13 qershor 1920
Nga Leonard Veizi
Në qershorin e vitit 1920, një e shtënë armësh tronditi një prej rrugëve më elegante të Parisit — Rue de Castiglione. Viktima ishte Esat Pashë Toptani, një politikan shqiptar i përfolur për bashkëpunime me forca të huaja dhe për pretendime personale në emër të Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Autori i atentatit: një i ri shqiptar me pamje të qetë, student, mësues dhe veprimtar atdhetar, i quajtur Avni Rustemi. Përdori një revolver “Smith & Wesson” për të kryer vrasjen. Por kjo ngjarje nuk do të mbetej thjesht një kronikë gjyqësore. Në Shqipëri, vrasja e Esat Pashës u konsiderua nga shumë si akt heroik, ndërsa në Paris u kthye në një betejë të përmasave ndërkombëtare për drejtësinë, patriotizmin dhe kuptimin e tradhtisë. Në qendër të kësaj drame: avokati francez dhe politikan i shquar, Anatole de Monzie.
Gjyqi
Avni Rustemi mbërriti në Paris më 31 maj dhe u vendos në Hotel des Tuileries, që ia kishin rekomanduar disa studentë italianë në Romë. Meqenëse hoteli ishte i shtrenjtë, pas disa ditësh mori me qira një dhomë në rrugën “Faubourg Montmartre”.
Në disa faksimile arkivore rreth gjyqit të bujshëm, të botuara nga studiuesi Aurenc Bebja, bëhet e ditur se seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari z. Drioux.
Bloch-Laroque mbështeti akuzën si prokurori i çështjes.
E veja e Esat Pashës përfaqësohej, si palë civile, nga avokatët Freyssanges dhe Lyon-Caen.
Ndërsa avokati Anatole de Monzie mbronte të akuzuarin.

Atentatori
Avni Rustemi nuk ishte një atentator i zakonshëm. Ai nuk tentoi të arratisej. U arrestua në vendin e ngjarjes dhe deklaroi hapur se kishte vepruar për motive kombëtare. Nuk kërkoi mëshirë, por drejtësi. Në sytë e shumë shqiptarëve të kohës, ai ishte personifikimi i revoltës ndaj një figure që e konsideronin tradhtar të interesave kombëtare — një gjyq në Paris, por një dramë që vinte nga plagët e thella të historisë shqiptare.
Në ato vite pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte një shtet i brishtë, me kufij të pasigurt dhe përfaqësim diplomatik thuajse inekzistent. Esat Pasha ndodhej në Paris pa mandat zyrtar nga qeveria shqiptare, por pretendonte të fliste në emër të saj. Në sfondin e këtyre përplasjeve politike, veprimi i Rustemit kishte më shumë se vetëm karakter penal — ai kishte një domethënie të ngarkuar historike dhe morale.

Avniu
Ilir Ikonomi, në librin “Esat Pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, shkruan se: në moshën 12-vjeçare, Avniun e kishin dërguar në Janinë për studime dhe, pas 3-4 vjetësh, në Stamboll. Më 1912 kishte bërë një vit në një kolegj pedagogjik në Gjenevë, ku kishte mësuar frëngjishten. Dy vjet më vonë, në kohën e Vidit, kishte luftuar kundër epirotëve në jug. Më 1915 ishte kthyer në Janinë për të studiuar në një shkollë izraelite dhe për të mos harruar frëngjishten. Më 1917 ishte emëruar mësues në Tepelenë. Në fillim të vitit 1919 kishte hyrë nxënës në kolegjin italo-shqiptar “San Demetrio” të Kalabrisë dhe, që nga fillimi i vitit 1920, studionte në Romë me bursë të qeverisë së Durrësit. A ishte ky një vrasës me pagesë?

Avokati
Anatole de Monzie, i njohur për karrierën e tij të gjerë në politikën franceze si ministër i Arsimit Publik, Financave, Drejtësisë dhe Punëve Publike, ishte më shumë sesa një teknokrat i Republikës. Ai ishte një intelektual me ndjeshmëri të lartë politike dhe orator i lindur. Ish-republikan radikal, me kalimin e kohës u bë një figurë më fleksibël, e shpeshherë oportuniste. Në vitet e mëvonshme, qëndrimi i tij i paqartë gjatë regjimit të Vichy-t i njollosi disi reputacionin, por kjo nuk e zbeh rolin që pati në një nga çështjet më delikate që përfshiu drejtësinë franceze dhe idealet e një kombi të vogël ballkanik.

Procesi
Në sallën e Gjykatës së Assizes në Paris, Anatole de Monzie nuk u shfaq vetëm si mbrojtës ligjor, por si një përfaqësues i një ndjeshmërie më të gjerë intelektuale. Ai nuk e mbrojti vetëm klientin e tij — ai mbrojti arsyetimin moral të një brezi që e konsideronte vrasjen e Esat Pashës një akt të nevojshëm për të shpëtuar nderin e kombit shqiptar.
Në seancat e gjyqit, dëshmitarët e thirrur për të mbrojtur figurën e Esat Pashës përfshinin personalitete si gjenerali Gouraud dhe Edouard Julia, të cilët e përshkruan atë si mik të Francës. Por Rustemi dhe mbrojtësit e tij sollën një narrativë ndryshe: atë të një populli të lënë në mëshirën e aventurave personale të individëve me interesa të dyshimta.
Shtypi francez i kohës, veçanërisht “Le Matin”, e pasqyroi gjyqin me interes të veçantë. Portretizimi i Rustemit si një i ri me vendosmëri dhe qetësi kontrastonte me figurën e një aristokrati të rënë, të perceptuar si pengesë për përparimin e kombit të tij.

Precedenti
Prokurori Bloch-Laroque, në pretencën e tij, kërkoi që Avniu të dënohej me vdekje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, meqë kishte kryer një veprim tërësisht të vullnetshëm, pra me paramendim.
Por më 2 dhjetor 1920, juria franceze e shpalli Avni Rustemin të pafajshëm. Vendimi nuk ishte thjesht ligjor. Ishte një deklaratë: se gjyqësori francez, në një kohë të mbarsur me pasiguri politike në Evropë, ishte i aftë të njohë motivet morale dhe politike përtej formës së veprës.
Vendimi u prit me entuziazëm në Shqipëri. Rustemi u kthye si hero, u zgjodh deputet dhe për një kohë u bë simbol i një lëvizjeje që kërkonte pastrimin moral të politikës shqiptare. Jeta e tij u ndërpre në vitin 1924 në një atentat të motivuar politikisht në Shijak – një ironi tragjike për një njeri që dikur kishte kërkuar drejtësinë në një gjykatë franceze.

Mbrojtja
Roli i Anatole de Monzie në këtë proces është shpesh lënë në hije nga figura dramatike e Avni Rustemit. Por në fakt, mbrojtja e tij nuk ishte vetëm juridike — ishte një qëndrim politik në vetvete. Duke përfaqësuar një shqiptar pa përkrahje shtetërore, ai doli përballë interesave të një rrjeti të gjerë diplomatik dhe politik që kishte aleanca me figura si Esat Pasha.
Mbrojtja e Rustemit ishte një akt guximi moral dhe profesional. Në një kohë kur drejtësia shpesh shërbente si instrument pushteti, de Monzie zgjodhi ta shndërronte sallën e gjyqit në një hapësirë ku kombet e vegjël dhe të përçudnuar nga historia mund të thoshin fjalën e tyre.
Ky është rasti kur një jurist francez, me gjithë ambiguitetin e karrierës së tij politike, u bë për një moment mik i së drejtës shqiptare. Dhe ndoshta, pa dashur, kontribuoi në formësimin e një kapitulli të rëndësishëm në ndërgjegjen kombëtare të Shqipërisë.

Në art
Arti e ka përjetësuar figurën e Avni Rustemit me dramën “Dy krisma në Paris”, shkruar nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla, e me regji po nga Pëllumb Kulla. Kinostudio Shqipëria e Re u angazhua të realisonte filmin artistik “Një emër mes njerëzve”, prodhim i vitit 1983, me regji nga Muharrem Fejzo dhe skenar nga Natasha Lako. Ndërkohë që është në treg dhe romani “Atentat në Paris” i autorit shqiptar Skifter Këlliçi, botuar për herë të parë në vitin 1978 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe më vonë në një botim të dytë të ripunuar në vitin 2011 nga “Ombra GVG”.

