Haxhi Avdi Jusufi, një shqiptar besimtar nga Kosova, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotme teksa merrte pjesë në pelegrinazhin e Mekës dhe është varrosur në varrezat e Qabesë së bekuar, vendlindja e Profetit Muhammed.
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se haxhi Jusufi është varrosur sot në namazin e drekës në varrezat e Mekës, pasi ishte nisur bashkë me besimtarët e tjerë për pelegrinazh në vendin e shenjtë të myslimanëve në mbarë botën.
“Njoftojmë besimtarët dhe opinionin e gjerë se sot, më 1 qershor 2025, në mëngjes, në Meke, ka ndërruar jetë haxhi Avdi Jusufi nga Vushtrria, i cili këtë vit ishte në mesin e besimtarëve që udhëtuan drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin.
Me këtë rast, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpreh ngushëllime për familjen e haxhiut, duke lutur të Madhin Zot që t’ia falë mëkatet dhe ta shpërblejë me Xhenetin Firdeus!
Namazi i xhenazes është falur sot në Qabenë e bekuar me namaz të drekës, ndërsa varrimi i tij u bë në varrezat e Mekës, nën përcjellje edhe të udhëheqësve të haxhit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Zoti e mëshiroftë dhe e gradoftë me Xhenet, ndërsa familjes së rahmetliut i dhëntë sabër dhe gajret”, njofton Bashkësia Islame e Kosovës.
Meka është qyteti më i njohur dhe më i rëndësishëm Islam dhe shtrihet në perëndim të Arabisë Saudite, tetëdhjetë kilometra larg nga Deti i Kuq. Pelegrinët vizitojnë Mekën çdo vit gjatë Haxhit, në muajin e dymbëdhjetë (sipas kalendarit hixhri) të Dhul-Hixhes. m.p.
