Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije detajet e reja sa i përket riatdhesimit të shqiptarëve nga shtete të ndryshme të Evropës. Ndryshimi nga riatdhesimet e para lidhet me banimin e personave të kthyer.
Balluku theksoi se të riatdhesuarit duhet të deklarojnë saktë në faqen e ‘Air Albania’ qytetin ku do të qëndrojnë në Shqipëri.
“Ata që jetojnë në zonat e gjelbërta do të vetëkrantinohen në hotele të përshtatura. Ata që jetojnë në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në shtëpitë e tyre. Udhëtarët do të ndahen në dy grupe në aeroport. Banorët e zonave të gjelbërta do të paguajnë vetëm biletën e udhëtimit, hoteli do të paguhet nga shteti. Nëse banorët e zonave të kuqe duan të vetëkarantinohen në hotele, duhet ta deklarojnë gjatë aplikimit”, theksoi ministrja.
Disa qytete në Shqipëri janë shpallur zona të gjelbërta pasi nuk kanë asnjë rast infektimi me COVID-19 dhe për të shmangur një përhapje të mundshme, të riatdhesuarit nuk do të lejohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi mund të infektojnë familjarët. Ndërsa për të riatdhesuarit që jetojnë në qytete ku ka raste aktive të koronavirusit, do të lejohet të qëndrojnë në shtëpi, por nëse e gjithë familja vetëkarantinohet për 14 ditë. Nëse këta të riatdhesuar duan të shmangin izolimin e familjarëve për 2 javë, mund të zgjedhin të qëndrojnë në hotele njësoj si banorët e zonave të gjelbërta.