Nga Mentor Hoxha/ Francë
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, i cili u mbajt për herë të parë në Shqipëri më 16 maj 2026 nën logon “New Europe in a new world” ka patur një jehonë të madhe në Francë. Pallati Elysée dhe mediat franceze kanë pasqyruar me imtësi këtë ngjarje të rëndësishme në vendin e shqiponjave. Në artikullin me titull “Déplacement en Albanie”, Elysée shkruan: “Presidenti Emmanuel Macron vizitoi Republikën e Shqipërisë më 16 dhe 17 maj 2025. Ky udhëtim ishte një mundësi për Kryetarin e Shtetit për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë më 16 maj. Pas Pragës, Chisinaut, Granadës, Blenheimit dhe Budapestit, kjo është hera e gjashtë që Komuniteti Politik Evropian mblidhet që nga krijimi i tij, pas propozimit të bërë nga Presidenti i Republikës në Strasburg në maj 2022. Objektivi është të forcohet dialogu strategjik midis shteteve evropiane dhe t’u përgjigjet sfidave kryesore të sigurisë dhe stabilitetit në kontinent. Ky samit mblodhi së bashku gati 50 krerë shtetesh dhe qeverish. Gjatë samitit, u zhvilluan diskutime midis Presidentit Emmanuel Macron, Presidentit Volodymyr Zelensky, Kancelarit Friedrich Merz, Kryeministrave Donald Tusk dhe Keir Starmer, dhe Presidentit Donald Trump, i cili u bashkua me telefon. Kreu i Shtetit kryesoi gjithashtu një tryezë të rrumbullakët mbi sigurinë evropiane dhe forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, së bashku me Jonas Gahr Store, Kryeministri i Mbretërisë së Norvegjisë. Ai më në fund iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference. Ky udhëtim ishte gjithashtu një mundësi për të bërë një vizitë dypalëshe, me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Është nënshkruar një plan veprimi për zbatimin e strategjisë Green Al. Ky plan është pjesë e marrëveshjes ndërqeveritare franko-shqiptare. Në fund të ditës, të dy udhëheqësit morën pjesë në një sekuencë dixhitale për lançimin e Ecole42 “42Tirana” që u zhvillua brenda Piramidës, në qendër të kryeqytetit” (https://www.elysee.fr/emmanuel-macron/2025/05/16/deplacement-en-albanie-premiere-journee). Gjatë qëndrimit në Tiranë, Macron ka bërë edhe disa pastime në instagram. Në postimin e bërë me 17 maj ai shkruan: “Së bashku në Shqipëri për të çuar përpara prioritetet tona të përbashkëta: mbështetjen për Ukrainën, sigurinë dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike, qëndrueshmërinë demokratike”.
Ky Samit është pasqyruar nga të gjitha mediat franceze. Le Figaro në artikullin “L’Albanie a sa place dans l’UE!” (Shqipëria ka vendin e saj në BE!”) shkruan: “Franca do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”, tha Presidenti Emmanuel Macron, pas rizgjedhjes së Kryeministrit shqiptar Edi Rama për një mandat të katërt të paprecedentë”. Franceinfo.fr në artikullin “Somet de la Communauté politique européenne: l’Albanie joue les bons élèves” shkruan: “Për Shqipërinë, një vend i vogël ballkanik me më pak se tre milionë banorë, ky është një moment historik. Kryeministri Edi Rama tha se ishte “krenar që më 16 maj, udhëheqës nga i gjithë kontinenti ynë i demokracive, nga Londra në Kiev dhe nga Oslo në Ankara, do të mblidhen në zemër të Tiranës për samitin e Komunitetit Politik Evropian”. Ai shtoi se “Shqipëria u zgjodh për të pritur këtë ngjarje të rëndësishme sepse tashmë shihet me respekt”. Shqipëria vendosi ta mbajë këtë samit në vendin më prestigjioz, simbolik dhe qendror në të gjithë vendin: Sheshin Skënderbej në Tiranë, zemra e “Tokës së Shqiponjave”. Qëllimi i saj është të tregojë se përballë agresivitetit të Rusisë, Europa e Madhe është e pranishme dhe se ky është një moment i rëndësishëm për unitetin e Europës dhe të ardhmen e Ukrainës. Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ndodhet në Tiranë për samitin. Komuniteti Politik Evropian, një projekt i udhëhequr nga Presidenti Francez Emmanuel Macron, lindi në vitin 2022. Ai bashkon 47 vende evropiane në kuptimin gjeografik të termit – ose gati 700 milionë banorë – dhe për këtë arsye shtrihet përtej kufijve politikë të Bashkimit Evropian. Anëtarët e EPC-së janë 27 vendet e BE-së, 9 vendet kandidate (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Ukraina, Turqia dhe Gjeorgjia), Armenia, e cila gjithashtu po troket në derën e klubit evropian, Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni si dhe 6 vende të tjera evropiane: Andorra, Azerbajxhani, Kosova, Monako, Royaume-Uni et Saint-Marin. Kjo strukturë e re institucionale u propozua për herë të parë nga Emmanuel Macron më 9 maj 2022, më pak se tre muaj pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian në Strasburg, si pjesë e Konferencës për të Ardhmen e Europës.
Projekti do të prezantohet zyrtarisht nga Presidenti Francez më 23 dhe 24 qershor 2022 në Bruksel gjatë një Këshilli Evropian. Sipas Macron, hapja e një bashkësie politike evropiane për të gjitha vendet e Kontinentit të Vjetër lejon krijimin e “një kuadri politik në të gjithë Evropën, për t’u marrë me çështjet strategjike mbi një bazë gjeografike, vlerash dhe sigurie”. Samiti i parë do të zhvillohet më 6 tetor 2022, në Pragë. Siguria, energjia, klima dhe ekonomia ishin temat kryesore që u trajtuan. Në mars të vitit 2023, qeveria britanike deklaroi mbështetjen e saj për objektivat e Komunitetit, një zhvillim i dukshëm pas Brexit-it. Menjëherë pas zgjedhjes së tij, Kryeministri Keir Starmer priti samitin e 4-tërt në Pallatin Blenheim, vendlindjen e Winston Churchill”. Mediapart.fr në artikullin “Macron appelle à investir en Albanie, qu’il voit dans l’UE en 2027) shkruan: “Presidenti francez Emmanuel Macron të shtunën në Tiranë ftoi investitorët e huaj të vijnë në Evropë, veçanërisht në Shqipëri, një vend që do të jetë në Bashkimin Evropian pas “dy vitesh”, siguroi ai.
Gazeta l’Humanité shkruan: “Siguria evropiane, imigracioni dhe konkurrueshmëria ekonomike janë në axhendë për diskutime në këtë samit informal dhe simbolik. E krijuar në vitin 2022, me propozimin e Macron, kur Franca mbante presidencën e radhës të BE-së, EPC u zhvillua në kontekstin e nxehtë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Objektivat e saj mbeten të pandryshuara: “siguria, stabiliteti dhe prosperiteti” i kontinentit. EPC bashkon 27 vendet e BE-së, të përfaqësuara nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe 20 vende të tjera: kandidatët e BE-së, Britaninë e Madhe, vendet e vogla si Monako dhe San Marino, dhe së fundmi vendet e Kaukazit, si Armenia dhe Gjeorgjia. Zgjedhja e Shqipërisë për këtë edicion të gjashtë nuk është e parëndësishme. Marrëdhëniet janë në një nivel të shkëlqyer midis Tiranës dhe figurës gjithnjë e më me ndikim në Evropë: kryetares së qeverisë italiane të ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, e cila ka hapur disa qendra paraburgimi për emigrantët në këtë vend në gadishullin Ballkanik. Ajo arriti të organizojë një tryezë të rrumbullakët mbi çështjen e emigracionit atje. Midis 47 krerëve të shteteve dhe qeverive të pranishëm në Tiranë janë Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.” (https://www.humanite.fr/monde/albanie/rencontre-de-la-communaute-politique-europeenne-ce-dont-vont-parler-les-dirigeants-des-47-pays-europeens-reunis-en-albanie). Televizioni Bfmtv thotë “se Shqipëria është një vend afër BE-së dhe kreu i shtetit francez Macron është i afërt me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa ky vend ballkanik, deri tani më pro-evropiani në rajon, po troket në derën e BE-së. “Shqipëria e ka vendin e saj në BE!” deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në përgjigje të rizgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër”. mp