Në Tiranë është thirrur një protestë “kundër diktaturës”. Kështu thuhet në njoftimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është organizatore e protestës.
“Mjekë dhe qytetarë të shquar kanë argumentuar se piku i epidemisë së Covid-19 në Shqipëri ka qenë midis fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, pra të paktën një muaj para se qeveria të ndalonte jetën normale në vend, duke dënuar të gjithë popullin me papunësi dhe burg shtëpiak”, thuhet në reagim.
Protesta është planifikuar për t’u zhvilluar këtë të enjte, në orën 12.00, në sheshin Skënderbej.
Pjesëmarrësve u kërkohet që të ruajnë distancën dhe të përdorin maska gjatë protestës.
Reagimi
Të nderuar miq, e ndërmarrim këtē nismë për të thirrur një protestë, kundër diktaturës, falimentimit ekonomik dhe burgut shtëpiak, me të cilin janë dënuar 2.8 milion shqiptarë.
Mjekë dhe qytetarë të shquar kanë argumentuar se piku i epidemisë së Covid-19 në Shqipëri ka qenë midis fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, pra të paktën një muaj para se qeveria të ndalonte jetën normale në vend, duke dënuar të gjithë popullin me papunësi dhe burg shtëpiak.
Mbi 110 mijë njerëz kanë humbur punën në këta dy muaj, pa llogaritur këtu gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat. Shqipëria, e varfër dhe e zhytur në borxhe edhe para epidemisë, tani rrezikon falimentimin ekonomik. FMN dhe BB kanë parashikuar qysh tani një rënie prej 5-7% të prodhimit kombëtar.
Ndërkohë Shqipëria ēshtë tërhequr nga 5 nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
OKB dhe KE kanë paralajmëruar rrezikun e shfrytëzimit të epidemisë si pretekst për fuqizimin e regjimeve autoritare, si Shqipëria.
Ju ftojmë të protestojmë të enjten, më 7 maj, ora 12.00 në Sheshin Skënderbej, në Tiranë, Sigurisht duke ruajtur distancimin social.
Sa më shumë të jemi, aq më të fortë jemi përballë policisë partiake të kryeministrit.