Nga Leonard Veizi
Ai shkroi Madam Bovari. Vetë romani u bë manifesti i realizmit letrar dhe mbetet edhe sot një vepër unike në letërsinë botërore. Është lexuar dhe rilexuar vazhdimisht – dhe padyshim, është ekranizuar.
Gustave Flauber ishte i përkushtuar ndaj përshkrimit të jetës ashtu siç është – pa idealizime, pa romantizëm të zbrazët. Ai krijoi një stil të ftohtë, analitik dhe preciz, duke hequr dorë nga ndërhyrjet e autorit dhe moralizimi i drejtpërdrejtë. Fjala e tij e famshme: “Madame Bovary, c’est moi”, e përkthyer në shqip si “Zonja Bovari jam unë”, flet për aftësinë e autorit për t’u futur thellë në ndërgjegjen e personazhit pa e gjykuar.
Flober solli një portretizim të brendshëm të një gruaje që lufton me mërzinë ekzistenciale, dëshirën për përmbushje dhe konfliktin mes ëndrrave dhe realitetit. Ema Bovari u kthye në një arketip të gruas që thyen normat shoqërore, por që paguan çmimin. Pas saj erdhën edhe Ana Karenina e Tolstoit, si dhe Nora Helmer e Ibsenit në “Shtëpia e kukullës”.
Si një lloj legjende urbane në biseda letrare thuhej shpesh se Madam Bovari e Gustave Flober dhe Ana Karenina e Lev Tolstoit ishin shkruar në periudha të afërta kohore dhe trajtonin një temë thuajse të ngjashme. Megjithatë, duhet theksuar se këto dy romane të mëdhenj nuk janë shkruar njëkohësisht në kuptimin e ngushtë kronologjik. Madam Bovari u botua për herë të parë në vitin 1856 në Francë, ndërsa Ana Karenina u botua mes viteve 1875–1877 në Rusi.
Nisja
Jetëshkrimi i Gustav Floberit është i njohur tashmë, e nuk ka sekrete. Ai u lind më 12 dhjetor 1821 në Rouen, në një familje borgjeze, djali i njërit prej kirurgëve më të shquar të kohës. Fillimisht, prindërit e shtynë drejt studimeve juridike në Paris, por një krizë nervore me karakter epileptik, e detyroi ta braktiste universitetin. Kjo krizë shënoi një kthesë vendimtare në jetën e tij: ai u tërhoq në shtëpinë e familjes në Kruase, buzë lumit Senë, ku do të jetonte pjesën më të madhe të jetës dhe do të shkruante veprat e tij më të rëndësishme.
Që në rini, Flober u përfshi në marrëdhënie të ndërlikuara dashurore, veçanërisht me poeteshën Luis Kole, me të cilën zhvilloi një korrespondencë të gjatë dhe intensive. Kritika shkuan se: këto ndjenja të pasionuara e ushqyen shpirtërisht dhe ndikuan në formimin e tij estetik, duke e orientuar drejt një romantizmi të brendshëm, të përmbajtur, që në vetvete u kthye në një bazë për realizmin e tij të mëvonshëm. Nisi të shkruante që në moshë të re, dhe ndër veprat e tij të hershme përmenden novela “Kujtimet e një të marri” në vitin 1838 dhe “Nëntori” më 1842, të cilat pasqyrojnë përpjekjet e para drejt një zëri letrar të veçantë.
“Madam Bovar”
Pas një udhëtimi të gjatë në Lindjen e Mesme dhe Egjipt më 1850, Flobert nisi të shkruante kryeveprën e tij, që sipas origjinalit njihet “Madame Bovary”. E përfundoi pas pesë vitesh pune të përpiktë, dhe romani u botua fillimisht me pjesë në revistën “Revue de Paris” më 1856.
Botimi shkaktoi menjëherë skandal: autoritetet e kohës e akuzuan për shkelje të moralit publik dhe fesë. Gjyqi ndaj tij dhe botuesit u kthye në një ngjarje letrare kombëtare, por më në fund të dy u shpallën të pafajshëm. Kjo fitore përforcoi statusin e Flobert si një mbrojtës i lirisë artistike dhe e ngjiti romanin në majat e vlerësimit letrar.
Kritika vëren gjithashtu se: “Madam Bovari”, përmes portretit të gruas provinciale të zhytur në ëndrra romantike dhe dëshpërime të heshtura, hodhi themelet e realizmit modern në letërsi.
Krijimtaria
Pas “Bovari”-s, Flobert vazhdoi të shkruante vepra të tjera të rëndësishme si: “Salammbo” më 1862, një roman historik i vendosur në Kartagjen e lashtë, që dëshmon për ndikimet nga udhëtimet e tij në Lindje; “Un cœur simple” apo “Zemra e thjeshtë” i botuar më 1877, një tregim plot ndjeshmëri e humanizëm; “L’Éducation sentimentale”, si dhe “Edukimi sentimental” i botuar më 1869, që përshkruan me përpikëri shpërbërjen morale të një brezi.
Ai ishte gjithashtu një korespondent i frytshëm dhe letrat e tij për Luiz Kole, për mikun e tij Maksím Dy Kamp apo për shkrimtarin Gi de Mopasan – të cilin e mbështeti fuqimisht në hapat e parë – përbëjnë një thesar të çmuar të reflektimeve për artin dhe jetën.
Një nga figurat kyçe në jetën e Floberit ishte miku dhe poeti Lui Bujle, të cilin ai e konsideronte si ndërgjegjen e tij letrare. Pas vdekjes së Bujle në vitin 1869, Flober shkroi: “Pardje varrosa ndërgjegjen time letrare, trurin, busullën time”. Pa këtë miqësi, ai pohonte se nuk do të kishte mundur të shkruante romanet e tij më të rëndësishme.
Epilogu
Më 8 maj 1880, Gustav Flober, ky shkrimtari i madh i letrave franceze, por dhe atyre botërore, vdiq në moshën 58-vjeçare. Vdiq pas një hemorragjie cerebrale, duke lënë pas një trashëgimi të madhe letrare që vazhdon të ndikojë breza të tërë shkrimtarësh dhe studiuesish në të gjithë botën.
Flobert nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ai ishte i hapur për jetën e tij intime dhe nuk ngurroi të rrëfente për përvojat seksuale me prostitutat gjatë udhëtimeve të tij. Sipas biografit Emil Fagè, marrëdhënia e tij me Luiz Kole ishte e vetmja lidhje serioze e dashurisë.
Vitet e fundit të jetës i kaloi mes krizave financiare, vdekjes së së ëmës në vitin 1872 dhe vuajtjeve të mëdha shpirtërore. Shtëpia e tij u pushtua nga trupat prusiane gjatë Luftës franko-prusiane të vitit 1870, duke e rënduar më tej gjendjen e tij psikologjike dhe materiale.
Por Flober vazhdon të mbetet një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë europiane dhe përfaqësuesi kryesor i realizmit në letërsinë franceze të shekullit XIX, mjeshtër i stilit, përpunues i përkryer i gjuhës, dhe një përfaqësues i përkushtimit të palëkundur ndaj artit të fjalës.