Bota e tenisit është në zi këtë të martë. Arsyeja është vdekja e një prej talenteve të rinj më premtues amerikanë, Braun Levi.
I riu, 18-vjeçar u përplas për vdekje nga një grua që po drejtonte makinën nën ndikimin e alkoolit, ndërsa po shëtiste me një mik në Sepulveda Boulevard, në Manhattan Beach.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore, i riu ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Disa orë më vonë, Departamenti i Policisë së Manhattan Beach (MBPD) bëri të ditur se drejtuesja e automjetit, Jenia Belt, 33 vjeç, u arrestua nën dyshimin se po drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
“Na thyhet zemra teksa ndajmë lajmin për vdekjen e Braun Levi, nxënës në vitin e fundit në Loyola”, shkroi Loyola High Athletics në llogarinë e saj në Twitter.
“Levi, 18 vjeç, ka qenë titullar për katër vite në ekipin universitar të tenisit të Loyolës dhe u konsolidua si një nga studentët-atletë më të dalluar në historinë e këtij programi, duke fituar së fundmi titullin e katërt radhazi të ligës”, shtoi më tej./E.S