Nga Thomas L. Friedman
Izraelitët, hebrenjtë e diasporës dhe miqtë e Izraelit kudo në botë duhet ta kuptojnë se mënyra se si Izraeli po e zhvillon sot luftën në Gaza po vendos themelet për një rishikim thelbësor të mënyrës se si Izraeli dhe hebrenjtë do të perceptohen në mbarë botën.
Dhe kjo nuk do të jetë aspak në të mirë të tyre. Makina policie dhe siguri private në sinagoga dhe institucione hebraike do të bëhen gjithnjë e më shumë normë; Izraeli, në vend që të shihet nga hebrenjtë si një strehë e sigurt nga antisemitizmi, do të perceptohet si një motor i ri që e ushqen atë; izraelitët e arsyeshëm do të radhiten për të emigruar drejt Australisë dhe Amerikës në vend që të ftojnë bashkëbesimtarët e tyre të zhvendosen drejt Izraelit. Kjo e ardhme distopike ende nuk ka ardhur, por nëse nuk e shihni siluetën e saj që po afrohet, po mashtroni veten.
Fatmirësisht, gjithnjë e më shumë pilotë të Forcës Ajrore izraelite në pension apo në rezervë, si edhe ish-oficerë të ushtrisë dhe të sigurisë, po e shohin këtë stuhi që po afron dhe po deklarojnë se nuk do të heshtin dhe as do të bëhen bashkëfajtorë në politikën e shëmtuar dhe nihiliste të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Gaza. Ata kanë nisur të nxisin hebrenjtë në Amerikë dhe gjetkë të flasin — SOS: Shpëtoni Anijen Tonë — përpara se njolla morale që po lë pas fushata ushtarake e Izraelit në Gaza të bëhet e pakthyeshme.
Së pari, për ta kuptuar kontekstin: muaj më parë, Izraeli e shkatërroi Hamasin si kërcënim ekzistencial ushtarak. Duke qenë kështu, qeveria e Netanyahut duhet t’i thoshte administratës Trump dhe ndërmjetësve arabë se është gati të tërhiqet gradualisht nga Gaza dhe të zëvendësohet nga një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare/arabe/Autoriteti Palestinez — me kusht që udhëheqësia e Hamasit të pranojë të dorëzojë të gjithë pengjet që mbeten gjallë apo të vdekur dhe të largohet nga territori.
Por nëse në vend të kësaj, Izraeli ndjek zotimin e Netanyahut për ta vazhduar këtë luftë pafundësisht — për të synuar “fitoren totale” ndaj çdo anëtari të Hamasit, bashkë me fantazinë e së djathtës ekstreme për të zhdukur palestinezët nga Gaza dhe për ta ripopulluar atë me izraelitë — atëherë hebrenjtë në të gjithë botën duhet të përgatiten vetë, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre, për një realitet që nuk e kanë njohur kurrë: të jesh hebre në një botë ku shteti hebraik është një shtet i përbuzur — burim turpi, jo krenarie.
Sepse një ditë, fotografë dhe gazetarë të huaj do të lejohen të futen në Gaza pa shoqërimin e ushtrisë izraelite. Dhe kur kjo të ndodhë, dhe tmerri i plotë i shkatërrimit atje të bëhet i dukshëm për të gjithë, reagimi ndaj Izraelit dhe hebrenjve kudo në botë mund të jetë i thellë.
Burimi: New York Times/ Përgatiti për biotim: L.Veizi