Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, Shqipëri Vlerësohet Maksimalisht nga BBG Austria: Një Shembull i Suksesit në Prokurimet Publike
Në një vlerësim të fundit nga Bundesbeschaffung GmbH (BBG) – Agjencia Federale e Prokurimeve Publike e Austrisë – Organi i Blerjeve Publike (OBP) i Shqipërisë është cilësuar si një model i suksesshëm në fushën e prokurimeve të centralizuara dhe bashkëpunuese.
Gjatë një vizite zyrtare në Vjenë, përfaqësuesit e OBP-së u pritën me ngrohtësi nga BBG Austria, e cila vlerësoi lart përpjekjet dhe arritjet e OBP-së në vetëm një vit nga themelimi i saj si ndërmarrje shtetërore. Në deklaratën zyrtare, BBG Austria theksoi:
“Ishim shumë të kënaqur dhe të nderuar që ju mirëpritëm në Vjenë. Ky ishte një shkëmbim i vlefshëm për ne, si dhe një mundësi e mirë për të reflektuar mbi sistemet tona të prokurimit publik dhe qasjet ndaj prokurimit të centralizuar dhe bashkëpunues. Ju urojmë shumë suksese në profesionalizimin dhe zhvillimin tuaj të mëtejshëm, dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë si partnerë në këtë rrugëtim. Gjithashtu, urime OBP -së për përvjetorin e parë si një ndërmarrje shtetërore e suksesshme.”
Ky vlerësim nga një institucion prestigjioz si BBG Austria është një dëshmi e qartë e përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit të OBP-së në përmirësimin e sistemit të prokurimeve të përqëndruara në Shqipëri.
Në vetëm një vit, OBP ka arritur të krijojë një strukturë funksionale dhe efikase, duke implementuar praktika të avancuara dhe duke ndërtuar partneritete të forta ndërkombëtare. Ky sukses është një hap i rëndësishëm drejt një administrate publike më transparente dhe të përgjegjshme.
OBP shpreh mirënjohjen e saj për BBG Austria për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shpresuar në projekte të reja dhe suksese të përbashkëta në të ardhmen./e.t