Arriti të sigurojë mandatin në Tiranë por sërish nuk e quan betejë të fituar. Jorida Tabaku shprehet se aksioni opozitar duhet riformatuar.
Arsyeja pse Tabaku nuk e quan betejë të fituar 11 Majit, është sepse Partia Demokratike nuk realizoi dot një rotacion politik.
“Mund të them se ka përfunduar ai turi i “vrapit” por procesi akoma. Ka qenë një fushatë shumë e gjatë e lodhshme dhe stresuese dhe me një sistem të ri, por edhe me shumë vështirësi.
Edhe për t’u provuar ndryshe por jo vetëm unë por edhe në kuadër të përgjithshmes të Partisë Demokratike e cila vinte edhe pas një sfide të brendshme të partisë, pra ishin shumë gjëra ndryshe dhe jo vetëm një realitet politik por edhe për mua me të vërtetë ishte një sfidë e re.
Kalova edhe pak kohë me familjen, kisha pothuajse dy muaj e gjysmë ose tre muaj që fëmijët e ndjenin mungesën dhe më numëronin ditët duke më kërkuar llogari që në nivelin personal më kishin bërë të ndihem shumë keq dhe duke u përpjekur për tu takuar me bashkëpunëtorët, me demokratët, me strukturat, dhe me njerëzit të cilët patëm këtë rrugëtim gjatë këtyre tre muajve të fundit.
Unë dua të them diçka të cilën ja kam thënë edhe bashkëpunëtorëve të mi dhe strukturave të Partisë Demokratike me të cilat kemi punuar bashkë.
Sigurisht që kjo ishte një sfidë e imja personale sepse isha në një garë komplet ndryshe kësaj radhe, por nuk e quaj dot një betejë të fituar sepse për mua e fituar do të ishte rotacioni politik.
Në këtë betejë ne u futëm edhe me investimin tonë personal, por kur ti shikon të përgjithshmen dhe pamundësinë e rotacionit politik, por edhe faktin që sot nuk është se kemi një situatë më të mirë politike se ajo që kishim para zgjedhjeve. Nuk besoj se kemi zgjidhur gjë dhe nuk ndihem as komode për të thënë që ia arritëm dhe që ky ishte një proces me një rezultat pozitiv.
Ndërkohë nga pikëpamja personale, sigurisht do vazhdoj të përfaqësoj opozitën në Parlament ashtu siç e kam bërë dhe ndoshta tani kemi nevojë që ta riformatojmë edhe pak më ndryshe betejën tonë opozitare në mënyrën se si do të përballemi.
Të them të drejtën është një gjendje e dyzuar sepse situata perfekte do të kishte qenë edhe për ata njerëz që kanë 12 vite që përballen, punojnë duke na mbështetur ne të cilët unë i kam falenderuar në ditët e fundit të fushatës. Përveç njerëzve që punoj janë edhe ata që trokasin dyert ku ne nuk jemi.”-theksoi ajo. m.p.