatshme, vegla muzikore, sahate.
PROBLEMET E KREDITIMIT – Skema e kreditimit në Shqipërinë e periudhës së ekonomisë së centralizuar përjashtonte nga marrja e kredive drejtorët e ndërmarrjeve apo drejtorët pranë ministrive e institucioneve qendrore. Kjo ndalesë u bë me urdhër të brendshëm të Kryeministrisë në vitin 1961, me argumentin se atyre u ishte siguruar strehimi dhe se, në këtë mënyrë, nuk ishte një domosdoshmëri ndërtimi i një banese individuale. Një problematikë tjetër që haset në këtë periudhë, ishte se persona të ndryshëm tentonin të ndërtonin shtëpi dykatëshe, në një kohë që kredia ishte akorduar për një kat të vetëm, e kjo kishte bërë që shumë projekte investimi të mbeteshin të papërfunduara. Në një urdhëresë, që dega e kreditit agrar të bankës së shtetit u drejton të gjitha degëve të bankës në vitin 1961, evidentohet se “…disa degë banke kanë dhënë kredi për ndërtim banesash të reja, duke pranuar projekte për banesa dykatëshe, ndërsa preventivat përfshijnë shpenzimet e nevojshme vetëm për realizimin e katit të parë, duke lënë kështu katin e dytë për t’u ndërtuar më vonë, në perspektivë.” Shkak në këtë rast ishte mungesa e materialeve, që nuk ishin siguruar dot nga kredimarrësi. Në këtë mënyrë, vlerësohej se krediti nuk kishte bërë efektin e tij dhe, për rrjedhojë, shumë banesa mbeteshin përgjysmë dhe projekti nuk realizohej 100%. Në këto kushte, urdhërohej që banka të mos jepte kredi për ndërtim banese, në rast se ai që kërkonte kredi nuk kishte arritur të vërtetonte se kishte siguruar materialet e nevojshme për realizimin e investimit apo paratë e nevojshme për të paguar punëtorët që do të punësonte për ndërtimin e banesës.
Një fenomen që po konstatohej, ishte se njerëzit që u ishin miratuar kreditë, nuk po i tërhiqnin ato, sepse nuk po arrinin të siguronin bazën materiale; një element ky, që krijonte vazhdimisht problematikë për bankën. Të dhënat e kësaj periudhe dëshmojnë se qytetet ku përdorej më shumë kredia për ndërtim ishin Tirana, Durrësi dhe Korça. Po ashtu, konstatohen dhënie kredish pa kriter. Në vitet 1960, ndërmarrjet kishin të drejtë që të merrnin kredi për teknikën e re; pra, një kredi që u lejonte të bënin investime në pajisjet e tyre. Por jo në pak raste, nga inspektimet e kryera kishte rezultuar se shumë degë banke e shpërndanin kredinë në ndërmarrjet shtetërore, vetëm me qëllim që të realizonin planin e tyre ose edhe vetë ndërmarrjet e merrnin kredinë vetëm për të rritur xhiron e tyre vjetore. “Disa degë banke, ku është kontrolluar aktiviteti i tyre, nuk e kanë kuptuar drejt qëllimin e dhënies së kreditit për teknikën e re. Kjo është bërë për faktin, se këto degë kanë dashur të realizojnë shpërndarjen brenda kufijve të aprovuar, vetëm e vetëm që të dalin me realizim edhe të këtij lloji krediti. Është dhënë kredi për shtimin e xhiros, që, në fakt, nuk e kanë sjellë rritjen e xhiros, por ka qenë rritje artificiale në kurriz të pakësimit të xhiros. Dega e Tiranës ka dhënë kredi për ndërtim barakash, shitje cigaresh në favor të NTLUS Tiranë për 10 baraka pa kërkuar që, krahas dhënies së kredisë, të shtohej edhe plani i xhiros së ndërmarrjeve në total për shumën e xhiros që do të bënin gjatë vitit që do të hynin në funksion barakat. Dega e Bankës Durrës ka dhënë kredi në favor të bonifikimit për ndërtimin e repartit të tornerisë, për zgjerim kovaçhane, për godina të reparteve ndihmëse, për kapanonin e strehimit të objekteve që riparohen. Siç shihet, këto janë objekte investimesh, që nuk i përgjigjen qëllimit të kredisë. Disa drejtorë bankash kanë tendencën që të japin kredi për zhvillimin e teknikës së re, pa bërë studim paraprak, por duke u fjalosur verbalisht me drejtuesit e ndërmarrjeve që premtojnë të japin kredi të tillë. Propozojmë që çdo kredi për teknikën e re, pavarësisht nga shuma, më përpara se të jepet, të miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme.” – shkruhet në një raport inspektimi, që iu bë bankave në vitet 1960.
PSE DILNIN ME HUMBJE ARKAT E KURSIMIT? – Një letërkëmbim i Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë nxjerr në pah një problematikë të viteve 1960. Deri në këtë periudhë, aktiviteti i Arkave të Kursimit dilte me humbje për shtetin shqiptar. Në një shkresë të Ministrit të Financave të vitit 1961 rezulton se depozitat e kursimit kishin arritur në 1 miliard e 204 milionë lekë. Këtë shumë Arkat e Kursimit e mbanin të depozituar në bankë dhe e përdornin për të dhënë kredi. Arkat e Kursimit u jepnin kredi direkt vetëm të sapomartuarve, ndryshe nga sa veprohej në vendet e tjera, që u jepej kredi të gjithë punëtorëve e nëpunësve. Ndaj Ministri i Financave propozon që arkat e kursimit të zgjeronin jo vetëm llojin e kredive, por edhe numrin e përfituesve. Për pasojë, rritej edhe rentabiliteti i arkave të kursimit. Arkat e kursimit merrnin nga banka kamatë 3% dhe, nga ana tjetër, u paguanin depozituesve 3% ose 5%, në varësi të llojit të llogarisë së kursimit që kishin apo të nivelit të depozitës. Është zëvendëskryeministri, i cili në këtë shkresë bën shënimet e tij, duke evidentuar se “aktiviteti i depozitave të kursimeve jo vetëm nuk del me fitim, por del me humbje!”. Në fakt, nga shuma prej rreth 1,2 miliardë lekësh e depozitave të kursimeve, Drejtoria e Kursimeve e Sigurimeve merrte nga banka një interes vjetor prej 3% për shumën 35 milionë lekë. Nga ana tjetër, Drejtoria e Kursimeve dhe Sigurimeve u jepte depozituesve: për depozitat e zakonshme, të cilat arrijnë 900 milionë lekë, 3% interes, që janë të barabarta me 27 milionë lek; për depozitat e vjetra, të cilat arrinin shumën 300 milionë lekë, 5% interes, që ishte i barabartë me 15 milionë lekë. Pra, paguheshin kështu gjithsej interesa 42 milionë lekë. Përfundimisht, nga ky aktivitet merreshin 36 milionë lekë dhe paguheshin 42 milionë lekë interesa, me një humbje prej 6 milionë lekësh, në vend që të sigurohej një fitim. Humbjet e këtij aktiviteti financiar rezultonin edhe më të mëdha, nëse do të llogariteshin edhe shpenzimet që bëheshin për këtë aktivitet. Përballë kësaj situate skema ndryshoi, duke sjellë më vonë rishikimin e interesave të depozitave të kursimit në bankë e duke balancuar humbjet.
“LEK I RI – LEK I VJETËR” – Në vitin 1964 në Shqipëri u ndërmor një reformë monetare, duke hedhur në treg kartëmonedha të reja në raportin: 1 lek i ri baras me 10 lekë të vjetër dhe 1 lek i barabartë me 100 qindarka. Kartëmonedhat e reja, të skicuara nga një piktor shqiptar, por të printuara në Kinë, do të hidheshin në tregun shqiptar në vitin 1965. Zëvendësimi i kartëmonedhave të reja me të vjetrat do të bëhej në një periudhë të shkurtër, në fund të vitit 1965. Por ajo që do të ndodhte në këtë vit, do të prodhonte një fenomen, që trashëgohet ende në ditët e sotme: ngatërresa “lek i ri – lek i vjetër”. Ky emision kartëmonedhash do të ishte më jetëgjati që do të qarkullonte në Shqipëri, pasi do të qëndronte në qarkullim deri në vitin 1999, pra më shumë se tri dekada. Shkresat e kohës dëshmojnë se problematika nis me mënyrën se si u menaxhua procesi, gjë që pranohet edhe nga vetë institucionet e kohës. Më 2 gusht të vitit 1965, të gjitha ndërmarrjeve që merreshin me qarkullim mallrash dhe që kishin monedhën si mjet këmbimi në përditshmërinë e tyre, iu kërkua që, duke filluar nga data 16 gusht, kur vihej në qarkullim monedha e re, të merrnin masa që të gjithë punonjësit nga kjo datë të korrigjonin të gjitha çmimet e blerjes dhe të shitjes në masën 10 me 1. Grumbulluesit dhe shitblerësit duhej të ishin medoemos në qendrat e ndërmarrjeve për mbylljen e llogarive me monedhën e vjetër deri në datën 15 gusht, ndërsa në datën 16 gusht, kur niste zbatimi i dekretit, nëpër të gjitha dokumentet dhe faturat duhej që të aplikohej numri rendor dhe që shprehej edhe me vlerë me numrin 1, për të shmangur gabimet në llogaritje për faturat, mandatpagesat, policë-ngarkesat, fletë-daljet etj.
Një shkresë tjetër e datës 3 gusht të vitit 1965 tregon se dekreti nuk po zbatohej nga organet shtetërore dhe në disa dikastere dhe komitete ekzekutive nuk ishin marrë të gjitha masat, që kishin të bënin me përfundimin në kohë të rregullave të vendosura për zbatimin e dekretit. Dekreti për këmbimin e monedhës u publikua më 14 korrik të vitit 1965 dhe pas tij doli edhe udhëzimi përkatës, që parashikonte se, duke filluar nga data 16 gusht 1965, të gjitha veprimet e organeve shtetërore duhej të shpreheshin në dokumente me monedhë të re, ashtu sikurse edhe të gjitha llogaritë duhej të mbaheshin me monedhë të re. Në udhëzim parashikohej se vlerat, shumat, çmimet, shifrat krahasuese etj. të viteve të mëparshme, kur të paraqiteshin në balanca, evidenca statistikore, raporte, vendime apo udhëzime të reja, të shpreheshin të konvertuara në lekë të rinj. Pra, vendosja e raportit të ri në dokumentet krahasimore shkaktonte problematika si në përllogaritje statistikore, ashtu edhe në ato të llogarive. Përballë kësaj vështirësie, organet shtetërore vazhduan edhe pas datës 16 gusht 1965 që të përdornin në vendimet e tyre, në udhëzime, raporte, botime, artikuj etj., shuma në lekë të vjetër, duke vepruar në kundërshtim me dekretin për këmbimin e monedhës dhe duke shkaktuar, në këtë mënyrë, konfuzion dhe anomali në zbatimin e urdhrave dhe udhëzimeve. Për këtë qëllim, ministri i Financave iu drejtua me një shkresë zyrtare ministrive, institucioneve qendrore dhe komiteteve ekzekutive, që të udhëzonin të gjitha organet vartëse, që të zbatonin dekretin për këmbimin e monedhës, duke pasqyruar të gjitha shumat, shifrat etj., në çdolloj dokumenti që ato do të figuronin nga data 16 gusht 1965 në vijim, në lekë të rinj. Por kjo urdhëresë sërish nuk do ta zgjidhte problematikën, pasi ndërmarrjet kryesore të vendit po hasnin vështirësi në vendosjen e raporteve në transaksione kundrejt dekretit për monedhën që parashikonte, që 10 lekët e vjetër të ishin të barabartë me 1 lek. Kjo problematikë konstatohet edhe në muajin shtator të atij viti, kur zëvendëskryeministri u kërkoi të gjitha organeve shtetërore, që në çdolloj dokumenti që përgatisnin, të vendosnin shkronjën L të madhe dhe pas saj shkronjën r; pra lekë të rinj. Në këtë mënyrë, veç konfuzionit në popullatë, ngatërresa “lek i ri – lek i vjetër” u ushqye edhe nga vetë institucionet shtetërore, që në dokumentet zyrtare të shtetit përdorën konceptin “lek i ri – lek i vjetër”, duke bërë që kjo mënyrë të shprehuri dhe të përllogarituri të trashëgohet deri në ditët e sotme.