Bashkia e Lezhës e drejtuar nga kryebashkiaku socialist Pjerin Ndreu, ka ndërmarrë e para operacionin për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare. Ekipet e bashkisë kanë dalë në terren për të parë nëse privatët kanë respektuar kontratat.
Siç shihet dhe nga pamjet, punonjës të institucioneve të ndryshme shtetërore lokale kanë formuar grupe të përbashkëta dhe kanë zbritur këtë të hënë në terren, ku kanë verifikuar hapësirat publike dhe në zonat ku ka pasur shkelje, janë sekuestruar shezlongët dhe çadrat.
“Nese ze hapesiren publike ne menyre te paligjshme, sekuestrohen cadrat dhe shezllonet! Nje beteje me paligjshmerine qe do e fitojme patjeter! Grupe pune mikse ndermjet institucioneve ne terren me objekt:
-Stacionet e plazheve nen kontrate, kushtet e zbatimit te kontrates, sasia e cadrave dhe shezlloneve qe parashikon kontrata, si dhe shkeljet ne zgjerimin e hapesires jashte zones se miratuar!
-Zona publike te zena ne menyre te paligjshme”, shkruan Pjerin Ndreu, kryebashkiaku socialist i Lezhës, duke theksuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin për të zaptuar hapësirën publike në gjithë vijën bregdetare që mbulon bashkia që ai administron.
Ky aksion pritet të shtrihet dhe në bashkitë e tjera të vendit, si një masë paraprake në nisje të sezonit veror, për të parandaluar aptimin e hapësirave publike të dedikuara për qytetarët, nga bizneset dhe operatorët turistikë në kundërshtim me lejet e miratuara nga shteti.