11 maji po afron dhe ethet e zgjedhjeve parlamentare veçse shtohen. Televizionet kombëtare sonte do të paraqesin sondazhet e fundit, ku do të jepen parashikimet e votës së shqiptarëve në nivel kombëtar. "new.fjala.al/", ashtu si ditët e kaluara, po jep një prognozë për qarqet më të diskutueshme, duke parashikuar dinamikat e 11 majit:
Qarku Tiranë – Askush nuk mund të parashikojë me siguri të plotë rezultatin e 11 majit për qarkun Tiranë. Partitë e reja si “Mundësia” dhe “Shqipëria Bëhet” pritet të marrin mandate, ndërkohë që Partia e Lirisë pritet të ketë rezultat shumë të dobët. Kjo e bën të paqartë panoramën e përgjithshme të Tiranës. Pavarësisht arrestimit të Erion Veliajt, sipas të gjitha sondazheve në vend, PS pritet të ruajë kuotat e 2021 ose të fitojë 1-2 mandate më shumë. PS po luan si parti e vetme në këto zgjedhje, ndryshe nga opozita, e cila ka shumë subjekte më vete. Ky “parcelizim” i votës është ndihmesë e jashtëzakonshme për PS, e cila pritet të ketë minimalisht 6 mandate më shumë se PD.
Qarku Korçë – PS rrezikon të humbasë një mandat në këtë qark, duke qenë se Korça nuk ka më 11 mandate sa në vitin 2021, por një më pak (për shkak të rënies së popullsisë). Ky mandat i ka kaluar qarkut Tiranë (nga 36 në 37). Ky ndryshim disavantazhon socialistët, sepse shton shanset që rezultati final i 11 majit të jetë barazim 5-5. Këtë herë PD është në një listë me Partinë e Lirisë (jo me dy lista si zgjedhjet e shkuara), çka maksimalizon votat e “shportës” opozitare.
Qarku Vlorë – Në 2021, PS e mori me vështirësi mandatin e tetë në këtë qark. LSI (sot Partia e Lirisë) ishte shumë pranë marrjes së një mandati, por ndarja në dy lista me PD e penalizoi Ilir Metën. Sidoqoftë, situata ka ndryshuar. PS është e favorizuar këto zgjedhje, edhe opozita e Vlorës është shumë e copëzuar. Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj pritet të marrin shumë vota në këtë qark, por pa prodhuar dot mandat. Kjo i ndihmon socialistët jo vetëm për të ruajtur 8 mandatet, por për të fituar një më shumë për shkak të diferencës së thelluar me demokratët. m.p.