“Në një përpjekje për të ndrequr padrejtësinë që pësova, duke u burgosur për 16 muaj dhe duke më hequr mundësinë për të marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, i paraqita Gjykatës së Lartë prova të rëndësishme në lidhje me gjyqin tim të paligjshëm.”
Kështu është shprehur Fredi Beleri për mediat greke, duke ju referuar dokumenteve zyrtare të shtetit grek të cilat provonin se gjyqtarja e posaçme që drejtoi procesin penal ndaj tij, ishte dënuar në fakt në shtetin fqinj me gjobë dhe burg.
Shtypi në vendin fqinj i ka bërë jehonë deklaratave të Fredi Belerit dhe thotë se eurodeputeti i Demokracisë së Re kërkon që të rishikohen 16 muaj që ai qëndroi në burg dhe vendimi për detyrën si kryetar i Himarës, që ju besua me votë por nuk u betua dot.
“Gjyqtarja Irena Gioka, e cila më dënoi, ishte dënuar vetë për falsifikim dokumentesh në Greqi me një dënim me burg prej 3 muajsh (i cili u shndërrua në gjobë) dhe u deportua nga shteti grek. Kjo shpjegon urrejtjen që ai ushqen ndaj pakicës etnike greke dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur”, ka thënë ai.
Fredi Beleri kërkon rishikim të vendimeve që janë marrë ndaj tij, duke pretenduar se për shkak të dënimit në Greqi, Irena Gjoka ka pasur mllef antigrek dhe ndaj e dënoi me burgim atë si minoritar.
“Jo vetëm si gjyqtare, por edhe si drejtuese e Gjykatës Speciale gjatë vitit 2023, ajo shkeli ligjin, përdori procedura të paligjshme dhe prova të rreme kundër meje. Një person i dënuar, sipas Kushtetutës, nuk mund të jetë gjyqtar në Republikën e Shqipërisë, e lëre më drejtues i GJKKO-së, gjykatës më të rëndësishme në vend. Kjo tregon qartë procesin e paligjshëm dhe të orkestruar politikisht që u zhvillua kundër meje”, ka shtuar eurodeputeti.
Fredi Beleri nuk kursen as prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili firmosi urdhërarrestin për dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit 2023.
“U arrestova nga një prokuror i cili aktualisht është në paraburgim për ndikim të paligjshëm në nëntë raste që ai kishte trajtuar, u dënova nga një gjyqtar i dënuar i cili nuk duhet të shërbente në sistemin gjyqësor. Prandaj, sot, në përputhje me ligjin, i kërkova Gjykatës së Lartë të Shqipërisë shqyrtimin e vendimeve që kanë të bëjnë me mua. Shpresoj që drejtësia shqiptare do të jetë në lartësinë e situatës. Edhe tani, edhe në kohë të ndryshme. Drita duhet ta mposhtë errësirën”, përmbyll Fredi Beleri. m.p.