Qarku Shkodër pritet të sjellë surpriza më 11 maj. Me përjashtim të Tiranës, ky ishte i vetmi qark në vitin 2021 i cili u dha mandate katër partive të ndryshme: PS, PD, LSI (sot Partia e Lirisë) dhe PSD.
Situata politike ka ndryshuar shumë në vitet e fundit, kështu që qarku Shkodër ka një mandat që nuk parashikohet me lehtësi. Bëhet fjalë për mandatin e 11-të, i cili aktualisht mbahet nga Agron Çela, ish-kandidat i LSI.
Çela ka kaluar në radhët e PS, duke angazhuar të bijën si kandidate në listën e socialistëve. Ai ka qenë lokomotiva e votave të LSI ndër vite në qytetin e Shkodrës dhe qytetet përreth brenda qarkut. Kalimi i tij te PS mund të bëjë që socialistët më 11 maj të marrin një mandat më shumë se në 2021, pra 4.
Në lojë, gjithsesi, është edhe PSD e Tomë Doshit, parti e cila sivjet pretendon 3 mandate në qarkun Shkodër, një më shumë se zgjedhjet e shkuara. Doshi është rritur shumë që pas zgjedhjeve lokale 2023.
Edi Rama dje “ngacmoi” kryetarin e bashkisë Vau-Dejës, Kristjan Shkreli, duke e porositur të mos luajë me dy porta. Kryeministri është i vetëdijshëm se Vau-Dejës është një pikë e fortë e PSD, por kryetar bashkie është Shkreli me siglën e PS.
Me pak fjalë, gara e vetme e hapur në qarkun Shkodër nuk është ndërmjet PS dhe PD, por ndërmjet PS dhe PSD. Pritet që këtë garë ta fitojnë socialistët, duke qenë se bashkia Shkodër tashmë drejtohet nga socialisti Benet Beci.
Rama është në pozita të favorshme në qarkun verior. Ai pritet të marrë 4 mandate, një më shumë se në vitin 2021. Ky rezultat do ta zhytë edhe më keq PD, e cila teorikisht duhej të ishte dominuese në Shkodër, por prej vitesh ka pësuar vetëm rënie. m.p.