Kryeministri Edi Rama ka ftuar politikanët kryesorë në vend në një tryezë të përbashkët bisedimesh.
Në ditën e Evropës Rama ftoi aktorët kryesorë të politikës për të marrë secili përgjegjësitë e tyre dhe përmbushjen e detyrave përkatëse lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, Rama falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen që I ka dhënë Shqipërisë në dy situatat e fundit kur ka pasur vërtet nevojë për ndihmë, si ajo e tërmetit dhe pandemia e COVID-19.
Rama gjithashtu u shpreh se është gati që të ulet në një tryezë me Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe aktorët e tjerë për çështjen e integrimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave.
“Politika ka lindur për t’iu dhënë mundësi njerëzve të bëjnë së bashku gjëra që vetëm nuk i bëjnë dot. Tangoja dhe vallja e shpatave nuk kërcehen vetëm”, tha Rama duke u shprehur i gatshëm për bashkëpunim.
Ndërkohë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim mes palëve politike.