Simon Nixon
Nga të gjitha tronditjet që kanë goditur Evropën në tre muajt e fundit, asnjë nuk është më shkatërruese se vetëdijesimi se kontinenti ndoshta nuk mund të mbështetet më në garancinë e sigurisë amerikane. Edhe pse përçmimi i Donald Trump ndaj Evropës ishte paralajmëruar prej kohësh, pak mund ta kishin imagjinuar një botë ku një president amerikan do të poshtëronte publikisht një krer shteti të një aleati europian në Zyrën Ovale, do të ndërpriste ndarjen e inteligjencës në mes të një lufte, apo do të hartonte një marrëveshje paqeje të njëanshme me Rusinë pa përfshirë Kievin dhe aleatët e tij europianë.
Ajo që e ka bërë edhe më të rëndë këtë tronditje është fakti brutal që Evropa nuk është në gjendje të mbrojë interesat e saj. Edhe pse liderët evropianë i luten Trumpit që një paqe pa garanci të forta sigurie për Ukrainën nuk është paqe fare, pozicioni i tyre është i dobët për faktin se ata vetë nuk janë në gjendje t’i ofrojnë këto garanci. Kur JD Vance dhe Pete Hegseth akuzuan europianët si “pashpresa që përfitojnë pa kontribuar”, kjo goditje ishte edhe më e dhimbshme sepse ishte pjesërisht e vërtetë. Britania dhe Franca mezi kanë arritur të krijojnë një “koalicion të vullnetarëve” për një forcë minimale paqeruajtëse, lëre më të zëvendësojnë mbrojtjen ajrore dhe inteligjencën fushore që aktualisht ofron Amerika.
Përballë kësaj realiteti gjeopolitik, përfundimi i vetëm është se Evropa duhet urgjentisht të përmirësojë aftësitë e saj mbrojtëse – dhe lajmi i mirë është se kjo është tashmë e pranuar gjerësisht. Pothuajse të gjitha vendet europiane anëtare të NATO-s janë zotuar të arrijnë nivelin e shpenzimeve ushtarake prej 2% të PBB-së këtë vit. Gjermania ka lehtësuar kufizimet buxhetore për të lejuar deri në 1 trilion euro shpenzime shtesë për mbrojtjen në katër vitet e ardhshme. BE-ja ka krijuar një mekanizëm për të lejuar shtetet anëtare të marrin hua me kosto të ulët për mbrojtjen dhe ka ndryshuar rregullat fiskale për të përjashtuar shpenzimet ushtarake nga përllogaritja e borxhit publik.
Por lajmi i keq është se kjo nuk mjafton. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se anëtarët duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen në “më shumë se 3%” të PBB-së. Për më tepër, rregullimet fiskale dhe huatë me interesa të ulëta nuk do t’i ndihmojnë shumë vendet e BE-së me borxh të lartë, pasi tregjet financiare janë kufizimi i vërtetë: çdo kursim në interesa nga huatë e BE-së mund të zhduket nga rritja e normave të interesit për pjesën tjetër të borxhit të tyre. Ndërkohë, asnjë vend europian i vetëm nuk do të arrijë të sigurojë “mundësuesit strategjikë” që aktualisht ofrohen nga SHBA-ja.
Megjithatë, ekziston një rrugëdalje për Evropën – dhe nëse europianët do ta ndjekin, kjo do të jetë një provë vendimtare për seriozitetin e kontinentit, një provë që nuk guxojnë ta dështojnë. Një dokument i ri i rëndësishëm i publikuar nga Bruegel, një institut kërkimor me bazë në Bruksel, paraqet një propozim bindës për një mekanizëm europian të mbrojtjes – një fond i përbashkët mbrojtjeje që do të ishte i hapur për çdo vend që dëshiron të bashkohet dhe që me kalimin e kohës do të transformonte aftësitë mbrojtëse të kontinentit. Ky plan, i hartuar nga ekonomistët e njohur Guntram Wolff, Armin Steinbach dhe Jeromin Zettelmeyer, mund të jetë mënyra e vetme realiste për ta arritur këtë.
Plani është veçanërisht tërheqës sepse adreson të gjitha sfidat kryesore që përballet çdo iniciativë e riarmatosjes europiane. Së pari, do të ishte i pavarur nga BE-ja. Kjo do të thotë se do të ishte i hapur për lojtarët kryesorë si Britania, Norvegjia dhe Zvicra që nuk janë anëtarë të BE-së, ndërkohë që do të përjashtonte ato vende të BE-së që, për shkak të neutralitetit të sanksionuar në kushtetutë, nuk mund të marrin pjesë në nisma të përbashkëta mbrojtjeje. Dhe ndryshe nga BE-ja, nuk do të ishte i cenueshëm nga veto të vendeve si Hungaria, qeveria e së cilës nuk ndan të njëjtat vlera.
Së dyti, ky mekanizëm do të funksiononte si një “bankë e riarmatosjes”, që do të merrte hua në tregje përmes emetimit të obligacioneve për të blerë armë në emër të anëtarëve të saj, por borxhi nuk do të regjistrohej në bilancet kombëtare deri në momentin që vendet do të merrnin në dorëzim pajisjet. Për më tepër, nëse fondi do të blinte mallra publike si sisteme satelitore apo mbrojtje ajrore të përbashkët, këto mund të paguheshin përmes tarifave vjetore të shërbimit, pa shtuar presionin fiskal mbi qeveritë e veçanta.
Së treti, mekanizmi mund të kapërcejë një nga problemet më të mëdha në tregun europian të mbrojtjes: fragmentimin e lartë, i përforcuar nga prirja për blerje kombëtare. Rezultati është shumë produkte të ndryshme, porosi të vogla dhe pak konkurrencë – çka çon në çmime më të larta. Edhe vendet e mëdha shpesh bëjnë porosi të vogla. Që nga viti 2022, Gjermania ka porositur vetëm 123 tanke Leopard 2 që do të dorëzohen deri në vitin 2030. Ndërkohë, vendet europiane përdorin 12 lloje të ndryshme tankesh, ndërsa SHBA ka vetëm një.
Deri më tani, BE-ja nuk ka qenë në gjendje ta kapërcejë këtë fragmentim, sepse traktatet e saj përfshijnë një përjashtim të posaçëm për sektorin e mbrojtjes (neni 346), që e bën të pazbatueshëm ligjërisht çdo plan për prokurime të përbashkëta mbi bazë tenderash konkurrues dhe pa diskriminim.
Por si një traktat ndërqeveritar jashtë BE-së, mekanizmi i ri europian nuk do të ishte subjekt i këtij përjashtimi. Porositë e përbashkëta për pajisjet e nevojshme në vitet që vijnë do t’u jepnin qeverive europiane më shumë “vlerë për paranë” në procesin e riarmatosjes.
Më mirë akoma, perspektiva e një blerësi të vetëm dhe të fuqishëm europian do ta nxiste industrinë e mbrojtjes që të investonte në teknologji që aktualisht gjenden vetëm në tregun amerikan – përfshirë avionët luftarakë të gjeneratës së pestë, sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, artilerinë me raketa si Himars dhe helikopterë të rëndë transporti. Kjo do t’u mundësonte europianëve të ulnin varësinë nga sistemet amerikane.
Është e vërtetë se ajo që po propozohet do t’i detyrojë qeveritë të përballen me zgjedhje të vështira. Për Britaninë, e cila doli nga BE më pak se një dekadë më parë, kjo do të ishte një hap i madh drejt integrimit europian. Për vende si Gjermania dhe Holanda, të cilat kanë rezistuar prej kohësh huamarrjes së përbashkët, do të kërkonte kapërcimin e një tabu politike. Vendet më të vogla do të shqetësohen për ndikimin mbi sektorët e tyre të industrisë së mbrojtjes.
Por nëse Evropa dëshiron të ketë ndonjë shans për të mbetur një pol i pavarur në botën shumëpolare që po vjen me shpejtësi, çfarë zgjedhje tjetër i ka mbetur? Në fakt, rreziku real është se ndoshta është tashmë shumë vonë.