Pagat në Shqipëri kanë shënuar një rënie të lehtë në tremujorin e parë të vitit 2025, me mesataren kombëtare që ka zbritur në 822 euro, nga 835 euro që ishte në fund të vitit 2024. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se rënia justifikohet me mungesën e shpërblimeve që zakonisht jepen në fundvit.
Në sektorin privat, situata paraqitet edhe më problematike, pasi paga mesatare ka rënë nga 760 euro në 750 euro, duke reflektuar mungesën e investimeve të bizneseve për të joshur punonjësit e rinj. Sipas të dhënave, mungesa e stafit në shumë kompani nuk po shoqërohet me politika pagash më konkurruese.
I vetmi sektor që ka shënuar rritje të lehtë të pagës mesatare është ndërtimi, ku ajo ka kaluar nga 670 euro në 682 euro për muaj në fund të marsit 2025. Ndërkohë, të gjithë sektorët e tjerë kanë raportuar ulje të pagave krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Paga më të larta mbeten në sektorët e aktiviteteve financiare, sigurimeve, informacionit dhe komunikimit. Megjithatë, hendeku mes sektorëve është i thellë. Bujqësia rezulton sektori më i nënpaguar, me një pagë mesatare prej 545 euro, ndjekur nga tregtia, transporti dhe turizmi me 675 euro. Më pas renditen ndërtimi me 682 euro dhe industria me 684 euro.
Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për të luftuar nëndeklarimin e pagave, INSTAT evidenton se pjesa më e madhe e punonjësve ende nuk arrin pagën mesatare. Konkretisht, 48% e të punësuarve në Shqipëri paguhen deri në 600 euro në muaj, 25.4% marrin paga nga 600 deri në 950 euro, ndërsa vetëm 26.5% fitojnë mbi 950 euro në muaj./e.t