Ndeshja e 3 shtatorit në udhëtim ndaj Moldavisë duhet të jetë ndeshja e ardhshme e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje i takon Grupit 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Është ky edicioni i dytë i Ligës së Kombeve të UEFA, që duhet të fillojë në ditët e para të shtatorit.
Por gazeta angleze Mirror ka shkruar se Liga e Kombeve mund të shtyhet apo të anulohet plotësisht për shkak të ngarkimit të kalendarit ndërkombëtar të futbollit. Aktualisht futbolli është i pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bundesliga fillon më 16 maj, ndërsa kampionati në Kore të Jugut ka nisur këtë të premte. Ligat e tjera të mëdha evropiane shpresojnë të vazhdojnë në qershor. Ndërkohë ndeshjet e ekipeve përfaqësuese që ishin programuar në qershor janë shtyrë apo anuluar. Nuk ka vendim zyrtar për ndeshjet e shtatorit, për Ligën eKombeve. Është në fuqi vendimi për zhvillimin e ndeshjeve.
Sipas Mirror, UEFA të hënën do të diskutojë për Ligën e Kombeve, për të gjetur zgjidhje për të apo për ta anuluar. Në Federatën e Futbollit të Kosovës megjithatë nuk presin që të ketë vendim të UEFA-s për shtyrje apo anulim të Ligës së Kombeve.
FFK-ja planifikon grumbullim të lojtarëve në fund të gushtit, që ata të jenë të gatshëm për ndeshjet me Moldavinë në transfertë dhe me Greqinë në shtëpi. Ndeshja me Greqinë duhet të luhet më 6 shtator në “Fadil Vokrri”. Më 10 tetor Kosova luan në shtëpi me Slloveninë, ndërsa më 13 tetor në udhëtim me Greqinë. Ndërkohë në nëntor janë ndeshjet e fundit, me Greqinë në udhëtim dhe me Moldavinë në shtëpi.
Veç kësaj, Kosova në tetor duhet të luajë ndeshjen gjysmëfinale të Play Off për “Euro 2020” ndaj Maqedonisë Veriore në Shkup. Nëse fiton duhet të luajë edhe ndeshjen finale, me shumë mundësi në nëntor, me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë.