Qytetarët kanë zgjedhur 140 deputetë për t’i përfaqësuar ata në Parlament, por jo të gjithë kanë si objektiv ngritjen e shqetësimeve, shumë prej tyre kanë zgjedhur të flejnë në karrige dhe të ngrejnë kartonat kur i thërret partia. Instituti për Studimet Politike ka bërë një raport ku rendit deputetët aktiv dhe ata memecë.
Në Parlamentin Shqiptar shumë prej deputeteve thirren në fund të seancave plenare vetëm sa për të ngritur kartonat të kuq apo jeshil qofshin. Hiq disa prej deputetëve, këtu përfshirë Erion Braçe, i cili mbahet si deputeti më aktiv në gjithë jetën e tij parlamentare, një pjesë e mirë e tyre mund të kenë ngritur një herë zërin ose asnjëherë për ata që i kanë votuar, duke i shërbyer partisë dhe jo qytetarëve të tyre, qoftë këta nga krahu i djathtë apo i majtë. Kjo jo vetëm që është parë në këto tre vite, por është evidentuar edhe në raportin i Institutit për Studimet Politike mbi efikasitetin e deputetëve në sesionin e shkuar. Sërish vihet re se numri i të ashtuquajturve “deputetë-memecë” vijon të jetë i lartë. Ndonëse nuk dëgjohen të flasin për qytetarët që kanë zgjedhur të përfaqësojnë, funksionin e ngritjes së kartonit duket se është kthyer në përfitim. Çdo katër vjet qytetarët zgjedhin 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, por jo të gjithë përfaqësuesit e popullit dëgjohen me zë në Parlament. Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin mbi performancën e deputetëve, ku numri i atyre që konsiderohen deputetë kartoni vijon të mbizotërojë pjesën më të madhe të ligjvënësve shqiptarë. “Nga të dhënat monitoruese janë gjashtë deputetë që nuk kanë arritur të lënë “gjurmë parlamentare” në sesionin e fundit parlamentar, duke mos pasur asnjë angazhim personal në komisionet e Kuvendit dhe as në seancat plenare. Në listë kryesojnë pothuajse të njëjtët deputetë si edhe në sesionet e kaluara parlamentare, kryesisht deputetë – biznesmenë që sigurojnë mandate personale në zona të ndryshme, që vijojnë të injorojnë detyrimet dhe përgjegjësitë parlamentare”, thuhet në raport. Ngritja e kartonit pa ngritur zërin në mbrojtje të interesave të qytetarëve që kanë zgjedhur të përfaqësojnë, nuk duket të ketë cenuar përfitimin financiar të këtyre deputetëve. Kjo për shkak se paga e tyre ndahet në dy kategori, baza dhe bonuset në bazë të pjesëmarrjes në komisione dhe seanca plenare. “Tipar dallues është fakti se deputetët nga qarqet e largëta kanë edhe përfitimet më të mëdha financiare, dhe se në listën e deputetëve më të paguar bëjnë pjesë disa prej atyre që nuk kanë pasur pothuajse asnjë produkt parlamentar. Pagesa mujore e deputetëve është rreth 2 deri 2.5 mijë euro pa llogaritur përfitimet shtesë që variojnë deri në 2 mijë euro të tjera”, thuhet në raport. Ajo që dallon sesionin e fundit parlamentar krahasuar me pararendësin, është se në minutazh deputetët kanë folur më shumë, pasi Kuvendi në mesin e muajt mars iu rikthye në normalitet pas marrëveshjes me opozitën që i dha fund aksionit parlamentar të demokratëve.
Deputetët pa angazhime në Kuvend
Krahas listës me nivelin më të ulët të efikasitetit, Instituti i Studimeve Politike ka renditur edhe deputetët me zero angazhime në Kuvend, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në sennca plenare e as në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Listës sërish e kryeson gjashtëshja e dpeutetëve që ishin renditur edhe me nivelin e efikasitetit më ulët. Konkretisht, Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS. “Nga të dhënat monitoruese janë gjashtë deputetësh që nuk kanë arritur të lënë “gjurmë parlamentare” në sesionin e fundit parlamentar, duke mos pasur asnjë angazhim personal NË komisionet e Kuvendit dhe as në seancat plenare. Nuk është vetëm çështje statistikore (0 fjalime), por është shumë më komplekse, – ata nuk kanë iniciuar asgjë, nuk kanë bërë asnjë propozim, nuk kanë folur për asgjë dhe nuk kanë ushtruar kështu pjesën më të madhe të detyrimeve Kushtetuese dhe ligjore parlamentare”, thuhet në raport.
Deputetët më efikas
Raporti i Institutit për Studimet Politike rendit edhe deputeët më ‘efikasë’ gjatë periudhës janar-gusht 2024, referuar punës së tyre për nismat ligjore, për propozimet individuale ligjore, për pjesëmarrjen aktive në debatet në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare, për interpelancat dhe pyetjet adresuar institucioneve, për angazhimin në publik dhe zonë elektorale, për pjesëmarrje në votimin parlamentar.Sipas raportit, deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%. Numri maksimal i pikëve me të cilat vlerësohen deputetët nga Instituti për Studimet Politike është 100 pikë. Në krye të listës qëndron Braçe, Zhupa dhe Tabaku me nga 77 pikë. Në raport theksohet se gratë deputete vijuan të shënojnë nivel shumë më të lartë angazhimi dhe efikasiteti sesa deputetët e gjinisë tjetër. “Në vlerësimin e përgjithshëm gratë deputete patën mesatare prej 37% të efikasitetit parlamentar ndaj vetëm 33% të gjinisë tjetër. Vlerësimi nuk përfshin cilësinë e angazhimit, e cila mbetet kritike për dy gjinitë, por nivelin e përgjithshëm të angazhimit në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive parlamentare“, thuhet në raportin e Institutit për Studimet Politike. Po ashtu në raport theksohet se “Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e më shumëse 15 funksionarëve të lartë, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit (nga 2022) apo Komisionerit kundër Diskriminimit (nga 2023), anëtarëve në KLGJ, KLP, ISSK, KPP, KDRTSH, etj.”