Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë urgjente KQZ në të cilën kërkohet, vendosja e ligjshmërisë në procesin e votimit të diasporës në Greqi.
Përfaqësuesi ligjor i PD-ASHM në KQZ Franci Nuri ka denoncuar problemet me zarfet e votimit në Greqi, problem për të cilin PD kërkon nga KQZ-ja ndërhyrje me urgjencë.
Në kërkesën e PD-ASHM, thuhet se ndryshimi i befasishëm i tërheqjes individuale të zarfeve pranë DHL ka ngritur shqetësime serioze mbi transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit të votimit.
“Kur filloi nisma për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në këto zgjedhje, autoritetet zgjedhore garantuan publikisht se çdo zarf me votë do të dorëzohej në adresën e deklaruar të votuesit në PER, përmes një shërbimi postar të drejtpërdrejtë. Votuesit u siguruan se nuk do të kishin nevojë të dilnin nga shtëpia dhe se procesi do të ishte personal, i sigurt dhe pa ndërmjetës. Por më para pak ditësh, KQZ ndryshoi papritur qasje. Përmes një njoftimi të thjeshtë të publikuar nga në rrjetet sociale të KQZ, votuesit shqiptarë në Greqi, u njoftuan nga KQZ se duhet të paraqiten personalisht pranë pikave të DHL për të tërhequr ose dorëzuar zarfin e votimit. Ky ndryshim i befasishëm ka sjellë jo vetëm konfuzion mes votuesve, por ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit.
Ndryshimi i mënyrës së shpërndarjes së zarfeve bie ndesh me deklaratat dhe rregullat e mëparshme të KQZ-së. Sipas kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi, operatori postar ishte i detyruar të dorëzonte fizikisht çdo zarf tek votuesi, kundrejt nënshkrimit dhe paraqitjes së një dokumenti identifikimi. Madje u theksua publikisht se asnjë anëtar familje nuk mund të merrte zarfin në emër të një tjetri dhe do të bëheshin tre tentativa për t’u gjetur votuesi në adresë.
Në Greqi prej javësh kemi raportime se zarfat me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpesh herë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët. Këta persona, të dyshuar tëlidhur me Partinë Socialiste dhe strukturat e saj, ka njoftime se mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit, cka është totalisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme”, thuhet nder te tjera ne shkrese./E.S
Disa nga denoncimet e publikuara nga PD


