Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë hero, pasi ka shpëtuar nga mbytja dy adoleshentë, që kishin hyrë për tu larë në lumin Arachthos.
Dy djemtë e mitur, 14 dhe 15 vjeç, u nxorën nga lumi Arachthos mesditën e së mërkurës nga Levian Goga, i cili nuk e mendoi dy herë që të zhytej për t’i shpëtuar. Ata tashmë po trajtohen të intubuar, ndërsa Levioni nga qyteti i Dimalit, ka përshkruar në lot atë se çfarë ndodhi.
“Njëri është në të njëjtën moshë me vajzën time. Ata erdhën dhe thanë ndihmë. Po pija kafe, dëgjova “ndihmë” dhe hipa në makinë. Ata thanë “ndihmë, dy fëmijë po mbyten” dhe unë erdha. Hyra brenda, nxora njërin dhe pastaj më thanë se kishte një tjetër. Shkova ta gjeja, u zhyta dhe nuk e gjeta. Pastaj kërceva nga varka, ishte shumë e thellë, pesë ose gjashtë metra. E pashë fëmijën të shtrirë, e kapa dhe me forcë më duhej ta nxirrja që të merrte frymë”, tha Leviani për median lokale Arttv.
Teksa shprehet se “shpreson që fëmijët të jetojnë”, Leviani vetë një baba, shtoi se nuk hezitoi për asnjë moment të vraponte për të ndihmuar.
“Ne të gjithë bëmë një përpjekje së bashku. Asgjë tjetër. Mendoj vetëm për fëmijët. Dhe tani fëmijët e mi po qajnë, duhet të shkoj në shtëpi. Për Zotin, fëmijët janë… Unë jam i huaj, bëra mirë, nuk më intereson çfarë kombësie janë. Shpresoj që fëmijët të jetojnë, të gjithë bëmë një përpjekje së bashku. Zoti na ndihmoftë, qoftë me ta për t’i ndihmuar të zgjohen dhe të jetojnë jetën e tyre”, shtoi ai. m.p.