Nga Sebi Alla
Heronjtë e gjallë në plot raste kanë dështuar në paqe, pas kthimit nga “lufta” e vërtetë me armiq të dukshëm ose të padukshëm. Nata e fundit e 60 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që shërbyen në Itali nuk kaloi pa zhurmë dhe misionin e tyre mëse fisnik e mbyllën me një “cen në biografi”. Shkak u bë muzika “tallava e përzgjedhur” dhe grupimi më shumë se dhjetë persona, duke konsumuar edhe ndonjë gotë alkool.
Iu premtua 2500 euro pagë nga qeveria jonë (taksat tona), por 500 euro ua mbajti policia italiane, si pusullë ndëshkimi, pasi shkelën rregullat e karantinës dhe festuan në hollin e hotelit ku ishin vendosur si “turistët më të dashur” të kohës së pandemisë në Itali. Vlera monetare është fare e papërfillshme para prishjes së një imazhi pozitiv, gjë për të cilën një pjesë e atyre 60 mjekëve dhe infermierëve nuk ishte e përgatitur ta menaxhonte. Shërbyen atje, me kamera mbi kokë, duke mbajtur si moment të paharrueshëm pritjen madhështore që iu bë në Aeroport, ku vetë ministri i Jashtëm italian i falënderoi një për një, me dorë në zemër.
Në ditët e para të punës mjekët dhe infermierët tanë shkruanin statuse në rrjetet sociale dhe nisën vërtet ta besojnë se janë heronj. Pas përfundimit të punës gjenin kohë nga ditët e ngjeshura në kulmin e virusit vdekjeprurës nëpër këmbë për t’u bërë pjesë e televizioneve tona, që mbushnin programin me “suksesin e tjetrit”. Sot heronjve të një muaji më parë ua kemi hequr “kurorën”. Ishte vetëm një natë festë, për t’ua shembur disi me pa të drejtë shumë net të kaluara në sallën e pavijoneve të mbushura me pacientë të prekur me koronavirus. Më tepër i gjykuam ne sesa një patrullë policore italiane…!
Ata erdhën në Shqipëri, u pritën me shumë më pak bujë nga ç’u përcollën. Ditën që u nisën për në Itali të rreshtuar në kuadrat të rregullt qëndruan disi gjatë deri në përfundim të fjalës së kryeministrit Edi Rama. Gjetje, arritje, imazh pozitiv, krenari, ndihmë, bashkim popujsh…, e çfarë nuk u tha për ta. Merita jo të vogla, madje shumë, mori kryeministri Edi Rama, që si mjeshtër i komunikimit publik, e thithi për vete këtë gjest simbolik. Teksa 60 heronjtë ishin ende në fluturim kryeministri u kthye në “kryehero”! Gjithçka e fryrë më shumë nga sa duhet përfundon shpesh keq! Rama nuk ishte natën e kthimit të tyre në vendlindje për t’i pritur. Ajo gjobë e policisë italiane shembi gjithçka të hiperbolizuar, por nuk mund të shuajë vlerën e vërtetë.
“Vetes ia bënë” – thanë më “moralistët” e “facebook-ut”, duke harruar se një muaj më parë gjykonin me tjetër mendje, me qëndrime të tilla si: “Na bënë krenarë” – shkruanin emigrantët shqiptarë në Itali dhe kudo tjetër. “Kjo është Shqipëria, këta janë heronjtë tanë” – komentonin të tjerë! “I lumtë kryeministrit Rama për këtë gjetje” – ngulmonin më militantët. Kushdo në këtë histerizëm reagimesh u bë “shkrimtar” në profilin e tij në rrjetet sociale, në garë të gjithë se cili do jepte mesazhin më të bukur, që si kut matjeje kishte numrin e “like”-ve (pëlqimeve).
Po heronjtë janë njerëz, të gabueshëm si të gjithë të tjerët. Dhe ne jemi populli që gjykojmë më emocionalisht, që një herë të ngremë në qiell, e më pas të fundosim shtatë pashë nën dhe’. Ata duhen gjykuar ftohtë ose, më e mira, të mos gjykohen fare, as për ikjen e krekosur e as për kthimin me kokën gjysmë të ulur. Nëse dikush do t’u masë rezultatet, diku gjenden të regjstruara në kartelat e pacientëve në spitalet italiane, ku ata shërbyen, qoftë edhe modestisht. Pjesa tjetër është imazh, imazh dhe vetëm imazh, që kur gjykohet ftohtë, përfundon vetëm në mirazh.
Dështimi ose suksesi është vetëm i tyre, madje tërësisht personal, pasi jo të gjithë 60 mjekë dhe infermierë ishin në atë holl feste, madje asesi nuk duhet bërë dallimi se ata që nuk u përzien në “harbimin e ditës së fundit” të konsiderohen më të mirë se të tjerët. Por moralistët e sotëm janë edhe mëkatarët më të mëdhenj që në disa raste ekzaltohen me suksesin ose dështimin e tjetrit. Kur dikush ka arritje edhe më i “paarriri në jetë” e ndien veten si ata dhe përse? Sepse flet një gjuhë e është i një kombi?! Por kur dështojnë i sulmojnë, i anatemojnë e madje nuk ngurrojnë që të përdorin fjalorthin e tyre mjeran që mbyllet me shprehjen: “na turpëruan”! A thua se ata djem e vajza kur ikën për të shërbyer qoftë edhe për një muaj në Itali kishin marrë të drejtën e përfaqësimit të gjithsecilit prej nesh. Është faji ynë, jo i tyre. Ne i bëmë heronj, u thurëm lavde, i konsideruam si “të mbinatyrshëm”, i pompuam pafundësisht, duke mos harruar që edhe infermierin ta bëjmë “pompist”, i përcolli elita politike qeverisëse me tam-tame , por e pritën me gjëmë ardhjen. Dhe për çfarë? Një natë festë, ku gëzonin jo vetëm për kthimin shëndoshë e mirë në atdhe, por edhe për suksesin personal dhe atë pritje të denjë që iu bë në vendin fqinj.
Po aty është vend ku funksionojnë institucionet. Policia bën detyrën e saj, pa u rënë telefonat për t’i lënë se “ashtu është një muhabet”, pa përmendur emra në radiot marrëse-dhënëse se është biri apo bija e filanit, i njohuri i iksit në politikë, apo ypsilonit shef i madh policie. Nuk është faj, por një shkelje administrative, si ato gjobat edhe për parkimin e gabuar që në vendin tonë t’i lënë si pusullat e “hallvaxhinjve” vetëm për të plotësuar normën ditore. Do t’i marrin ato 2000 euro, pasi 500 u ikën nga duart nga ajo gjobë e policisë italiane, por sërish do të kthehen këtu për të parë në llogarinë e tyre atë 45-mijëlekësh që sido ta kollandrisësh me nikoqirllëk, shpenzimet mujore nuk të dalin. Do të kthehen sërish me kolegët që lanë në Spitalin Infektiv e kudo tjetër. Me ata mjekë dhe infermierë që punojnë pa u ndier, që veç përkrahjes morale me duatrokitje nga ballkonet e pallateve kanë nevojën të ndihen të vlerësuar për punën që bëjnë.
Festa mbaroi, imazhi kështu e ka, me shkëlqim të përkohshëm. I vetmi sugjerim për ta, pa bërë askush moralistin, është se duhet të ishin më modestë. Sot nëpër botë ka mijëra mjekë që shërbejnë në vendet e Afrikës, ku ende ka kolerë, mjekë dhe infermierë që shërbejnë në zonat e trazuara me konflikte të armatosura, që teksa bëjnë operacione me ato pak mjete u fluturojnë plumbat mbi krye. Sërish ata nuk ndihen, fjalën hero, as vetes nuk ia thonë!
*Autori është kryeredaktor i gazetës Fjala