Nëse llogarisim vetëm votat brenda Shqipërisë, pa përfshirë diasporën, rezulton se votat anti-Rama në zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin gjithsej 673 mijë.
PD dhe Aleanca Madhështore morën 482 mijë vota, Lapaj 49,5 mijë, Doshi 47,5 mijë, Shehaj 43 mijë, Qori 20 mijë, Basha 19,5 mijë, Shehi 5,5 mijë, Osmani 2 mijë, Kocaqi 2,7 mijë dhe Galdini 1 mijë. Këto shifra janë të rrumbullakosura për efekt leximi.
PS e udhëhequr nga Rama mori 734 mijë vota, që do të thotë se partia në pushtet, krejtësisht e vetme, është rreth 60 mijë vota më lart se të gjitha partitë opozitare të marra së bashku.
Duket qartë se misioni numër 1 i opozitës shqiptare duhet të jetë bashkimi i saj i plotë. Kjo është një domosdoshmëri. Nëse opozita do të garojë e ndarë në parcela, Rama në zgjedhjet 2029 do të ishte në pozita edhe më komode duke fituar ndoshta 90 mandate.
Për shqiptarët që duan të shohin garë në zgjedhje, pra të fitojnë emocionin e një loje sa më të barabartë që të jetë e mundur, zgjidhja është vetëm një: kupola drejtuese e PD duhet të japë dorëheqjen. Jo vetëm Berisha, por edhe disa prej drejtuesve aktualë të kësaj partie humbëse.
Duke “pastruar” kupolën drejtuese, bashkimi me partitë opozitare është shumë herë më i lehtë. Thuajse të gjithë do të bashkoheshin, me përjashtim të PSD, parti e cila vështirë se mund të kalojë në një koalicion opozitar.
Me “pastrimin” e PD dhe bashkimin e saj me partitë e tjera në një koalicion të madh, 200 mijë shqiptarët që refuzuan të votonin më 11 maj kanë një motiv të fortë që në zgjedhjet e ardhshme të sillen ndryshe. Frymëzimi me emra të rinj dhe lajmi se opozita po reformohet janë argumente që nxitin popullin të votojë të renë.
Më 11 maj, partitë e reja nuk befasuan me rezultatin e tyre, sepse populli nuk priste rrotacion me Berishën. 200 mijë vetë u treguan “përtacë”, të vetëdijshëm se vota e tyre nuk do të mund të ndryshonte asgjë.
Rama deri më sot ka treguar se është politikani më i zgjuar në Shqipëri dhe ka meritë absolute për fitoret e tij të njëpasnjëshme, por demokracia në Shqipëri do të ishte më e shëndetshme nëse në 2029 shohim shenjat e një gare. Pra, një opozitë që sjell konkurrencë në tregun politik dhe jo një opozitë që nuk i afrohet partisë në pushtet as te maja e këpucëve.
Dorëheqja e kupolës drejtuese të PD dhe bashkimi i partive opozitare janë dy hapa urgjente. Nëse nuk ndodhin, atëherë nuk është faji i Ramës (as i popullit shqiptar) që parlamenti duket si shtëpi private e socialistëve. Ata punojnë për t’u rritur, ndërsa opozitarët flenë ose zihen me njëri-tjetrin. mp