Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka deklaruar se do të preferonte të quhej diktator sesa të lejonte kriminelët të qarkullojnë të lirë në vend, duke reaguar ndaj kritikave ndërkombëtare për politikat e tij të ashpra të sigurisë.
Në një fjalim të mbajtur të dielën, me rastin e përvjetorit të parë të rizgjedhjes së tij, Bukele u shpreh qartë:
“Nuk më intereson të më quajnë diktator. Do të preferoja këtë, sesa të shihja qytetarët e El Salvadorit të vriteshin në rrugë.”
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2019, Bukele ka ndjekur një politikë të hekurt ndaj krimit të organizuar, duke vënë në zbatim masa të ashpra që kanë ulur ndjeshëm nivelin e vrasjeve në vend. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e vrasjeve ka rënë në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit.
Por suksesi i raportuar nuk ka kaluar pa polemika. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar arrestimet e aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë, duke e akuzuar presidentin për përndjekje politike dhe kufizim të lirisë së shprehjes.
Një nga rastet më të diskutuara është arrestimi i avokates Ruth Eleonora López më 18 maj, një aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut dhe drejtuese e organizatës Cristosal. Ajo ishte angazhuar në mbrojtjen e familjeve të 252 emigrantëve venezuelianë, të cilët u arrestuan në El Salvador pas dëbimit nga SHBA. Prokuroria e akuzon për shpërdorim detyre gjatë kohës kur ka punuar në një gjykatë zgjedhore një dekadë më parë.
Bukele e justifikoi këtë dhe arrestime të tjera si pjesë e fushatës kundër korrupsionit.
“Na akuzojnë se burgosim mbrojtës të të drejtave të njeriut e opozitarë. Por si mund të luftojmë korrupsionin, nëse opozita gëzon imunitet të plotë?”, tha ai pa përmendur emra.
“Vazhdojmë të fokusohemi te rezultatet. Kemi arritur më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë tonë,” shtoi presidenti.
Nayib Bukele është gjithashtu konsideruar si një aleat i afërt i ish-presidentit amerikan Donald Trump, veçanërisht në çështjet që lidhen me luftën kundër emigracionit të paligjshëm./e.t