Kryeministri Edi Rama ndodhet në Pragë ku po merr pjesë në forumin “GLOBSEC 2024” me temë “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”. Në fjalën e tij shefi i qeverisë shqiptare është ndalur tek integrimi i Ballkanit Perëndimor, duke falenderuar presidentin e Rusisë Vladimir Putin. “Pikë së pari, përgëzoj Putinin, se falë tij BE kuptoi sa e rëndësishme ishte të kishte pranë Ballkanin Perëndimor. Ishte diçka fatkeqe, na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë. Përpara pushtimit në Ukrainë, kishte njerëz që thoshin se NAtO-n nuk ka pse të ekzistojë më. Kishte shumë njerëz në union që nuk besonin aspak në atë që e përsërisnin si moto se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njeherë e një kohë që na thoshin se vendi ynë është në parajsën tokësore. Realiteti goditi fort, lufta në Ukrainë tronditi tërëisht status kuonë. BE nisi të ndërgjegjësohej sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor. Von der Leyen luajti rol thelbësor, që prej ditës së parë u përpoq të përcillte mesazhin, por iu desh edhe ndihmë nga Putini”, është shprehur Rama. Shefi i Qeverisë u pyet nëse ka patur përpjekje të Rusisë për të minuar qeverinë dhe demokracinë në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët dhe Shqipëria njihen për besnikëri, dhe do të vijojnë të jenë pro-europianë dhe perëndimorë edhe kur BE dhe SHBA të mos jenë më. “Ne kemi qenë Koreja e Veriut për Europën, edhe Praga ka qenë po aq e paarritshme sa Parisi dhe Nju Jorkun. Komunizmi e cilësonte si perëndimin edhe lindjen komuniste si një anë. Kur komunistët vendosën të heqin qafe Stalinin, ne i qëndruam besnikë. Pra ne jemi besnikë. Edhe kur BE dhe SHBA mos jenë aty, ne do të vazhdojmë të jemi. Duke qenë vend stalinist deri në vitin 90-të, nuk ishim vend interesant për Rusinë, dhe nuk kemi patur vizita të nivelit të lartë. Rusia është një vend i madh, por se kam kuptuar asnjëherë që pse Dostojevski nuk lejohet në disa Universitete. Sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, dhe Rusia nuk mund të gjejë spiunë apo njerëz në Shqipëri që të përmbushë interesat e tyre. Nuk kemi patur asgjë të madhe. Aty ku Rusia është shumë e fuqishme apo influente ësthë në pjesë të tjerë të Ballkanit, prandaj duam që të përfundojë konflikti Serbi-Kosovë. Kjo është arsyeja se pse sa më shumë ta lidhim integrimin e BE me NATO-n, do të ishte më mirë“, tha Rama.