Procesi i numërimit të votave (QV në Shqipëri) të zgjedhjeve të 11 majit ka përfunduar, kështu që është koha për një analizë të ftohtë, edhe pse jo të plotë. Duke hequr votat e diasporës, matematika tregon se Partia Socialiste nuk u rrit, por mori 35 mijë vota më pak se në zgjedhjet e vitit 2021. Edi Rama fitoi më shumë mandate, por kryesisht për shkak të sistemit zgjedhor, i cili favorizon partinë e parë (në çdo qark) kur opozita është shumë e parcelizuar. Diferenca e llahtarshme PS-PD solli një rezultat tronditës: 83 mandate për shumicën.
Diaspora – Vota e diasporës e thelloi edhe më shumë këtë diferencë dhe kjo e ka një shpjegim. Demokratët kanë disa vite që i kanë lëshuar çdo pushtet Ramës dhe vetëm një parti e gjithëpushtetshme mund të kishte infrastrukturën për të “peshkuar” më shumë vota në diasporë. Diaspora nuk është domosdoshmërisht pro Ramës. Nuk ka asnjë mekanizëm që e mat këtë. Në zgjedhje votuan vetëm 10% e emigrantëve shqiptarë. Merita e Ramës është se regjistroi më shumë votues nga jashtë, sepse kishte të gjitha mjetet për ta bërë këtë. Këto mjete kryesisht i ka në zotërim falë gafave taktike të Partisë Demokratike (dorëzimi i mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve lokale, përplasjet e brendshme dhe oferta e pandryshuar). Duhet të pranojmë një fakt. Nuk është se 1,7 milionë emigrantë shqiptarë mezi po prisnin të vinte dita e votimit me postë. Nuk pamë asnjëherë një protestë, manifestim apo organizim masiv të vetë emigrantëve shqiptarë për të kërkuar të drejtën e votës. Ne dëshmuam në rrjete sociale vetëm disa grumbullime me 20-30 vetë në disa qytete evropiane. Nuk qenë vetë emigrantët ata që kërkuan të drejtën e votës. Një meritë të madhe për ndërgjegjësimin e tyre ka Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e cila udhëtoi në dhjetëra qytete e fshatra në diasporë duke i ftuar të votojnë, por kjo nuk qe një thirrje e brendshme e diasporës, sado që ne përpiqemi të mendojmë të kundërtën. Votuan kryesisht ata të cilët u kontaktuan nga partitë. Deri më 11 maj hamendësonim se emigrantët kishin mjaftueshëm interes dhe kulturë demokratike për të votuar, por ja që nuk është kështu.
Opozita – Në vitin 2021, PD-LSI morën 730 mijë vota gjithsej. Ato qenë vota kundër Ramës, pra votues opozitarë, të cilët dëshironin ndryshimin e qeverisë. Më 11 maj, katër vite më vonë, PD-LSI morën 247 mijë vota më pak. Nga këto, rreth 150 mijë shkuan për partitë e reja (përfshirë Bashën). Teprojnë thuajse 100 mijë vota. A është rastësi që kjo shifër është e përafërt me votat që mori LSI-ja në vitin 2021? Afërmendsh, jo. Është numri i votuesve që priren të shkojnë aty ku nuhatin sukses, pra individë të cilët votojnë për interes personal. Nuk janë as socialistë, as demokratë. Janë thjesht pragmatistë. Mund t’i quajmë edhe oportunistë. Nga këta 100 mijë pragmatistë, 12 mijë kaluan te PSD-ja (rritja e saj në krahasim me vitin 2021), ndërsa 88 mijë të tjerë refuzuan të votojnë (shumë edhe mund të kenë emigruar). Pragmatistët na kanë treguar se janë të nxitur për të votuar vetëm kur shohin rrotacionin në horizont. Ata nuk janë tifozë, por duan diçka mbrapsht. Duan të shohin se nga po anon peshorja e pushtetit.
Berisha – Partia Demokratike nuk dha asnjë sinjal fitoreje për këtë pjesë të votuesve shqiptarë, të cilët mund të kishin nxitur mijëra të tjerë për të votuar. Demokratët u përqendruan kryesisht te militantët dhe treguan se kishin vetëm hallet personale të Sali Berishës, i cili bëri fushatën më “të thatë” në historinë e PD-së. Berisha u kujdes për kontrollin e partisë dhe për shpëtimin e imazhit të tij duke lobuar në SHBA. Ai e personalizoi fushatën, duke u shfaqur i vetëm. Me mbylljen e listave, ai vuri në gjumë kandidatët opozitarë, të cilët, me përjashtime të vogla, ishin një ofertë e vjetër, pa risi dhe energji. Me primaret, ai nxiti pakënaqësi dhe urrejtje brenda partisë. Ai lejoi Ramën që, pas 12 vitesh në pushtet, të kishte përballë një 80-vjeçar të stërkonsumuar, i cili ka qenë pesë vite president dhe tetë vite kryeministër. Rama është fatlum i madh, sepse garoi me një rival i cili akuzohet për vrasjen e katër qytetarëve (21 janar) dhe për ngjarjen fatale në Gërdec. Rama është fatlum i madh, sepse garoi me një politikan, i cili u kujton shqiptarëve makthin e skemave piramidale dhe luftën civile. Ndoshta Berisha është krejtësisht i pafajshëm për këto ngjarje, sepse asnjë akuzë nuk është vërtetuar, por kujtimet e secilës prej tyre janë ngarkesa të rënda në ndërgjegjen e votuesit. Kjo ofertë aspak bindëse e PD-së, por lehtësisht e shmangshme, pezmatoi qytetarët, sepse nuk mund t’i jepnin votën një partie humbëse. Humbësi nuk të çon askund dhe populli nuk mund të mbyllte sytë për 12 vite me radhë. Rama mund të mposhtej vetëm nëse përballë tij do të ishte një i ri pa “mëkate” të së kaluarës. Berisha e pati mundësinë të garonte duke zgjedhur një kandidat përbashkues për kryeministër, por nuk e bëri. Ai zgjodhi të mendojë vetëm për vete. Populli mund të jetë i varfër (sidomos shpirtërisht) dhe, me siguri, e ka humbur shpresën te politika, por nuk mund të motivohet për t’u kthyer dy apo tri dekada pas me Berishën.
11 maji nuk pati garë. Shqiptarët e dinin se 11 maji ishte si një ndeshje futbolli e Barcelonës me Egnatian. Populli nuk nxitet të votojë, kur nuk sheh garë. Populli shkon në stadium, kur ka emocionin e pyetjes “kush do të fitojë?”. Pra, jo Barcelona-Egnatia, por Barcelona-Inter. Kjo ndeshje, po, do të motivonte njerëzit për të shkuar në stadium, pra te kutia e votimit. Ndodhi në vitin 2021, sepse pati garë. Shqiptarët këtë vit nuk e patën shansin të përjetonin emocionet e një gare politike. Kjo dramë opozitare prodhoi një tragjedi kombëtare. “Jo për ne”, mund të thonë socialistët e lumtur, por për demokracinë, po. E tregojnë shifrat: 1,66 milionë votues në Shqipëri në 2021 dhe 1,46 milionë votues në Shqipëri në 2025. Pra, 200 mijë shqiptarë thanë “Rama-Berisha? Nuk dua asnjërin. Nuk votoj. Partitë e reja? Nuk e sfidojnë dot sistemin”. Këto janë fjalitë që këta 200 mijë shqiptarë të pezmatuar i thanë vetes në mëngjesin e 11 majit. Pasojën e pamë të gjithë. Për herë të parë, atë ditë në qendrat e votimit nuk kishte radhë. Këto zgjedhje qenë si një lojë me titull “Hajde bëjmë sikur ka garë!”, por populli nuk është fëmijë. Po të ishte fëmijë, nuk do të kishte të drejtë vote.
Shënim: Kur demokratët bërtasin “Rama vjedh zgjedhjet”, duhet të shtojnë edhe një fjali tjetër: “Ne jemi arsyeja pse ai shkoi nga 74 në 83 mandate”. PS sot është thuajse fuqiplotë për të ndryshuar Kushtetutën dhe po merr formën e partisë-shtet. Për këtë nuk ka faj populli, por vetëm demokratët. / mp