Nga Pirro Loli*
Që në vëllimin e parë, poetik (2012), Qazim Muska parandjen një zgjim dhe sinqerisht i tha vetes “Mëkat të flesh dhe kur je zgjuar”; pas një viti (2013) vërejti me një farë trishtimi e habie se “Era s’fryn si më parë”; pas tre vitesh (2016) me një ndjenjë rritjeje përgjegjësie për poezinë na foli në numrin shumës: ”Ende s’kemi ardhur”… Më vonë erdhën dy romane të tij: “I yni përballë”(2017) dhe “Kristos” (2021)që u pritën mirë nga lexuesit. Edhe këta tituj flasin për rrugën e tij në poezi që nuk është me qilima shtruar. Nordi i saj është i paarritshëm. Por Qazim Muska ecën i ndërgjegjshëm për rolin e poezisë. Kam lexuar romanin (si dramë), “I yni përballë”, shkruar me një ndjeshmëri prekëse për vëllanë e ikur para kohe, duke na i sjellë përballë, viktimën e lirisë së munguar. Kam parë si mplekset drama e një populli me atë të njeriut te romani “Kristos” dhe ja, tani, me gjoksin plot këngë udhëton stacioneve për te
“BREGU TJETER”
Udhëtimi i tij është thellësisht vetmitar … me zhegun e mosbesimit përvëlues, përmbi ankthin e etjes dhe urisë. Ai flet me veten, me njeriun prej ëndrre, si një qelq i vogël drite përballë botës së madhe, që hapte nofullat prej dinozauri për…, bimëzën e brishtë. Vetëm nëpër erërat e shirat e botës duke u ngjitur për te bregu tjetër. Atë që e mendojmë të gjithë, e duam të gjithë, e përfytyrojmë ashtu si e duam, por nuk dimë nëse mund ta mbërrijmë. Është breg lumi a oqeani pak rëndësi ka, por unë dua ta shoh si një lartësi të re nga ku zgjerohet tejpamja e syrit.
E kam ndjekur ecjen e tij, hap pas hapi në udhëtimin e vështirë drejt poezisë. Përgjatë rrugës e kam njohur. Jemi përshëndetur si dy udhëtarë që nuk e dinim ku do shkonim. Modestia e poetit shpesh nuk është bindëse. Qazimi është burrë me tone të ulëta. Dhe ia ka lënë veprës të flasë.
Në qiell e kërkon orientimin; ai nuk e di nga është nordi i së bukurës; por, diellit në perëndim nuk i bën një shenjë të fundit mirënjohjeje… por e theu sqepin e vjetër të shqiponjës pas shkëmbinjve dhe i shkuli puplat e rënda të zhgënjimit. Vështrimin e hodhi përtej, të “Bregu tjetër.”
…Toka është e vrazhdë dhe gjithnjë e etur, deti është i ngjitur me qiellin; ka erë deti e qielli rrufe. Ka furtuna, sirena dhe zgalemë. Mbi ballë mund të të shkrepin vetëtimat e toka të përgjaket në këmbët e tua. Rruga e jetës dhe e krijimtarisë mund të jetë edhe gjarpër që të përdridhet në dorë. Por ai ecën pa kthim. Kohët që e mbrujtën ia kanë shënjuar udhët. Kudo ka njerëz, nisu për te njeriu. Kudo ka plagë, nisu te plagët, kudo ka sirena, vdis në gji të tyre… “Erërat që të rrahën shpinën do t’ ndihin fatit”.
… Kur poeti e ndjen se ka diçka për të thënë, i duhet të niset drejt vetes ( bregu më i sigurt) – e kjo – më e vështira rrugë për poetin udhëtar. Që i duhet ta lërë gjithmonë farin ndezur për kthim, se andej duhet të niset rishtas e rishtas – për më larg, për më thellë, për më lart. E shoh bregun tjetër, e shoh. S’kanë rëndësi stacionet e arritura, funddetet me shpirtra të mbytur, bubullimat nga lart, ishujt, me “ca vatra të fikura, me një yll të ndezur harruar diku.”
Te poezia “Zogu që kam në zemër” autori na kujton se ecën bri heshtjes sonë, indiferentizmit dhe boshllëkut. I vetëm. I shqetësuar. “ kush do të ma dëgjojë Këngën e zogut që kam në zemër? Gjithë ky pyll kaq i shurdhër! Gjithë këto pemë pa një sy!..”. Ky trishtim është trishtimi i poetit dhe i njeriut. Por ai këndon, se as zogu nuk e pyet pemën ku e si do ta ndërtojë folenë, as bilbili nuk pyet kënd nëse dëgjon apo jo këngën e tij; shko ti, këndo në vetmi ! …Mos qëndro se nën këtë lis rrënjëdalë, më shumë se laureshat, këndojnë kukuvajkat;…
***
Poeti kalon dhe nëpër tunele e akte drame. Qëllon dhe e përpjeta e thiktë, dhe anija e mbytur, dhe zbritja në humnerë. Dhe zogjtë në qiell ngrijnë. Por ti nisu, nisu! Çdo nisje ka një start. Mjafton. Stadiumi i duartroket të gjithë vrapuesit. Ja bregu tjetër. Duket i largët, por s’ka rëndësi , duhet të jesh prej ëndrre që të shikosh mbërritjen në një breg të panjohur. Që vrapon për t’u rrëzuar, dhe për të plasur në ajër si ballon mbushur me diell. Dhe mos harro ta marrësh tokën mbi shpinë se plagët e njeriut nuk kanë të sosur. Gjethen e erës nuk e zë flama, ajo këputet pa ditur ku shkon. Mund të nisesh dhe mbrapsht të shohësh shpinën e asaj që ikën. Mund të nisesh dhe drejt harrimit me lot malli në sy; Mos u huto, rrugët e lagjes janë shumë të shkurtra. Ndryshku, gozhda, statujat memece, zogjtë e ngrirë e kanë të palexueshme lavdinë; ruaju nga lënda e sertë, ruaju dhe nga qenia e prekshme! Vetëm shpirti ka emra lirie e dashurie. Lere gjakun të hipi mbi damarë e të kërkojë zjarr; Mos ki frikë nga vetmia, ktheje fytyrën nga ferri që të kuptosh parajsën…
Poeti është shtjellje, shtjellje drejt vetes, ciklon, baticë dhe zbaticë. Që harmonizon frymëmarrjen e detit. Pse jo, dhe vullkan që vdes nga vetvetja, kur lava e zjarrtë ngrin dhe i zë frymën të zotit, anipse mali pas tij pas shpërthimit të fundit, – ashtu i ftohur më pas – u bë më i lartë se më parë. Gjëmimet dhe shirat na thonë se pranvera vjen ngadalë … E di, edhe pa arritur ti e ke mbjellë një tufë fluturash bore në respekt të dimrit dhe akullit, ta ndjej guximin, ti nuk i trembesh të ftohtit se të mbron poezia, poezia dhe fluturat e bardha se vetëm kështu në rrugë e në erë rriten poetët.
***
Poeti ka një një shqetësim të prekshëm se Troja vazhdon të digjet e kuajt, si lajmëtarë të paqes, kanë nevojë për koncerte e tufa trëndafilësh të bardhë; ti nisu, i them dhe mos harro të marrësh me vete thikat e kirurgut se kjo tokë ka shumë gropa, urrejtje, plagë e metastaza. Mund te nisesh me det… Zgjidhe cimën nga barka e vjetër dhe hapi velat, o marinar! Se era po ndryshon, furtuna, dashuria dhe bregu tjetër të pret.
… Por ç’është kjo mjegull e dendur e më pas një tjetër breg që ravijëzohet larg e më larg? Ti e di se atje ku qielli bashkohet me maja të lartë deri në mosdukje, atje më pas yjet janë fikur, e bari është blu…e ndoshta atje, poetin e pret fëmijëria, adoleshenca jote, e ashpra, e varfra, e, si për të gjithë poetët, fëmijëria është zona më e dashur me gjelbërim të përhershëm. Shko, nisu tek ai breg i paharruar anipse atje janë fikur zjarret dhe një yll i njohur po loton? Je i falur, poet mos kij frikë nga loti i mallit të pashuar, mos kij frikë nga rrudha e ballit që mund të ngihet brenda ditës, janë gjurmët atje, puthjet si fosil buzëkuqesh në buzë. Ai breg është stacioni më poetik, zemra e zhuritur, fëmijëria; me atë fantazinë aq të pasur që i kapte të tërë zogjtë e qiellit, që i përqafonte të gjithë yjet e natës. “Lumi i fëmijërisë ujit këmbët e një pylli e në gjirin e një fushe farfurin i gjelbër”;
Breg tjetër është dhe e shkuara shpërfillur, historia herbarium i shkoqur i pambaruar. Mund t’i ndërrosh gjethet, mund t’ua përziesh aromat, t’ua rishkruash eshtrat – e shkuara është gjithnjë kohë e pakryer… Në këtë, “Bregu tjetër”, autorit i shkon dhe drama dhe dashuria. Dhe më thotë, shiko, në degë pishash, në vendlindje, kanë mbetur varur tingujt e kitarës. Po, i them, i kam parë. Orfeun e copëtuan ato që e donin!… Vërtet Orfeun e copëtuan femrat që e donin , por nga harpa e tij “Në degë pishash kanë mbetur varur tingujt…”Të pashuar në mijëra vjet, të patretur në gjoksin e çdo femre. Je i mirëpritur atje, e di, njerëzit ta japin përshëndetjen bashkë me jargavanët dhe çdo bli hap krahët të të përqafojë – se ka një “kod të fshehtë për të të thirrur” ; Poeti dhe bliri, poeti dhe kitara, dhe një sykaltër atje…
***
Busulla e poetit është një radar rrotullues gjithë drejtimesh, që të gjitha synojnë për të arritur te bregu tjetër, ndoshta do kapërcesh një ishull a dy, e një start të ri, me rrugë e të përpjeta të thikta, e mund të të merren këmbët e të shkasësh edhe në hon. Mos u tremb, poezia më e arrirë është ajo që kalon përmes rrathëve të ferrit. E duhet ta pranojmë që poezia është dhimbje, dhimbje, vëlla! Po ti vazhdo, ec! Poeti ngjan me misionerin, me atë që merr zemrën në dorë, që ecën pas diellit mbi shpinë të legjendave. E “Bregu tjetër” që ke zgjedhur vetë, mund të jetë i vogël dhe i padukshëm, por dhe një planet i tërë, sepse është ndërtuar me dritën e shpirtit të njeriut të mirë.
***
Në një poezi Qazim Muska shprehet me krenari duke përqafuar dhimbjen e bukur…“O dhimbje që rrjedh pandërprerë/ dhe mbush rrembat e lodhur me durim dhe mall të përvuajtshëm / si vallë të të mbaj pa u zhuritur?
Po. E besoj shqetësimin. Është poeti. Akt lirie. Siguri e penës …
***
Të pashë në një cep të Bregut tënd, përpara një nekrologjie. Te “Vdekja e babait”. Mbajta këmbët, heshta për të dëgjuar ato që thoshe me vete. Dergjeshit të dy. Pak metra larg njeri tjetrit. Dhe nuk e përcolle dot. Më e rëndë kjo vdekje dhe më dramatike poezia. Ai, babai, duket se iku me një marrëveshje…. Nënteksti flet më tepër se fjala e shkruar.
U bëra prani në krah të “heshtjes” së tij. Dhe poeti, nuk e di, në ka folur me vete për vete, duke vajtuar si një kitarë me tinguj përplasur brinjëve, apo për botën e tërë… Bota kaloi një periudhë ankthi. Pandemia qe e frikshme. Vdekja na qëndroi këmbëkryq. Lubia e covid 19 – tës rrinte me shpatën mprehur. Kështu. Ai babai i dashur, bëri një marrëveshje me atë lart, zgjodhi të natyrshmen, nuk mund ta linte djalin të ikte para tij…Ç’dorë e kish kurdisur këtë lojë të fshehtë?!( Më duket se cënoj, ndaj po shprehem me vargjet e poetit )(Ai, babai)
…Këndonte dhe qeshte e hidhte lule,/mbushtte qiellin me ngjyra /Ishte bërë fëmijë, i gëzohej fluturimit./Përshëndeste me dorë zogjtë/në udhëtimin e çuditshëm.Ah, gjumi i thellë më kishte mundur!Nuk më la ta shihja kur u nis si një pupël reje./Po kur hapa sytë, në kupën e qiellit/pashë një kerubin që më vështronte./Mbante për spektër një degë me luleakacie nga pema që pati mbjellë babai dikur. Ma tundi dy tre herë si zilkë krishtlindjesh/nën ca tinguj të mëndafshtë/dhe e shkundi në ajrì.
Pastaj dritë, dritë m’u bë!
Dhimbja ta dërmon zemrën, ta mbyll gojën, dhe ngushëllimi bëhet kalimtar, por poezia jeton më gjatë se njeriu, ajo ka energji të tilla që ngrihet si statujë e bukur në mes të shpirtit, e përjetshme dhe vdekjen e bën më të lehtë.
*Mjeshtër i madh