Duke ndaluar një debat shkollor mbi sovranitetin palestinez, udhëheqësit tanë kanë zbuluar se çfarë vendi po bëhemi
Rune Lykkeberg*
Në Danimarkë, na pëlqen të mendojmë se jemi në ballë të lirisë së shprehjes. Ishim vendi i parë në botë që legalizoi pornografinë. KëmbënguIëm në të drejtën për të publikuar karikatura të profetit Muhamed. Në vend që të përjashtonim nga parlamenti të ashtuquajturit populistë të djathtë, i ftuam në bashkëpunim politik. Krenohemi që nuk kemi frikë nga polemikat dhe jemi të zotë të tallim autoritetet që përpiqen të na tregojnë çfarë duhet të bëjmë – veçanërisht çfarë nuk duhet të bëjmë.
Ne danezëve gjithashtu na pëlqen të mendojmë për vendin tonë si një model i demokracisë. Zgjedhjet kombëtare për fëmijët e moshës 13 deri në 16 vjeç janë një traditë e çmuar, pjesë e edukimit qytetar dhe përgatitje për pjesëmarrje demokratike. Të gjitha shkollat ftohen të marrin pjesë në këtë ushtrim, i cili zhvillohet çdo dy vjet. Nxënësit debatojnë rreth 20 çështjeve për tre javë përpara se të votojnë për partitë që marrin pjesë edhe në zgjedhjet reale.
Por javët e fundit, këto zgjedhje shkollore janë përfshirë në një polemikë, pas vendimit për të ndaluar një temë nga lista e çështjeve për zgjedhjet e vitit 2026: pyetjen për Palestinën.
A duhet Danimarka të njohë Palestinën si një shtet sovran? Kjo pyetje specifike mund të jetë një nga çështjet përcaktuese të kohës sonë dhe një temë që nxit angazhim politik te të rinjtë. Përjashtimi i saj është një akt i jashtëzakonshëm, që është kritikuar si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Kjo, sipas kritikëve, nuk është aspak përgatitje për demokracinë daneze – madje bie ndesh me atë që përfaqësojmë si komb.
Vendimi u shpall nga drejtuesit e parlamentit dhe u mbështet nga dy partitë që kanë drejtuar qeveritë daneze në 30 vitet e fundit: Socialdemokratët dhe Partia Liberale. Ata e justifikuan duke thënë se kjo temë ishte shumë shpërthyese për diskutime në klasë dhe rrezikonte të vendoste nxënësit nga grupet minoritare në situata të pakëndshme. Për më tepër, ata argumentuan se kjo çështje ishte shumë e ndërlikuar për t’u kuptuar nga fëmijët në mënyrë domethënëse.
Por kjo është ironike. Po këto parti zakonisht mbështesin një koncept të demokracisë që e vë lirinë e debatit polemik dhe shprehjes ofenduese përpara ndjeshmërisë së pakicave dhe rendit publik. Kjo është pikërisht ajo që ne e quajmë “modeli danez i demokracisë”: jemi tolerantë ndaj intolerancës verbale kur bëhet fjalë për islamin dhe emigracionin; jemi skeptikë ndaj “super-unëve liberalë” që përpiqen të mbrojnë ndjenjat e pakicave dhe rendin publik.
Por kur bëhet fjalë për Izraelin dhe Palestinën, këto parti në pushtet përkrahin një vizion të demokracisë që i jep përparësi ndjeshmërisë personale dhe rendit publik, duke anashkaluar lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të ofenduar. Kjo është vërtet e jashtëzakonshme. Nga ana e kompleksitetit tematik, askush nuk mund të thotë me bindje se mekanizmat që shkaktojnë krizën klimatike janë më të lehtë për t’u kuptuar sesa çështja nëse duhet njohur apo jo shteti palestinez.
Shpjegimi i vërtetë duket i qartë. Nuk janë nxënësit ata që nuk përballojnë debatin për Palestinën – janë partitë në pushtet që po projektojnë dështimet e tyre mbi fëmijët dhe duan ta shmangin çështjen, së bashku me të gjitha pyetjet që ajo do të hapte: lufta në Gaza, eksportet daneze të armëve, tensioni mes aleancave të Danimarkës me SHBA-në dhe Izraelin dhe detyrimeve tona ndaj institucioneve liberale dhe të drejtave të njeriut të palestinezëve.
Duket se politikanëve tanë u pëlqen të flasin për luftën në Ukrainë, sepse Danimarka e vogël mbështet vendin e pushtuar nga një fqinj më i madh dhe më i fuqishëm. Ne mbështesim pa ekuivok rendin liberal dhe të drejtën ndërkombëtare kundër agresorit. Moralisht, angazhimi ynë në Ukrainë tregon se çfarë vendi duam të jemi. Por bashkëfajësia jonë në krimet e luftës që po ndodhin në Gaza tregon se çfarë vendi jemi bërë, pa qenë në gjendje ta mbrojmë.
Çështja palestineze, pra, ekspozon një defekt skandaloz të rendit tonë aktual. Po të ishte ushtria ruse ajo që po u bënte ukrainasve atë që po bën ushtria izraelite palestinezëve në Gaza apo Bregun Perëndimor, kryeministrja jonë, Mette Frederiksen, do të ishte e tërbuar publikisht. Por ajo flet për vuajtjet e palestinezëve vetëm kur detyrohet – nga rrethanat, agjenda apo pyetje të drejtpërdrejta.
Frederiksen e ka quajtur situatën në Gaza “tragjike” dhe një “katastrofë humanitare”. Por flet për vuajtjen e palestinezëve si të ishim spektatorë të pafajshëm. Megjithatë, qeveria daneze ka mjete konkrete që mund të përdorë për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë ekstremiste të Izraelit – thjesht ka zgjedhur të mos e bëjë.
Megjithë krenarinë për vlerat demokratike, Danimarka nuk ka ndërmarrë një rishikim të marrëveshjes që e bën BE-në partnerin më të madh tregtar të Izraelit. Muajin e kaluar, qeveria daneze mbështeti një rishikim të marrëdhënieve BE-Izrael, por nuk ka propozuar sanksione ndaj politikanëve izraelitë apo vetë Izraelit si shtet, dhe nuk ka njohur shtetin palestinez, siç kanë bërë tashmë Spanja, Irlanda dhe Sllovenia.
Përkundrazi, qeveria jonë vazhdon të lejojë prodhuesit danezë të armëve të furnizojnë Izraelin, qoftë në mënyrë të tërthortë përmes SHBA-së, qoftë drejtpërdrejt, me pjesë këmbimi për bombarduesit F-35 që përdoren nga Forcat Mbrojtëse Izraelite në Gaza. Kjo, pavarësisht faktit që udhëheqësit tanë e dinë se kjo shkel rregullat e BE-së, të cilat ndalojnë eksportin e pajisjeve ushtarake kur ka “rrezik të qartë” që ato të përdoren për të kryer krime lufte.
Një peticion qytetar që kërkon ndalimin e çdo eksporti të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të armëve nga Danimarka drejt Izraelit ka mbledhur më shumë se 50,000 firma. Javën e kaluar u paraqit në parlament. Por debati tregoi edhe një herë se ekziston një konsensus i gjerë që vë aleancën e sigurisë me SHBA-në përpara të drejtave të njeriut në Gaza.
Po ndihmojmë në krime lufte në Izrael, ndërsa mobilizohemi kundër tyre në Ukrainë. Qeveria jonë duket se e pranon në heshtje vuajtjen e palestinezëve si një dëmtim kolateral i një politike të jashtme që tashmë është në kolaps – sepse mbështetet në një aleancë nga e cila SHBA po tërhiqet. Danimarka, në thelb, po dërgon armë te një ngacmues dhe pastaj po vajton pasojat e përdorimit të tyre.
Në këtë kontekst, është domethënës fakti që liderët tanë nuk duan që fëmijët tanë të diskutojnë për njohjen e shtetit palestinez si pjesë e edukimit të tyre – sepse vetë ata nuk janë në gjendje ta përballojnë këtë çështje. Përfaqësuesit tanë të zgjedhur nuk duan që demokracia jonë të zbulojë dështimin e tyre në skandalin moral të perëndimit në shekullin XXI.
Për nxënësit, kjo polemikë është një hyrje e vlefshme – edhe pse e pavullnetshme – në demokraci. Ata kanë mësuar se ata që janë në pushtet gjithmonë përpiqen të përcaktojnë axhendën dhe kufijtë e pjesëmarrjes demokratike. Kjo gjithashtu tregon se ajo që të rinjtë diskutojnë ka rëndësi. Mund të jetë një mënyrë për të mobilizuar më të mirën e demokracisë sonë kundër më të keqes dhe për të ndërtuar fuqinë e tyre si votues të ardhshëm. Dhe me shpresë, pyetja e munguar do të jetë tema më e debatuar në shkollat daneze gjatë vitit të ardhshëm.
*Rune Lykkeberg është kryeredaktor i gazetës daneze “Information”
Përgatiti për botim: L. Veizi