Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) një ankim ndaj vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili urdhëroi nisjen dhe përfundimin e numërimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të mbërritur nga jashtë vendit, përfshirë edhe zarfet e ardhura nga Greqia.
Demokratët kundërshtojnë pikërisht votat që kanë mbërritur nga shteti fqinj, duke pretenduar për manipulim zgjedhor në këtë proces.
“Pezullimin e efekteve të Vendimit të KSHZ, z. Ilirjan Celibashi, gjersa ankimimi ynë të shqyrtohet”, thuhet në ankimimin e Partisë Demokratike.
Sipas të dhënave, nga Greqia kanë mbërritur rreth 53 mijë zarfe nga 68 mijë të dërguara. Ende mbetet për t’u parë nëse numërimi i tyre do të sjellë ndryshime në rezultatin e subjekteve politike apo të kandidatëve në listat preferenciale.
Vlen të theksohet se ankimimi i PD-së nuk pezullon procesin e numërimit. Numërimi vijon normalisht deri në një vendim përfundimtar nga KAS./e.s